Arifi dhe Bejta kthehen nga Shkupi në Tetovë dhe Gostivar
Dorëheqjet e tyre janë për shkak të pjesëmarrjes në zgjedhjet e ardhshme lokale si kandidatë të BDI-së për kryetare të komunës së Tetovës, gjegjësisht Gostivarit
Ashtu siç ishte paralajmëruar, të premten dhanë dorëheqje zëvendëskryeministrja për eurointegrime, Teuta Arifi dhe ministri i pushtetit lokal, Nevzat Bejta. Dorëheqjet e tyre janë për shkak të pjesëmarrjes në zgjedhjet e ardhshme lokale si kandidatë të BDI-së për kryetare të komunës së Tetovës, gjegjësisht Gostivarit.
“Si që jeni të njoftuar unë do të garoj në zgjedhjet lokale të këtij viti si kandidate për postin e kryetarit të Tetovës. Për këtë arsye dua t’ju njoftoj që sot do të jap dorëheqje nga funksioni i zëvendëskryeministrit për çështje evropiane dhe do t’i përkushtohem tërësisht fushatës parazgjedhore që do të zhvillohet në Tetovë”, deklaroi të premten Arifi.
Ajo foli edhe rreth angazhimit të saj në procesin e afrimit të Maqedonisë drejt BE-së, duke shpresuar se ky proces do të përfundojë brenda kësaj dekade.
“Procesi i integrimit evropian të këtij shteti ka filluar dekadën e kaluar ndërsa në rastin më të mirë do të përfundojë këtë dekadë. Për mua ishte kënaqësi që për dy vite kisha përgjegjësinë të udhëheq me Sekretariatin për çështje evropiane dhe të kontribuoj që procesi i integrimit evropian të ec para me qëllim të përmbushjes së të ardhmes evropiane të qytetarëve tanë . Në këtë periudhë hapëm Dialogun aderues në nivel të lartë që kontribuoi për progres të konsiderueshëm në procesin e reformimit të shoqërisë tonë, pranuam raport pozitiv dhe morrëm konkluzat e Këshillit të ministrave të BE që orientojnë qartë kornizat e veprimit tonë të ardhshëm në funksion të fillimit të negociatave me BE”, theksoi Arifi.
Në pyetjen e gazetarëve nëse kandidaturën për kryetare komune të Tetovës e vlerëson si devalvim, ajo theksoi se me kandidaturën për kryetar komune të Tetovës është veçanërisht e nderuar, sepse Tetova është qyteti në të cilën jetojnë më shumë shqiptarë, qytet me dy universitete dhe shprehu besimin se do të bëhet gruaja e parë shqiptare kryetare komune, sikurse para 11 viteve kur u bë gruaja e parë shqiptare deputete.
Ndërsa, ministri i pushtetit lokal, Nevzat Bejta pas nënshkrimit të dorëheqjes tha se gjithnjë ka qenë i përgatitur ta respektoj vullnetin e shumicës së qytetarëve. Kam qenë i përgatitur ta respektoj demokracinë dhe njerëzinë, lirinë dhe barazinë si dhe drejtësinë. “Në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën në vitin 2011, BDI në Gostivar doli fitues dhe nga ajo fitore unë u bëra ministër i vetëqeverisjes lokale. Por, në vitin 2013 situata ndryshoi, shumica e qytetarëve të Gostivarit kërkuan që unë të jem kandidat për kryetar të komunës. Këtë kërkesë e përkrahën organet partiake dhe BDI më kandidoi për kryetar të komunës së Gostivarit. Duke mos dashur ta keqpërdori pozitën e ministrit në zgjedhjet e 24 marsit, unë sot jap dorëheqje të parevokueshme nga funksioni i ministrit”, tha Bejta me këtë rast.
Ai shtoi se prej do të kthehet në mesin e qytetarëve të Gostivarit që të punojnë së bashku për zgjedhjet lokale të 24 marsit.
Bejta, poashtu u është falënderuar anëtarëve të Qeverisë, administratës së ministrisë së tij, komunave dhe qytetarëve për bashkëpunimin e deritanishëm.



Facebook
Furl
Digg
Myspace
Windows Live
Yahoo MyWeb
Publikoni komentin tuaj