Seanca gjyqësore për rastin “Magjar Telekom”, të cilin e përmendi prokurorja Katica Janeva, është caktuar për 27 nëntor e jo për 27 tetor. Nga PSP sqarojnë se Janeva bëri lapsuz kur në intervistën e fundit tha se seanca, të cilën PSP e ka marrë nën kompetenca të saja, është caktuar për 27 tetor.

Nga Gjykata Penale në Shkup njoftojnë se për momentin në këtë rast nuk janë të dyshuar ish kryeministri Vllado Buçkovski, e as kryetari i BDI-së Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi.
“Për momentin në këtë rast janë të dyshuar vetëm tre ish drejtorë të Telekomit, Atila Sendrei, Rolf Plat dhe Soltan Kishjakus”, deklaroi për Gazetën Lajm zëdhënësi i gjykatës penale.
Deri këtu lajmet janë në favor të Buçkovskit, Ahmetit dhe Musa Xhaferit. Mirëpo nga PSP lajmet për ta nuk janë aq të mira.
“Njësoj sikurse te rasti ‘Monstra’ edhe ‘Magjar Telekomin’ PSP e merr ashtu siç e ka hapur Prokuroria themelore. Mirëpo nuk duhet të harrojmë se pas marrjes nën kompeteneca të veta, PSP ka të drejtë ta zgjerojë dhe ta plotësojë aktakuzën. Mbetet të shohim nëse do të merret parasysh edhe dëshmia e Sllobodan Bogoevskit para gjykatës në Nju Jork”, deklaruan nga PSP për Gazetën Lajm.
Nga PSP rikujtojnë se procedurë parahetimore për këtë rast ka hapur edhe Gjykata për krime të rënda, e cila heton se si janë nxjerrë nga Telekomi miliona euro për kompaninë e biznesmenit kontradiktor grek Kondominas, e të cilat më pas janë përdorë për korruptimin e funksionarëve në Maqedoni, me qëllim të ruajtjes së monopolit të kompanisë Telekom në Maqedoni.
Edhe PSP realizoi procedurë parahetimore për rastin, që sipas gjitha gjasave do të jetë pjesë e tezës që do të përpiqen ta dëshmojnë. Prokuroria e Shkupit gjatë kohë nuk ia jepte PSP-së rastin “Maxhar Telekom” me arsyetim se nuk janë të lidhura, e as nuk burojnë nga përmbajtja e përgjimeve.
Pas rënies së qeverisë VMRO-BDI, ky qëndrim ka ndryshuar dhe PSP tani e “menaxhon” rastin.
Rasti “Maxhar Telekom” në Gjykatën themelore Shkup 1 është hapur në tetor të vitit 2011, por është zvarritur dhe deri në vitin 2016 nuk është mbajtur asnjë seancë, me kalimin e viteve janë ndërruar gjykatësit e lëndës. Në vitin 2015 janë caktuar 3 seanca, por të gjitha janë shtyrë. Lënda tani është në duart e gjykatëses Lenka Davitkova. Në vitin 2016 ajo ka caktuar 9 seanca, prej të cilave 5 janë mbajtur, kurse 4 janë anuluar.
Në vitin 2017 janë caktuar 7 seanca, prej të cilave 5 janë mbajtur, kurse 2 janë anuluar.
Për momentin lidhur me këtë rast vijon marrja në pyetje e dëshmitarëve. Deri tani janë marrë në pyetje disa dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria dhe një dëshmitar i propozuar nga mbrojtja.

Loading...