Ky është kumanovari që festoi fitoren e Kroacisë në Zagreb

Festë e madhe ka mbretëruar mbrëmë në Zagreb dhe qytete tjera të Kroacisë pas triumfit të Kroacisë kundër Danimarkës, pas dramës së penalltive.

Festa në sheshin e kryeqytetit në Zagreb shpërtheu kur portieri Subashic ndali penalltinë e pestë, ndërsa Rakitic mposhti portierin danez Schmeichel.

Në mesin e tifozëve që kanë festuar ka pasur edhe shqiptarë.

Nezir Ameti nga Kumanova, (tifoz me Kroacinë), me punë të përkohshme në Zagreb rrëfen për festën e cmendur të kroatëve.

“Kemi festuar deri në orën katër të mëngjesit. Ishte festë e madhe në sheshin e Zagrebit, ku ishin tubuar një numër shumë i madh. E kemi pritur fitoren dhe ajo erdhi pasnjë drame të madhe”, tregon emocionet e ndeshjes kumanovari Nezir Ameti për Lajm.

Ai është optimist se Kroacia mund të luaj në finale të botërorit në Rusi.

“Kroacia do të shkojë në finale të këtij botërori, jemi shumë optimist. Tani me Rusinë do të jetë vështirë, por shpresojmë se me lojë të mirë do ta mposhtin, do ta kenë më lehtë se me Danimarkën”, theksoi ai.

Ameti tha se në Zagreb me padurim pritet edhe ndeshja Zvicër-Suedi.

“Po kur Zvicra u kualifikua për në fazën tjetër kroatët e kanë kallë duke festuar me shqiponjë. Unë kam shumë shokë në Zagreb, të cilët e duan Shqiponjën dhe Zvicrën, andaj kundër Suedisë të martën shpresoj që sërish të festojmë”, përfundoi kumanovari me punë të përkohshme në Zagreb, Nezir Ameti për gazetën Lajm.

Loading...