Historiani zviceran mohon prejardhjen tonë ilire
Ekziston një konsensus për sa i përket teorisë së vazhdimësisë Iliro-Shqiptare, sipas të cilës kjo vijimësi nuk mund të provohet për shkak të mungesës së gjurmëve të mjaftueshme të gjuhës ilire, ka thënë historiani zviceran Oliver Schmitt
Historiani zvicerian, Oliver Schmitt, i cili është marrë gjatë me studimin e historisë së vendeve të Ballkanit, ka vënë në pikëpyetje shumë fakte që tregojnë se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve. Në një intervistë të dhënë për “Gazetën Shqiptare” ai ka folur gjatë për esenë që ai ka publikuar për shqiptarët.
Fillimisht, Schmitt e nis duke i dhënë një përgjigje sulmeve që i janë bërë për librin “Skënderbeu”.
“I gjithë debati prej publikimit të ‘Skënderbeut’ shpalos modele shumë komplekse të interesave politike dhe kulturore. Unë nuk kam ndërmend të komentoj shumë rreth kësaj sepse mendoj që publiku shqiptar është i familjarizuar me momentet kyçe të diskutimit si dhe motivet dhe interesat e tyre. Por unë mbeta shumë i habitur nga fushata ekstremisht agresive kundër mikut tim të ndjerë Ardian Klosi. Mendoj se brezat e ardhshme të studiuesve e intelektualëve do të jenë në gjendje të gjykojnë si duhet mbi integritetin moral të atyre pjesëtarëve të elitës politike dhe veçanërisht asaj kulturore të cilët e ‘sulmuan’ këtë njeri të madh kur ishte gjallë dhe pastaj e nderuan kur ai vdiq,” thotë Schmitt.
Sa i përket fakteve për vashdimësinë e iliro-shqiptarëve historiani shprehet se: "Së pari, dua t'ju bëj një vërejtje, e cila ka të bëjë me të gjithë intervistën: pyetjet që ju bëni janë shumë komplekse dhe është shumë e vështirë që ato të zvogëlohen në përgjigje të shkurtra. Unë, gjithsesi, do të përpiqem të kujtoj lexuesin se nuk ka përgjigje të thjeshta, dhe shumë probleme janë akoma të diskutueshme e shumë përgjigje nuk mund të jenë më shumë se komente hyrëse për këto debate studimore. Jam përpjekur të shpjegoj ne libër qëndrimin e sotëm të studiuesve të huaj. Ekziston një konsensus për sa i përket teorisë së vazhdimësisë Iliro-Shqiptare, sipas të cilës kjo vijimësi nuk mund të provohet për shkak të mungesës së gjurmëve të mjaftueshme të gjuhës ilire. Po ashtu ekziston një konsensus mbi proto- shqiptarët, një term përcaktues për të përshkruar folësit e formës së lashtë shqiptare - që jetonin atëherë në Antikitet në një zonë, e cila përmblidhej nga zona e hinterlandit të Shkodrës e deri në Kosovën e sotme dhe Maqedoninë Qendrore. Qarkullojnë ide të ndryshme rreth vendndodhjeve të proto-shqiptarëve në zonën e Jugut të Shqipërisë së sotme. Kështu që, kur mendoj mbi baza të tilla se shqiptarët jetuan në Antikitet në shumë nga zonat ku ata gjenden akoma dhe sot, unë mbështes edhe mendimin e linguistëve, të cilët e konstatojnë thjesht se ne nuk mund të provojmë që gjuha moderne shqiptare vjen nga ilirishtja, pasi ne nuk e njohim aq mirë sa duhet atë. Mund të ekzistojë një vazhdimësi iliro-shqiptare, por për momentin ku ndodhen kërkimet tona, kjo është vetëm një hipotezë. Por siç e theksova, emri i paraardhësve të shqiptarëve modernë dhe pyetja se ku ata janë vendosur duhet të ndahet në dy pyetje të ndryshme. Duhet të theksohet, se ka akoma nevojë të vazhdohet të bëhen kërkime e veçanërisht mbi toponimet. Së fundmi, unë shpresoj se ky studim do të konsiderohet për çfarë ai përfaqëson: një përpjekje për t'ju përgjigjur pyetjeve shkencore. Fatkeqësisht, ky lloj studimi është për momentin paksa i vështirë në Ballkanin shqiptar për shkak të politizimit të tij. E nuk është vetëm teoria shqiptare e vazhdimësisë Iliro-Shqiptare, por është gjithashtu edhe mohimi i autoktonisë shqiptare në Ballkan nga grupe nacionaliste në vendet fqinje. Teoria e ilirëve apo origjina pellazge e shqiptarëve u zhvillua në shekullin e 19-të nga pjesëtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, konsideruar si një përgjigje direkte kundrejt pretendimeve të nacionalistëve grekë dhe serbë, të cilët i justifikonin pretendimet territoriale me argumentin se Shqipëria ishte një komb pa histori. Por megjithëse grupe nacionaliste në Greqi dhe në Serbi akoma vazhdojnë të qëndrojnë mbi këto ide, duhet nënvizuar se studiuesit jasht Ballkanit nuk i marrin seriozisht këto pretendime. Vetëm se për sa kohë shumë anëtarë të elitës shqiptare, e diskutojnë temën e vazhdimësisë si një çështje politike dhe jo një çështje shkencore dhe për sa kohë nuk ekziston vullneti për të analizuar mënyrën se si kjo teori doli në pah në shekullin e 19-të dhe 20-të etj, dhe për sa kohë flitet për të 'vërteta' historike, dhe jo përgjithësisht për rezultate të proceseve politike, sidomos të politikës shtetërore të Shqipërisë enveriste, ku i tërë ky problem nuk mund të diskutohet asfare në një mënyrën të pastër shkencore".
