Hyrje | LAJME | Maqedoni | Pasqyrimi i demonstratave të vitit 1981, në shtypin e maqedonisë

Pasqyrimi i demonstratave të vitit 1981, në shtypin e maqedonisë

image

Mr.SKENDER ASANI

        Në fillim të viteve të tetëdhjeta, në arenën ndërkombëtare filloi të fryjë era e ndryshimeve të mëdha, e cila rezultoi me rrëzimin e shumë regjimeve totalitare komuniste. Kjo frymë dhe kjo gjendje socio-politike u reflektua edhe në hapësirat e ish-Federatës jugosllave. Demonstratat e studentëve shqiptarë, të mbështetura nga masat e gjëra popullore të 11 marsit 1981, paralajmëruan shpërbërjen e një krijese artificiale shtetërore, e cila ishte ndërtuar në bazë të konceptit të dominimit dhe mosrespektimit të vullnetit dhe të së drejtës historike të vetëvendosjes së popujve që u siguronin të gjitha konventat ndërkombëtare.  

      Jehona e demonstratave studentore të Prishtinës kishte depërtuar edhe në të gjitha vendbanimet shqiptare të Maqedonisë, megjithëse sistemi i kohës po bënte çmos që ato t’i gulfasë dhe të mos marrin dimensionet popullore. Instrumenti më efikas i pushtetit të kohës kundër këtyre protestave ishte manipulimi me mediat, konkretisht Radiotelevizionin e Shkupit dhe gazetat ditore. Kësaj radhe do të ndalemi më tepër në mediat e shkruara, dhe reflektimin e këtyre ngjarjeve në faqet e tyre.  

      Shtypi në Maqedoni demonstratat studentore të 11 marsit 1981 në Kosovë nuk i kishte pasqyruar me kohë për shkak censurës që mbretëronte në faqet e gazetave “Flaka e Vëllazërimit”, “Veçer” e “Nova Makedonija”, sepse ekzistonte frika se ato ngjarje do të merrnin përmasa të gjera popullore dhe të barteshin edhe në Maqedoni. Shtypi i kohës filloi të informojë opinionin në Maqedoni kur u krijua qëndrimi shtetëror dhe strategjia për t’i gjykuar ato si rrënuese të rendit kushtetues të federatës jugosllave. Kjo situatë kaotike në qarqet e pushtetit, por edhe në shtypin e kohës, nga këndvështrimi i sotëm mund të vlerësohet si mospërgatitje për një shpërthim të vrullshëm të ngjarjeve që kishin shkaktuar protestat studentore të 11 marsit në Prishtinë.

    Lajmi i parë në shtypin e Maqedonisë për demonstratat studentore të 11 marsit në Prishtinë u publikua në gazetën e vetme shqiptare të kohës “Flaka e vëllazërimit” me titull: “Incident i një grupi studentësh në Prishtinë”. Siç vërehet edhe nga vetë titulli, demonstratat cilësoheshin si prishje e rendit e qetësisë publike nga një grup studentësh. Sipas kësaj gazete, kjo ndodhi kur “disa elemente armiqësore tentuan të shfrytëzonin pakëna-qësinë e një grupi studentësh me ushqimin në mensën e studentëve”.[3] Informacionet e pakta për këto protesta ishin si rezultat i censurimit dhe imponimit të politikës represive nga qarqet e pushtetit komunist të asaj kohe.

     Politika famëkeqe e kohës me shpejtësi filloi hartimin e projekteve për t’iu kundërvënë rezistencës shqiptare dhe, sipas një skenari mirë të përgatitur, protestat studentore dhe mbarëpopullore do të gjykoheshin nga vet shqiptarët, duke filluar nga politikanët shqiptarë që ishin në aktivin e Lidhjes Komuniste, mediumet e shkruara e elektronike në gjuhën shqipe, kolektivet arsimore në universitete, shkollat fillore e të mesme, institucionet kulturore e deri te kolektivet e ndërmarrjeve publike. Sipas këtij skenari, më pastaj do të pasonin diferencimet, largimet nga puna dhe burgosjet, si masa për të shuar rezistencën studentore dhe mbarëpopullore që kishin këto protesta. Dënimi i parë i protestave studentore në shtypin e kohës në Maqedoni erdhi nga kryetari i Lidhjes Socialiste të Popullit Punues të Prishtinës, Asllan Fazliu, i cili demonstratat e një grupi studentësh në Qendrën e studentëve, më 11 dhe 26 mars, i kualifikonte si armiqësore, të organizuara dhe të nxitura prej forcave armiqësore, si pjesë e tendencave të përgjithshme armiqësore drejtuar kah destabilizimi dhe prishja e unitetit të vendit.[4] 

   Demonstratat e marsit, që ishin zhvilluar në Kosovë, detyruan që në një mbledhje urgjente të mblidhen dy kryesitë e Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë dhe kryesisë së Republikës së Serbisë. Nga kjo mbledhje dolën konkluzionet se “demonstratat kishin karakter rrënues të rendit kushtetues e politik të shtetit, të cilat ishin të organizuara nga grupe të nacionalistëve shqiptarë”.[5] Në këtë mbledhje ishin dhënë informacione se në masat popullore nuk kishte dhënë rezultatet e pritura kalimi i Stafetës nëpër Kosovë dhe kjo ishte një sinjal i qartë se shqiptarët po përkrahnin gjerësisht protestat studentore.

