Lëvizje për reforma edhe në ISIS, ja me cilin fraksion rreshtohen shqiptarët

Teksa organizata terroriste e Shtetit Islamik në Siri dhe Irak (ISIS) po tenton t’i rikthejë territoret e humbura në Siri, ditëve të fundit ka ndodhur një tentim grusht-shteti ndaj regjimit të Kalifit Abu Bakr al-Baghdadi.

Siç raporton Observatori i të Drejtave të Njeriut në Siri (SOHR), luftime brenda Shtetit Islamik kanë ndodhur ditëve të fundit, në zonën e quajtur Teda Al-Kala, e cila ndodhet mes qyteteve Al-Sha’afa dhe Hajin.

Grusht-shteti në ISIS është tentuar nga 50 anëtarë të kësaj organizate terroriste – shumica prej tyre me origjinë tuniziane – të cilët kanë filluar të kundërshtojnë organizatën pasi pretendojnë se Kalifi al-Baghdadi dhe udhëheqësit e tjerë janë të pafe.

Si pasojë e një kundërpërgjigje ushtarake të regjimit të Kalifit al-Baghdadi, gjashtë anëtarë të këtij fraksioni brenda ISIS-it janë vrarë.

Këtë tentim-grushteti dhe atentati ndaj Kalifit al-Baghdadi, e ka konfirmuar edhe një burim i Insajderit brenda organeve të sigurisë së Kosovës. Sipas burimit, është rikonfirmuar se në Shtetin Islamik ka pasur një tentim grushtshteti nga një grup brenda organizatës, i cili ka marrë nën kontroll disa vende në lindje të qytetit Dayr al-Zour.

“Ky grup përbëhet nga 50-100 tunizianë, të cilet po e akuzojnë Shtetin Islamik se nuk është mjaft radikal dhe se Shteti Islamik dhe liderët janë të pafe. Nderkohë vet Shteti Islamik po i akuzon ata per Hawarij dhe rebelim kundër Kalifatit dhe ka filluar ta shtyp këtë grup dhe të dergoj forca në vendet e kapura nga grupi”, ka thënë burimi, raporton Insajderi.

Megjithatë, sipas këtij burimi, shqiptarët që janë pjesë e Shtetit Islamik i kanë qëndruar besnik al-Baghdadit dhe regjimit të tij.

“Shqiptarët jane kombi ma besnik i Al-Baghdadit”, ka thënë i njëjti burim. “Këtu bëhet fjalë për tunizianë, që nuk është hera e parë që tunizianë më radikal sesa vet ISIS-i po mundohen ta rrëzojnë Al-Baghdadin”.

Grupi që tentoi grusht-shtet ndaj al-Baghdadit quhet “Hazimi” dhe këtë emërtim e kanë marrë nga një hoxhë tekfirist, i cili në Arabinë Saudite është i burgosur.

“2-3 shqiptarë të kësaj rryme dyshohet se janë ekzekutuar në vitet 2015-2016 nga shqiptarët komandues në Shtetin Islamik për shkak te ‘ekstremizmit’”, ka thënë burimi i Insajderit brenda organeve të sigurisë së Kosovës.

Ai, po ashtu ka thënë se kjo rrymë ka deportuar edhe në vendet shqipfolëse. Një përkrahës i kësaj rryme është shqiptari Ridvan Memishi. Madje, Memishi në Facebook po e feston tentimin për grushtshtet dhe po lutet për anëtarët e këtij fraksioni të ISIS-it.


Postimi i Ridvan Memishit në Facebook të martën

Mbi 300 kosovarë i ishin bashkuar Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, në themelimin e organizatës më 2014, ndërkaq afër 80 prej tyre dyshohet se janë vrarë gjatë luftimeve në territoret e Sirisë dhe Irakut.

Momentalisht, raportohet se mbi 100 kosovarë të tjerë janë ende pjesë e ISIS-it.

Në gusht të vitit të kaluar, në territorin e ISIS-it ishte vrarë udhëheqësi i luftëtarëve shqiptarë të organizatës, Lavdrim Muhaxheri, i cili në vitet e fundit kishte qenë njëri prej eksponentëve të njohur të të Shtetit Islamik.

Ai ka vite që ka qenë në vijat e frontit, bashkë me pjesëtarë të tjerë të këtij grupi terrorist.

I njohur si “Kasapi i Ballkanit”, ai kishte bërë thirrje disa herë përmes rrjeteve sociale ndaj të rinjve që të bashkohen me ISIS në Siri dhe të luftojnë atje. /Insajderi.com

Loading...