Histori

Ky është Zefi, Heroi i këngës së zagrebit – Ja si ndodhi ngjarja… (Foto)

zef

Është ende i fortë dhe e kujton ngjarjen me detaje. Thotë se është detyruar të nxjerrë pistoletën, por nuk krenohet më vrasjen e gjysmë shekulli më parë. Thotë se shqiptarët nuk janë mësuar të shahen dhe nderi është gjithçka. “Por ndoshta nuk ka qenë fajtor vetëm ai të cilit unë ia kam marrë shpirtin”, shprehet Zef Kaçinari.

Zef Kaçinari, 80 vjeç, është një njeri i gjallë dhe gumëzhinë kur rri në një vend, shkruan gazeta KOHA. Flet dhe pyet për njerëzit në Kosovë, është në pension, tregon për jetën e tij, njerëzit e përshëndesin dhe i thonë “a je ti ai Zefi…” dhe Zefi nuk ka qejf të flet shumë për atë ngjarje. “Mos më lavdëroni se boll kam pas lëvdata…”, thotë Zef Kaçinari, personazhi i famshëm i “Këngës së Zagrebit”. Ai është bërë i njohur pas një ngjarje në Zagreb kur me një pistoletë kishte vrarë një shofer tramvaji për shkak se shoferi i kishte ofenduar dhe kroatët, siç thotë Zefi, i kishin sulmuar dhe rrahur. “Na kanë nda dhe shok e përpjetë kemi qenë të mbulum në gjak”, tregon Zefi gjysmë shekulli më vonë.

Ngjarja e vrasjes

Ekzistojnë versione të ndryshme për këtë ngjarje. Një pjesë e njerëzve thonë se vrasja kishte ndodhur për shkak se një grup i ri i shqiptarëve kishin blerë biletat gabimisht dhe ishin futur në një tramvaj tjetër dhe pas zënkave me shoferin, ai nuk ua kishte kthyer biletat, më pas ishin sharë dhe rrahur dhe Zefi kishte nxjerrë “belgionen” (pistoleta e prodhuar në Belgjikë) dhe kishte shtënë në shoferin për vdekje. Por, për gazetën KOHA, Zefi thotë se nuk ka mundur ta mësojë mirë gjuhën dhe nuk ka kuptuar në atë kohë në tërësi së për çfarë bëhej fjalë. Gjithsesi, sipas tij, rrahja kishte filluar aty dhe disa shqiptar ishin ndarë në grupe dhe ishin neutralizuar nga ana e grupeve të të rinjve kroat. “Ata na kanë rrah secilin veç e veç. Unë nuk kam pas më kah me shkua dhe e kam nxjerr alltinë”, tregon Zefi. Ai thotë se megjithatë shqiptarët në Kroaci kanë mundur të jetojnë mirë dhe të punojnë mirë. “Kush ka dashtë me punu mirë, ka qenë zotni”, shprehet ai. “Gjenerata e parë e emigrantëve gjithmonë nuk mund të integrohen aq mirë. Fëmija e mi e flasin kroatishten si kroat, po unë hala jo”, thekson Zef Kaçinari. Ai është bërë figurë nga mënyra e arrestimit, por edhe dënimet e mëdha që janë kërkuar për veprën e tij. Ka qenë në burg shtatë vjet, por është kërkuar dënimi me vdekje për të. Në burg ka njohur shumë shqiptar dhe është shoqëruar me shumë njerëz që kanë qenë studentë nga Kosova dhe nga ta ka mësuar shumë.

“Këtu kam ardh me 8 maj 1959. Jemi marrë me dyqane, kemi jetuar mirë, kemi kalu mirë. Me krejt shqiptarët mirë. Çdo shqiptar që ka qejf me punu mirë, sjellet mirë, ka vleftë, janë zotni edhe janë të pranum”, tregon Zefi. Djali i tij, Tomë Kaçinari, ka luftuar për Kroacinë në luftën e fundit dhe është kryetar i veteranëve për tërë Kroacinë. “Neve na është dashtë të luftojmë për vendin ku jetojmë, kemi qenë vullnetar të vërtetë”, thotë Toma. Kaçinarët janë marrë me dyqane ushqimore fillimisht, me furra, fruta dhe perime, akullore dhe më pas kanë kaluar në argjendari. Ata tani kanë disa dyqane nëpër Zagreb dhe janë familje e madhe. Zefi ka kohë që nuk punon më dhe rrallë del nëpër qytet, por ende ruan traditat e vjetra të shqiptarëve. Kërkon t’u ofrojë mysafirëve bukë dhe strehim si në kohët e vjetra dhe ende kujton kohën kur është shpërngulur nga Velezha afër Prizrenit.