      Shtypi i kohës në Maqedoni me rastin e ngjarjeve të demonstratave studentore të marsit në Kosovë gjendjen politike u mundua ta pasqyrojë edhe nëpërmjet intervistave me dy liderët politik të asaj kohe në Kosovë, kryetarin e kryesisë së Kosovës Xhavid Limani, dhe anëtarin e Kryesisë së RSFJ, Fadil Hoxha. Xhavid Limani në prononcimin e tij kishte potencuar se demonstratat janë të importuara prej jashtë Kosovës dhe kundër Kosovës.[6] Ndërsa, Fadil Hoxha kishte potencuar se duhet menjëherë dhe qartë të theksohej se demonstratat në Prishtinë e në disa vende të Kosovës paraqesin akt të paramenduar mirë armiqësisht dhe vepër kundër-revolucionare.[7] 

      Vend të rëndësishëm në të gjitha gazetat e përditshme në Maqedoni i ishte dhënë komentit të “Flakës së vëllazërimit“ me titull “Reaksioni nuk mund të na ndajë“, ku thirrej në emër të popullit shqiptar në Maqedoni për t’i gjykuar demonstratat studentore dhe mbarëpopullore në Kosovë. Më tej në këtë koment potencohej se shqiptarët e Maqedonisë nuk do të bien në provokimet e nacionalistëve e kundërrevolucionarëve shqiptarë, të cilët kanë për detyrë të rrënojnë vëllazërim-bashkimin dhe harmoninë që ekziston ndërmjet popullit maqedonas dhe nacionalitetit shqiptar, turk etj. Nga ky koment i redaksisë së “Flakës së Vëllazërimit“ kuptohet se sa ka qenë presioni institucional dhe censura në gazetën e vetme në gjuhën shqipe të asaj kohe.

      Më tej, rëndësi të veçantë shtypi i kohës në Maqedoni i kishte kushtuar komenteve të gazetës “Zëri i Popullit”, ku akuzohej shtypi dhe mediat elektronike jugosllave se artificialisht kanë bërë fushatë për të dezinformuar opinionin lidhur me ngjarjet e marsit në Kosovë për të “ngritur tone shoviniste“.  Këtyre komenteve kritike që vinin nga Tirana, aparatura shtetërore, sipas projektit për t’iu kundërvënë revoltës mbarëpopullore të shqiptarëve në federatën jugosllave, detyronin me ndikim dhe presion redaksitë e gazetave shqiptare “Rilindja“ (Prishtinë) dhe ”Flaka e vëllazërimit“ (Shkup) t’i kundërviheshin reagimeve nga shtypi i Tiranës. Në saje të këtyre masave represive, revista “Fjala“ u ndalua të botohej, kurse ndaj shtypshkronjës “Rilindja“ u ngrit padi penale. Preteksti për ndalimin e botimit të kësaj reviste ishte se në faqet e saj ishte botuar një tekst që pasqyronte veprimtarinë e mërgatës shqiptare në botë, dhe se asnjëherë nuk janë bërë tekste sipas analizës marksiste. 

       Politika zyrtare jugosllave kishte për synim që të plasojë politikën e vetë te mërgata në Evropë për demonstratat e marsit në Kosovë, madje edhe duke dërguar ‘emisarë’ të ndryshëm nëpër klubet dhe shoqatat e ndryshme. Një delegacion i kryesuar nga kryetari i Sindikatave të Kosovës, Rabit Rexhepi, dhe kryetari i Sindikatave të Bosnjë e Hercegovinës, Millan Puçar, kishin pas një takim me mërgatën shqiptare në Klubin “Përparimi“ në Bruksel, ku ishin pritur me reagime të ashpra ndaj dhunës shtetërore që u ushtrua ndaj popullit shqiptar.    Rëndësi të veçantë shtypi i kohës në Maqedoni i kishte kushtuar ngjarjes së armatosur në Prekaz të Ulët në Kosovë ndërmjet Tahir e Nebi Mehës kundrejt forcave policore që kishin vënë Prekazin në shtetrrethim. Arsyetimi i policisë kishte qenë fletarresti për Tahir Mehën, se para një viti kishte sulmuar policinë me armë. Në përleshjen e armatosur në Prekaz kishin mbetur katër policë të vrarë dhe disa të plagosur.  Për këtë ngjarje kishte reaguar agjencia e gazetarëve shqiptarë, ku kishin dënuar aktin e sulmit ndaj familjeve shqiptare në shenjë hakmarrjeje ndaj revoltës mbarëpopullore të shqiptarëve në mars dhe prill të vitit 1981. 

