Mrekullia e Laçit, e realizuar në fundjavë me fitoren befasuese përballë Skënderbeut, nuk do të jetë e lehtë të përsëritet. Në sfidën e radhës në kampionat, kurbinasit udhëtojnë drejt Vlorës, për tu përballur me Flamurtarin, një tjetër ekip pretendent në këtë edicion.Por, nëse në letër skuadra e Mezanit mund të provonte të luante për rezultat pozitiv edhe ndaj kuqezinjve, efektivisht ky nuk është një mision i lehtë për tu realizuar. Mbi të gjitha prej mungesave të titullarëve.

Katër lojtarë të formacionit nuk do të jenë në dispozicion të skuadrës për trasfertën e radhës. Duke nisur nga mesfushori brazilian Eskerda, për të vazhduar me dy talentë të rinj si 21 vjeçari Bardhi dhe 19-vjeçari Kallaku, që pavarësisht moshës janë shndërruar në elementë mjaft të rëndësishëm të skuadrës.I padisponueshëm do të jetë edhe Ansi Nika, një prej lojtarëve me më tepër eksperiencë te Laçi. Mungesat e katër titullarëve do ta detyrojnë Mezanin që në rikthimin në Vlorë, këtë herë si kundërshtar, të improvizojë.

Megjithatë ndryshimet në formacion, morali pas dy fitoreve radhazi dhe fakti që në këtë sezon kanë arritur rezultate përballë ekipeve të kreut, pritet të shërbejnë si motivim ekstra te Laçi. Ndaj Flamurtarit do të synohet një tjetër rezultat pozitiv, ndoshta si barazimi 1-1 i arritur në fazën e parë të kampionatit.

Loading...