Në intervistë një pyetje tjetër konsistonte në çështjen e besimit të shqiptarëve në fe. Përgjigjja e Shmett ishte se shqiptarët që u islamizuan në thelb janë fetarë. Ja cilat janë argumentet që jep ai:
"Sapo vlerësova që shqiptarët nuk janë një përjashtim- ka njerëz që besojnë dhe që nuk besojnë ashtu si në vendet fqinje. Unë jam paksa dyshues për sa ka të bëjë me idenë që shqiptarët janë shumë më tepër tolerantë dhe më shumë indiferentë në besimin fetar se popujt e tjerë. Ka fenomene sinkretike si p.sh myslimanët dhe kristianët bëjnë pelegrinazhe në të njëjtën vend të shenjtë, bëjnë nderimin e të njëjtëve shenjtë, myslimanë që adoptojnë praktikat popullore Kristiane, megjithëse fenomeni i kriptokristianëve ekzistonte po ashtu dhe diku tjetër në Ballkan dhe në Anadoll. Aktivistët e Rilindjes përshfaqën idenë e tolerancës fetare dhe indiferencës për të ngushtuar boshllëkun e madh midis shqiptarëve myslimanë dhe ata kristianë; por dëshmi për tensione midis shqiptarëve myslimanë dhe kristianë ka tepër shumë; nëse do ti hidhni një sy të dhënave. p.sh raportet e konsujveaustriak që nga fundi i shekullit 19-të në Kosovë janë plot me detaje rreth dhunës së myslimanëve shqiptarë kundër katolikëve shqiptarë; po ashtu në Kosovë myslimanët shqiptarë thoshin që Guvernatori Otoman ishte thjesht i çmendur kur ky i fundit shpalli që myslimanët dhe kristianët do të trajtoheshin njëlloj në drejtësinë shtetërore. Por Lëvizja Kombëtare ia doli të kishte sukses në bindjen e shumë shqiptarëve se shteti duhet të mbizotërojë mbi bashkësitë fetare, nga impresioni i të qenit të kërcënuar nga serbët, malazezët dhe nga ekspansioni grek që kontribuuan shumë në suksesin e këtij koncepti. Shkolla shtetërore dhe propaganda shtetërore, armiqësia ekstreme e regjimit komunist kundër besimit fetar ndihmuan të përhapej masivisht ideja, e cila sot është e pranuar gjerësisht si një element thelbësor në identitetin kombëtar. Një perspektivë kritike nuk e mohon këtë fakt, por e vendos nevojën e rishikimit të këtij fenomeni në një perspektivë të re. Nëse historianët shqiptarë do të bënin më shumë punë krahasuese, ata do të shihnin që historia shqiptare është pak e veçantë, dhe kjo është po ashtu e vërtetë edhe për historinë e besimeve fetare. Madje dhe nga periudha midis 1968 dhe deri në 1991, shumë shqiptarë mbetën besimtarë dhe praktikuan ritet e tyre në mënyrë të fshehtë. Në përgjithësi, është për t'u vëzhguar - dhe ky vëzhgim është i vërtetë për shumë nga historianët, të cilët studiojnë historinë e tyre e që shumë shpesh janë të përqendruar në çështjen e tyre kombëtare dhe e zmadhojnë veçorinë e kombit të tyre. Kështu që krahasimi do të ishte shumë i vlefshëm për një kuptueshmëri më të mirë të historisë kombëtare."
Unë jam paksa dyshues për sa ka të bëjë me idenë që shqiptarët janë shumë më tepër tolerantë dhe më shumë indiferentë në besimin fetar se popujt e tjerë.



Facebook
Furl
Digg
Myspace
Windows Live
Yahoo MyWeb
Publikoni komentin tuaj