      Masat që kishte ndërmarrrë Këshilli i Kuvendit të Kosovës për të shuar revoltat studentore, ishin ndërprerja më 19 maj të vitit akademik, mbyllja e konvikteve studentore, mbyllja e menzës së studentëve. Po ashtu edhe në Radio Televizionin e Prishtinës filloi cenzurimi i këngëve dhe emisioneve të Radio Televizionit të Tiranës, me arsyetimin se emisionet e kengët ndikonin në ngritjen e tensioneve ndëretnike.  Po ashtu edhe ndaj mediave të shkruara në gjuhën shqipe u ndërmorën masa ndëshkimi e diferencimi, me arsyetimin se nuk janë informuar në mënyrë të drejtë rreth protestave studentore dhe disa gazetarë u akuzuan se drejtpërdrejti kanë marë pjesë në demostrata. Në Universitetin e Prishtinës ushtrohej presion i jashtëzakonshëm ndaj aktivit të profesorëve për tu distancuar nga protestat studentore. Ata që nuk pajtoheshin me këto masa përjashtoheshin dhe ndaj tyre filloi menjëherë diferencimi dhe ndjekja gjyqësore. Masat e dhunshme prekën edhe bursat studentore, ndaj studentëve që morën pjesë në demonstrata dhe me një akt iu ndërpre shfrytëzimi i mëtejshëm i bursave.

       Masat e dhunshme prekën programet dhe tekstet shkollore. Të gjitha tekstet shkollore që përmbanin në vete elementin kombëtar ishin tërhequr nga përdorimi, me arsyetimin se rrënonin bashkëjetesën dhe rendin kushtetues të shtetit.

      Për demonstratat mbarëpopullore që ishin zhvilluar gjatë tre muajve në të gjitha vendbanimet e Kosovës, ndaj organizatorëve u ngritën afro 480 aktpadi penale. Ndërsa procese gjyqësore u ngritën edhe ndaj 126 personave të ndërmarrjeve të mëdha publike. Po ashtu pa asnjë procedurë të rregullt nga puna u larguan 189 persona, nga ky numër 109 ishin nga arsimi.

    Si përfundim, demonstratat e marsit të vitit 1981 në Prishtinë, në shtypin e kohës në Maqedoni u pasqyruan me një koordinim të sinkronizuar të cilën e drejtonte aparatura shtetërore jugosllave, duke e mbështetur politikën serbe për këto ngjarje. Protestat studentore të 11 marsit në Prishtinë, për një kohë nuk u pasqyruan në shtypin e Maqedonisë, sepse ekzistonte frika që kjo revoltë popullore do të bartej në Maqedoni. Kryesisht në faqet e gazetave në Maqedoni, sipas një skenari mirë të projektuar, jepeshin vetëm deklaratat që gjykonin këto protesta si elemente që rrënonin vëllazërim-bashkimin dhe tërësinë territoriale e kushtetuese të federatës Jugosllave. Kësaj politike shtetërore i paraprinin edhe deklaratat e disa funksionarëve shqiptarë të kohës, të cilët theksonin se këto protesta janë të nxitura nga Shqipëria. Në bazë të këtyre deklaratave gjykuese të demonstratave nga udhëheqësit politikë të asaj kohe, filluan diferencimet politike në arsim, kulturë dhe shkencë, ku me mijëra shqiptarë u përjashtuan nga puna dhe shumë të tillë përfunduan në burgje.

    Megjithatë, shpirti kryengritës i shqiptarëve nuk u shua, dhe ai do të shpërthente dy dekada më vonë, me organizimin e kryengritjes së armatosur të UÇK-së për çlirimin e Kosovës dhe për barazi kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni dhe Luginën e Preshevës.


Subscribe to comments feed Komente (2 publikuar):

Cairi në 10/05/2013 09:58:33
avatar
Ato tipa qe i permend z.Hoda o nuk jetojne me o jane ne PDSH si Milaim Latifi
qe ishte redaktor ne kohen e vojvodave.Prandaj mos ja fut kot.
Thumbs Up Thumbs Down
0
hoda në 10/05/2013 09:17:52
avatar
Autori është dashur të prezentoj shkrimin e shtypit sllav në Maqedoni si N.M. Veçer dhe ato elektronike në gjuhën sllave. Për F.V. e dim dhe mund të meret me mend si kn shkruar dhe si kan vepruar nën diktatin e KEM me Sefedin Sulemanat e kohës, me do Hysen Shaqira e Milaim Latifa në MRT dhe Muamer Vishka në Radio Shkup.Plehra të kohës që i kemi edhe sot në DUI në form me kamuflazh "demokratike".
Thumbs Up Thumbs Down
-1
total: 2 | Treguar: 1 - 2

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem shënoni kodin që shikoni në imazh: