Lavdia pa emër, apo mallkimi i historisë

Abdulla Mehmeti

Shumë qarqe politike dhe intelektuale në shtetet fqinje të Maqedonisë, si në
Serbi, Bullgari dhe Greqi, ka shumë vite që flasin, shkruajnë dhe trumbetojnë për
disa fakte historike, për realitetin e sotëm dhe të ardhmen e Maqedonisë, duke e
trajtuar këtë çështje secila palë sipas interesave të veta. Kështu, pjesëtarët e këtyre
qarqeve dhe përkrahësit e këtyre ideve të vjetruara ende vazhdojnë të mendojnë me
logjikën e shek. XIX dhe të fillim shek. XX, kur u krijuan shtetet e tyre të pavarura,
pas shumë betejave të përgjakshme, por synimet për pushtimin e territoreve të
popujve fqinj të tyre dhe tendencat për dominim mbi popujt tjerë nuk i ndërprenë
asnjëherë.
Popujve ballkanikë, të detyruar nga rrethanat historike të jetojnë në fqinjësi
me njëri-tjetrin, pas rënies së Perandorisë Osmane, siç duket nuk u mjaftoi liria dhe
mëvetësia e tyre, as hapësira e jetesës. Dy luftat ballkanike dhe dy luftat botërore,
përveç që u shkaktuan viktima të mëdha në njerëz dhe shkatërrime, këtyre shteteve
të vogla ballkanike nuk u sollën asgjë të re, të mirë e të domishme. Nga të gjithë
popujt tjerë ballkanikë, shqiptarët më së voni e fituan lirinë dhe pavarësinë e shtetit
të tyre kombëtar, edhe pse më gjatë dhe më shumë se gjithë të tjerët u përgjakën
nëpër beteja dhe kryengritje kundër sundimit pesëshekullor të Perandorisë Osmane,
e cila u qeveris gati sa nga turqit edhe nga vetë shqiptarët. Ky paradoks i botës
shqiptare nxiti më vonë hakmarrje të madhe nga popujt fqinj, pas rënies së kësaj
perandorie, duke u vërsulur të gjithë njëherësh dhe në të katër anët t’i copëtojnë dhe
ndajnë mes vete tokat shqiptare, si dhe ta pamundësojnë ruajtjen e shtetit të tyre të
pavarur, edhe ashtu të gjymtë e të cunguar, të cilin mezi e krijuan shqiptarët në më
pak se 1/3 e territoreve të veta etnike, siç kanë qenë para Marrëveshes së Shën
Stefanit dhe Kongresit të Berlinit, më 1878.

Moszgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare, me pasoja dje, sot e në të ardhmen
Sidoqoftë, as pas pavarësimit të Shqipërisë nuk u ndalën zullumet dhe
synimet armiqësore të shteteve fqinje, sidomos të Serbisë dhe Greqisë, në
pamundësi të zhbërjes së Shtetit Shqiptar, së paku ta mbajnë atë nën trysni dhe
izolim dhe përmes formave të ndryshme ta pengojnë ngritjen, zhvillimin dhe
përparimin e tij. Urrejtja e papërmbajtur dhe diskriminimi i hapur ndaj shqiptarëve,
terrori dhe gjenocidi i mëvonshëm i regjimeve shoviniste të shteteve nën të cilat
mbetën pjesët e territoreve shqiptare nën ish Jugosllavi dhe nën Greqi, për mbi
gjysmë shekulli gati sa nuk e shuan ëndrrën për liri, çlirimin dhe bashkimin e
shqiptarëve në një shtet të përbashkët, siç e projektuan arkitektët e mëdhenj të
Rilindjes Kombëtare.
Mbi gjysma e popullit shqiptar e mbetur nën regjimet e huaja, nën ish
Jugosllavi dhe nën Greqi, që nga viti 1913 deri më 1990, e përjetoi dhunën më të
tmerrshme, përndjekjet, vrasjet, torturat, burgosjet, shpërnguljet me dhunë, plaçkitjet
dhe akulturimin sistematik të shqiptarëve, pa u lënë as mundësinë më të vogël për
vetëmbrojtjen e qenies së tyre. Të lënë në këtë gjendje të mjerueshme dhe në
mëshirën e fatit, shqiptarët sikur iu nënshtruan në mënyrë të dhunshme një komploti

