Le Pen : Sulmi nuk u krye nga myslimanët por nga shërbimet amerikane dhe izraelite

Masakra në redaksinë e “Charlie Hebdo” mund të ketë qenë vepër e agjencive informative në bashkëpunim me autoritetet franceze. Akuzën e ngre lideri i partisë së ekstremit të djathtë, “Fronti Kombëtar”, Zhan-Mari lë Pen.

Në një intervistë të dhënë për një gazetë ruse, 86-vjeçari Lë Pen, në fakt thjesht mbështeti një teori konspirative që po qarkullon prej disa ditësh, sipas të cilës sulmi u krye në bashkëpunim nga shërbimet sekrete amerikane dhe izraelite për të armiqësuar perëndimin me islamin.

Sigurisht që komentet e tij kanë provokuar reagim të ashpër nga pjesa më e madhe e politikanëve francezë, si dhe të bijën e tij, Marin lë Pen, e cila ka marrë prej tre vitesh tashmë kryesimin e partisë dhe ka treguar se dëshiron të distancohet nga retorika e të atit. Babai i saj dha dorëheqjen nga kryesimi i partisë tre vjet më parë, por mbetet president i përjetshëm i saj.

Në intervistën e tij për të përditëshmen “Komsomolskaïa”, që e ka akuzuar edhe më parë SHBA-në për sulmet në Francë, Lë Pen thotë: “Operacioni në redaksinë e “Charlie Hebdo” ngjason me një operacion të shërbimeve sekrete por nuk kemi prova për këtë. Nuk mendoj se është kryer nga autoritetet franceze, por besoj se ato e kanë lejuar këtë krim. Por për momentin ky është vetëm një hamendësim”.

Për të përligjur komentet e tij, Lë Pen, theksoi faktin se një prej vëllezërve Kuashi, autorët e vrasjes së gazetarëve dhe karikaturistëve të mërkurën e kaluar, kishte lënë në makinën me të cilën ishin arratisur, kartën e identitetit. Ai e krahasoi këtë “fat të mrekullueshëm” me gjetjen e pasaportës së një prej atentatorëve të sulmeve të 11 shtatorit në kullat binjake në SHBA, edhe pse avioni i përplasur me to ishte shkrirë tërësisht.

Ndërsa miliona njerëzit që marshuan të dielën e kaluar në rrugët e Parisit në mbështetje të viktimave ai i quajti Çarli Çaplinë, jo “Charlie”, siç ishte edhe parrulla që ata mbanin në duar.

Loading...