Izmi Zeka, zv.ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës, ka reaguar ashpër pasi ka parë që në listën e veterinave të UÇK-së është përfshirë një person nga Gjilani. Zeka ia ka publikuar certifikatën e veteranit, dhe sipas tij, personi në fjalë ka qenë në shërbim të UDB-së serbe në Gjilan.

Zyrtari qeveritar, Izmi Zeka, po pretendon që këtë person e ka futur në listë të veteranëve Ministria e Mbrojtjes, e cila, sipas tij, ka ekzistuar në kohën e Bujar Bukoshit.

Ky është postimi i plotë i Izmi Zekes:

Mos i lëndoni dëshmorët, invalidët dhe veteranët e njëmendët të UCK-së

Edhe pse nuk jam ithtarë shumë për tu marr me të kaluarën e sidomos të rëndë të historisë sonë megjithatë po më të shtyjnë disa veprime të paprecedent që po ndodhin në Kosovën tonë.

Rasti i fundit që lëndon të kaluarën, baballarët, nënat, heronjtë, martirët, të burgosurit politik thënë më një fjalë përpjekjet për liri ishte rasti i njeriut që ka punuar në Shërbimin e UDB-së serbe në Gjilan, Sinan Rexhepi i njohur si Sinan Zhegra.

Është dhimbje kur një person i tillë tani shihet me njohje të statusit të veteranit të UCK-së .

Kjo nuk do koment pavarësisht nga kush është bërë apo nga kush është nënshkruar. Asnjë marrëveshje që dëmton të kaluarën e historisë sonë nuk duhet të lejohet nga institucionet tona, të kalohet dhe ne të bëjmë sehir.

Sinan Zhegra njihet në nivel kosovar për të bëmat e tij pas viteve 1981 e këtej në dëme të interesave jetike të shqiptarëve të Kosovës.

E kam të qartë se në listë e ka futur Ministria e Mbrojtjes e cila paska ekzistuar në kohën e Bukoshit dhe në një farë kompromisi është pranuar nga komisioni qeveritar për njohe ta statusit të luftëtarëve të UCK-së.

Nuk ka çmim që arsyeton këtë akt dhe veprim të papërgjegjshëm të atyre që e kanë bërë këtë “surprizë”.

Tanimë kemi bërë krahasim të çuditshëm të atyre patriotëve dhe atdhetarëve me njerëzit që i kanë shërbye pushtetit famëkeq serb.

Kemi lënduar luftën e UCK-së, të kaluarën tonë, invalidët e luftës e çka jo.

Prandaj unë si qytetar i këtij vendi, si shumë të tjerë që kontribuar dhe kanë vuajtur për lirinë e Kosovës, ndjehem i prekur dhe jo vetëm i prekur por i zhgënjyer me rastet e tilla dhe jo vetëm të tij.

Loading...