të madh ndërkombëtar për asimilimin dhe katandisjen e tyre nëpër botë, siç nuk
kishte ngjarë me asnjë populli tjetër gjatë historisë.
Një Evropë totalisht e heshtuar gjatë asaj kohe dhe një shtet i vogël shqiptar, i
dobët ekonomikisht dhe i izoluar ndërkombëtarisht, nuk jepte shpresë për shpëtimin
e shqiptarëve nga ky ferr edhe për një kohë të gjatë. Por, ëndrra për liri e çlirim
kombëtar dhe rezistenca ndaj regjimeve të huaja okupatore nuk u shua asnjëherë
ndër shqiptarët në trojet e veta etnike, sidomos mes inteligjencies përparimtare dhe
familjeve me tradita atdhetare, të cilat vazhdimisht e ngritën zërin e protestës para
opinionit ndërkombëtar të shurdhër deri vonë.
As përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe fillimi i proceseve demokratike në vendet
e ish bllokut socilaist, dhe sidomos shpërbërja e ish Federatës Jugosllave, sërish
shqiptarët nuk i gjeti të mobilizuar sa duhet, të fortë dhe të aftë për t’i realizuar
synimet e veta historike, për rikthimin e asaj që kishin humbur nga viti 1878, 1913,
1945 e deri më 1990.
Me shumë mund dhe sakrifica të disa gjeneratave, shqiptarët më në në fund
arritën përmes Luftës Çlirimtare dhe me ndihmën e pakursyer të SHBA, Gjermanisë
dhe disa shteteve të tjera aleate nga BE, ta çlirojnë Kosovën, por jo edhe pjesët tjera
të mbetura më herët nën ish Jugosllavi, tani nën Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi.
Kështu, ndër çështjet më të mëdha të pazgjidhura mbeti çështja e shqiptarëve në
Maqedoni, e cila si republikë ish jugosllave e shpalli pavarësinë e saj në rrethanat
më të paforshme për popullin shqiptar, në vitin 1991. Përpjekjet e vazhdueshme të
popullit shqiptar në Maqedoni vazhduan edhe më tej, por me shumë pak sukses, sa
për ta ruajtur identitetin, disa vlera të venitura të kulturës, gjuhën, arsimin në gjuhën
amtare dhe ato pak tradita kombëtare, të cilat ia kishte zbehut regjimi kominist
jugosllav deri në shpërfaqje.

Ndarja e fatit me të tjerët, në rrethana ballkanike të gjitha palët i ngulfat
Përkrah popullit sllav të Maqedonisë, i cili gjithashtu është përpjekur afër një
shekull për krijimin e identitetit të tij kombëtar të veçantë, përballë synimeve
pushtuese dhe asimiluese të shteteve fqinje, Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë, të cilat
ia mohonin atë, bashkë me historinë, kulturën, gjuhën dhe veçoritë tjera kombëtare e
fetare, edhe shqiptarët në Maqedoni do të futen padashje në këtë labirint, mes
lëmshit ballkanik të ngatërruar ndër shekuj, të mbetur në një shtet të përbashkët me
maqedonasit.
Nën ndikimet e interesave të jashtme dhe reaksionin e brendshëm në radhët
e të dy popujve, nuk u arrit të hapet asnjë perspektivë e re gjatë 27 vjet demokracie
as në shtetin e pavarur të Maqedonisë. Edhe lufta e armatosur e vitit 2001, mes
kryengritësve shqiptarë dhe pushtetit tepër diskriminues ndaj shqiptarëve, as
Marrëveshja e Ohrit e arritur pas ndërprerjes së këtij konflikti, edhe pse me garanci
ndërkombëtare, nuk i arriti objektivat e prituara dhe as doli e mjaftueshme për hapjen
e perspektivave të reja për shtetin e brishtë të Maqedonisë.
Në anën tjetër, pushteti i dobët i Shqipërisë, i kapur nga agjenturat e huaja,
bandat kriminele dhe mafia, si edhe pushteti i ri i Kosovës së sapoçliruar nga
okupimi serb, me plot halle e ngatërresa të bendshme të saj, nuk arritën sa duhet të
kujdesen dhe ndihmojnë në orientimin e lëvizjes politike për ngritjen dhe përparimin
e popullit shqiptar në Maqedoni, siç e kërkonin rrethanat e reja në të cilat kaluan
shqiptarët në Maqedoni gjatë tri dekadave të fundit.

