Në një shkrim që gazeta Le Monde, e datës 15 gusht, ia ka kushtuar debatit të fundit për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, zbulohen detaje të frikshme të asaj që mund të ketë vënë në lëvizje këtë ide të rrezikshme. Sipas gazetës, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, që ka qenë një partizan më i hershëm i kësaj zgjidhjeje, ka marrë një shkelje syri nga SHBA-ja.

“Pas një takimi me dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner, në fund të korrikut, Daçiq pohoi se “të gjitha kartat ishin mbi tavolinë” shkruan e përditshmja franceze e referencës, e cila e komenton kështu këtë fakt: “Për një kohë të gjatë kundër çdo lloj ndryshimi të kufirit, Uashingtoni, që e mbështet Kosovën që nga lufta e 1999-s, duket se e ka zbutur qëndrimin pas ardhjes së Donald Trumpit në pushtet. Kjo ka mbërritur deri në atë pikë sa shumë diplomatë evropianë dyshojnë se SHBA-ja mund të merret vesh për një zgjidhje me Rusinë, që ka qenë një mbështetëse historike e Serbisë”, komentohet në shkrimin që Lapsi.al e ka lexuar (Paragarafi në origjinal poshtë).

Pasi thekson, që në krye të artikullit, se kjo perspektivë i frikëson evropianët, gazeta citon edhe deklaratën e kancelares Merkel këtë të hënë, e cila tha: “Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit është i vendosur dhe i pandryshueshëm”.

Duke sqaruar se britanikët tashmë e kanë refuzuar këtë zgjidhje dhe se Franca po qëndron në heshtje gazeta citon një ekspert të Ballkanit, Pierre Mirel, ish-përgjegjës për gadishullin tonë në BE, i cili thotë: “Është një rrezik i madh për rajonin që mund të krijojë një përshkallëzim të kërkesave për shtete me kufij etnikë” në vende si Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnja.

Pikërisht për këtë, gazeta kujton se pas debatit të hapur nga Thaçi, presidenti i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, deklaroi se territori i tij duhet të ndahet nga pjesa tjetër e vendit. Jo pa qëllim Le Monde thekson se Milorad Dodik është një njeri i afërt i Putinit, po aq sa edhe i qarqeve «alt-right» të Amerikës, që kanë lidhje me ish-eminencën gri të Trump, Steven Bannon.

 

Loading...