“Përderisa po zgjatë teatri politik për shpalljen e “heronjve të rrejshëm të shekullit të ri në Maqedoni”, sipas një analize të publikuar rishtas nga BiEPAG (The Balkans in Europe Policy Advisory Group), një e treta e popullsisë së Maqedonisë jeton në varfëri të thellë. Edhe më shqetësues është fakti që kjo përqindje është më e lartë te popullata e re dhe te familjet me fëmijë, ndërsa kjo është edhe arsyeja kryesore për të cilën qindra mijëra qytetarë, veçmas shqiptarë, i braktisin vatrat e tyre për ta siguruar kafshatën e gojës”, reagojnë nga Lëvizja BESA.

Nga analiza e BiEPAG, shtojnë nga Lëvizja BESA, shihet se Maqedonia është me përqindje më të lartë të varfërisë në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit.

“Kjo edhe një herë e vërteton faktin se zgjatja e krizës në Maqedoni, kryesisht është për shkak te papërgjegjësisë politike të përfaqësuesve te deritanishëm politikë, gjë që e ka ndihmuar më së shumti varfërimin e njerëzve”, shtojnë nga Lëvizja BESA.

“Duke pasur në epiqendër interesin e qytetarit, Lëvizja BESA synon mbylljen e kësaj krize të stërzgjatur, që kështu të përfundojë edhe letargjia e përgjithshme dhe të hapet perspektiva zhvillimore për vendin. Ulja e tensionit politik do të ndikonte në reduktimin e përplasjeve dhe rritjen e stabilitetit, duke krijuar kështu ambient për bizneset, me çka hapet mundësia për vende pune, që janë shumë të nevojshme për vendin. Krijimi i vendeve të punës duhet të jetë një prioritet i lartë për të siguruar më shumë të ardhura për familjet e varfra. Që të arrihet kjo sigurisht duhet pasur parasysh edhe eliminimin e pabarazisë ekonomike, sepse ulja e varfërisë nuk mund të mbështetet vetëm në zhvillim, por ajo gjithashtu duhet të përfshijë edhe masa që synojnë një shpërndarje të drejtë dhe proporcionale të buxhetit të shtetit”, thuhet në kumtesën e Lëvizjes BESA.

Loading...