Mes dëshirave dhe mundësive, mbetet vetëm durimi dhe shpresa
Mes dëshirave dhe mundësive, disa qarqe politike dhe intelektuale, brenda
dhe jashtë vendit, nuk kanë qenë në gjendje ta vlerësojnë drejtë situatën, rrethanat e
brendshme dhe ndërkombëtare, pozitën gjeopolitike dhe gjeostrategjike të vendit
dhe rajonit, me këtë edhe ta vlerësojnë e projektojnë drejtë se çka duhet të bëjnë
shqiptarët në Maqedoni dhe nga duhet të shkojnë, për sigurimin e të ardhemes së
tyre më të mirë, në liri, barazi dhe progres shoqëror, si çdo popull tjetër i qytetëruar
në botën e sotme.
Nën ndikimin e propagandës së shteteve fqinje, me synime të hapura ndaj
Maqedonisë, disa qarqe politike dhe intelektuale në Serbi vazhdimisht kanë
trumbetuar se Maqedonia, ose një pjesë e saj, pas shpërbërjes së ish federatës
jugosllave, duhej t’i takojë asaj, siç ka qenë dikur „Banovina e Vardarit“ apo banovina
e „Serbisë Jugore” nën ish Mbretërinë e Jugosllavisë; edhe disa qarqe politike dhe
intelektuale në Bullgari kanë përhapur vazhdimisht propagandë kundër Maqedonisë,
se ajo duhet të jetë shteti i dytë bullgar, më vonë duke propozuar që emri i ri i shtetit
të Maqedonisë për zgjidhjen e kontestit me Greqinë, duhej të ishte „Bullgaria
Jugperëndimore”; kurse Greqia në anën tjetër, në pamundësi për sigurimin e
përkrahjes për ndarjen e Maqedonisë mes shteteve fqinje, sipas planit Micotakis-
Millosheviq të vitit 1992, ngriti kontestin për emrin e shtetit të Maqedonisë, me
pretendime që së paku ta eliminojë nga skena politike dhe historike emrin Maqedoni,
me këtë duke e mohuar edhe ekzistencën e popullit me këtë emër, meqë në
territorin e shtetit të saj aktual ndodhet rajoni administrativ me po këtë emër, i ndarë
me Marrëveshjen e Bukureshtit të vitit 1913, si njëra nga tri pjesët e rajonit gjeografik
me emrin Maqedoni, të njohur nga lashtësia e hershme. Pala greke dhe as fqinjët
tjerë sllav-ortodoksë, asnjëherë nuk e kanë përmendur se emri i Maqedonisë më së
paku mund të lidhet me banorët e saj sllavë të ardhur pas shek.VII të erës së re, në
krahasim me shqiptarët autoktonë në Maqedoni.
Kështu, edhe disa qarqe politike dhe intelektuale shqiptare, duke mos i
vlerësuar siç duhet rrethanat historike dhe aktuale, kanë kërkuar gjatë kësaj
periudhe që Maqedonia të emërtohet si „Iliro-Maqedoni“, „Albano-Maqedoni“,
„Shqipëri Lindore“, ose të krijohet një shtet i pavarur shqiptar në pjesën perëndimore
të Maqedinisë me emrin „Republika e Iliridës“, nën një federatë ose konfederatë të
përbashkët me pjesën tjetër lindore të Maqedonisë të banuar me shumicë sllave,
duke pasur parasysh të kaluarën hirtorike, autoktoninë e shqiptarëve në këtë krahinë
të dikurshme ilire, si dhe numrin e shqiptarëve të cilët jetojnë në vazhdimësi historike
dhe gjeografike në trojet e veta etnike në Maqedoni. Ndër shqiptarët vazhdimisht ka
pasur edhe zëra për bashkim kombëtar të gjithë shqiptarëve të rajonit në një shtet të
përbashkët kombëtar, në Shqipërinë Etnike (të quajtur nga të tjerët Shqipëri e
Madhe), ku do të përfshiheshin edhe territoret ku aktualisht banojnë me shumicë
shqiptarët në Maqedoni. Ndërsa drejtuesit e politikës shqiptare në këtë shtet, për 27
vjet me radhë, asnjëherë nuk janë mbështetur në kërkesat e drejta dhe të ligjshme të
popullit shqiptar vendës, në drejtim të sigurimit të zgjidhjes së pranueshme, që edhe
shqiptarët të jenë popull shtetformues, si element konstituiv i shtetit të përbashkët
dhe plotësisht i barabartë sipas kushtetutës me popullin maqedonas.
Mes synimeve mbi Maqedoninë, emërtimin e saj eventual si „Bullgari
Jugperëndimore“, „Serbi Jugore“, apo „Shqipëri Lindore“, faktori ndërkombëtar krijoi
një mundësi të re për pajtim e të gjitha palëve, përmes Marrëveshjes së Prespës
(2018), mes Greqisë dhe Maqedonisë, kështu duke ia hapur këtij shteti rrugët e