14-zefi-i-kenges-se-zagrebit-1
“Mos më lavdëroni se boll kam pas lëvdata…”, thotë Zef Kaçinari, personazhi i famshëm i “Këngës së Zagrebit”

Kënga e Zagrebit

“Ndoshta aty nuk ka qenë fajtor vetëm ai të cilit unë ia kam marrë jetë. Por unë nuk kam mujt me e mësu gjuhën aq shpejt”, thotë Zefi. Ai mendon se dikush ia ka pasur inati familjes Kaçinari për shkak se kanë qenë miq të liderit komunist të asaj kohe, Fadil Hoxhës. Zefi thotë se dy ditë para se të ndodhte ngjarja, Mark Allaki, personazhi tjetër i ngjarjes e ka ftuar të takoheshin dhe Zefi në atë kohë ka qenë duke jetuar në periferi, në Karlovac të Zagrebit. Atë të shtunë vetëm kanë shëtitur dhe kanë bërë muhabet në Zagreb. Por dy ditë më pas kur ka ardhur koha për të udhëtuar diku. Zefi e mbanë mend me orë ndonëse kanë kaluar 50 vjet, ka filluar rrahje e madhe kur janë afrua stacionit të trenit. “Ka qenë ora 6:45”, thotë Zefi. Ai e ka mbajtur mend edhe rrugën, sepse ka qenë gjëja e vetme që mban mend pasi ka shtënë dhe është shtangur, megjithatë ka vrarë një njeri. “Në atë momente kam qenë vetëm më të madhin Zot dhe nuk kam pas tjetër”, shprehet Zefi. Ai, përveç shoferit, kishte plagosur edhe një qytetar. “Aty plasi se na e kemi të vështirë me ia sha dikujt Zotin, unë s’kam ni në Kosovë që dikush ia ka sha dikujt nanën, motrën a diçka pa kurrfarë problemi”, thotë Zefi. Ai në burg ka mësuar shumë madje ka kryer edhe shkollën tetëvjeçare dhe më pas kur ka dalë shkollën e mesme metalurgjike për filigran. Por, drejtësia është munduar disa herë ta dënojë më shumë në bazë të nenit 135 të Kodit Penal të asaj kohe dhe tri herë i janë ndryshuar akuzat.

14-zefi-i-kenges-se-zagrebit-3

“Neve na ka mbajt vetëm familja, besa edhe Zoti…, tjetër ne shqiptarët nuk kemi, sepse jemi popull i humbur”, thotë ai. Zefi ka filluar të bëhet mit i folklorit dhe i shqiptarëve, djemve të rinj, që nuk durojnë të nënçmohen dhe ofendohen, që për nder e komb bëjnë gjithçka në qendër të Zagrebit. Zef Kaçinari thotë se nuk e kishte menduar se kjo do të ndodhte ndonjëherë, edhe pse kënga tashmë ishte bërë e famshme për vjet me radhë, por ai nuk e kishte dëgjuar ndonjëherë. “Këngën e kam dëgjuar shumë vjet masi kam dal pej burgut. Nja katër vjet më duket masi ka dalë kanga”, thekson Zefi. Ai duket se është penduar dhe përlotet kur përmend tërë këtë ngjarje dhe lutet të mos e lavdërojnë shumë për një gjë të tillë, pavarësisht keqkuptimit apo qëllimit që ka pasur kjo ngjarje dikur. “Unë nuk kam qenë vetëm aty dhe aty nuk ka qenë vetëm Mark Allaki, kanë qenë edhe shumë shqiptar të tjerë, po unë kam qit me allti në të tretën herë kur jemi rreh me ta”, kujton Zefi. (I.Seferi)

To Top