Donald Lu, kërkoi arrestimin e Ilir Metës, kur ai ishte kryetar i parlamentit, gjë që u refuzua nga Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla. Kërkesa e ambasadorit amerikan në Tiranë u bë në 2016-n në Zyrën e Llallës, u zbulua kur në faqen e uebit të Kongresit amerikan u publikua një informacion i dërguar nga prokurori Llalla në lidhje me ndikimin e George Soros në Shqipëri.

Në faqen gjashtë të një raporti të gjate 18 faqesh Llalla shkruan se: “Në një mënyrë jodiplomatike dhe kundër normave të Konventës së Vjenës, Ambasadori Lu më ka sugjeruar se duhej të arrestoja kreun e Parlamentit, njëkohësisht kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta”.

Sipas kësaj letre të dërguar nga Llalla thuhet se, në vlerësimin e Donald Lu, kreu i parlamentit Meta ishte i korruptuar dhe po pengonte Reformën në Drejtësi.

“Arrestimi i tij, shkruan Llalla, – do të ndihmonte, sipas pikëpamjes së ambasadorit përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Por, Llalla thekson se një kërkesë e tillë, tërësisht e papërgjegjshme, e kishte detyruar atë të ndërpriste takimin, teksa i kishte shpjeguar ambasadorit amerikan se arrestimi i një personi, përfshi një zyrtar të lartë, bëhet vetëm mbi bazën e provave. Kur ishte në detyrë Llalla nuk e nxori emrin e politikanit qe Lu kërkoi te arrestohej, por deklaroi se i gjithë sulmi i ambasadës amerikane ndaj tij vinte si shkak i këtij refuzimi.

Kërkesa e Lu-së me gjasë ka ndodhur në korrik të 2016-ës, pasi Ilir Meta në një konferencë për shtyp përpara gazetareve iu përgjigj indirekt ambasadorit Lu.

“Ç’është kjo retorikë: Hajde takohemi, po ti s’do të takohemi se ke frikë se do të fus në burg. Nuk ka kompromis me burg. Kompromisi nis “Unë do shkoj në burg, jo ti nëse kam shkelur ligjin”. Le të hetohem deri në fund”, shprehej Meta në Korrik të 2016-s.

Ambasadori Lu dhe ish-kryeprokurori vijuan një përplasje publike, deri sa Adriatik Llallës i përfundoi mandati dhe u zëvendësua nga Arta Marku. Llalla u tërhoq nga vettingu, ndërsa ambasadori amerikan tha në atë kohë se kjo nuk e shmang hetimin ndaj tij.

Sipas Lu, kush ka frike nga vettingu, duhet të ketë frikë edhe nga hetimet e pashmangshme penale. Aktualisht llalla po hetohet nga prokuroria e Durrësit për korrupsion.

http://top-channel.tv/video/letra-drejtuar-kongresit-llalla-lu-me-ka-kerkuar-arrestimin-e-metes/

Loading...