integrimit në NATO dhe BE, përkatësisht përfshirjen në bashkësinë e shteteve të
Ballkanit Perëndimor, bashkë me Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë, Bosnje e
Hercegovinën dhe Kosovën.
Se kush dhe sa ka pasur të drejtë, kush sa është munduar për një zgjidhje të
drejtë në interes të barazisë së të gjithë popujve që jetojnë në këtë shtet, për hapjen
e prespektivave të reja evropiane dhe euroatlantike të këtij shteti dhe ardhmërinë e
qytetarëve të tij, sidomos për shqiptarët dhe maqedonasit si dy popujt shumicë, këtë
do ta dëshmojë e ardhmja jo e largët dhe historia.

Perspektiva evropiane dhe evroatlantike e Maqedonisë, pa alternativë tjetër
Pas shumë përpjekjeve të foktorit ndërkombëtar për gjetjen e një zgjidhje të
pranueshme, jo plotësisht të drejtë por me kompromise të detyrueshme për popullin
vendës dhe shtetet fqinje, më në fund u arrit marrëveshja mes Greqisë dhe
Maqedonisë për ndryshimin e emrit të Republikës ish jugosllave të Maqedonië në
Republika e Maqedonisë Veriore, me këtë edhe u hapën perspektiva të reja për
integrimin e këtij vendi në struktuar globale evropiane dhe euroatlantike, NATO dhe
BE, si mundësi e vetme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon, si dhe
për sigurimin e të ardhmes së këtij shteti, i cili pritet të krijojë shansin e ri për të gjithë
qytetarët e vendit, pa dallim të përkatësisë etnike, gjuhësore, fetare dhe çdo
përkatësie tjetër. Me këtë u kriju një shans i ri me mundësi të barabarta për të gjithë,
për tejkalimin e dallimeve, kacafytjeve dhe përplasjeve të derisotme, në betejën e
pakuptimtë për dominimin e një populli mbi të tjerët.
Rrugët janë të hapura dhe historinë e kemi përpara. Atë që do të mbjellim sot
për të ardhmen tonë, atë edhe do ta korrin gjenetarat e ardhëshme. Uroj të mos na
mallkojë historia dhe ata që do të lindin pas nesh, për atë që kemi mundur dhe nuk e
kemi bërë deri më sot!

Loading...