Libra të mbështjellë në letra, në “Bar Hemingway”

Në shoqërinë e muzikës jazz, rumit – pijes së preferuar të shkrimtarëve dhe librave që kishin marrë edhe formën e bredhit të festave, të pranishmit dhuruan dhe folën për librat.

Libra të mbështjellë në letra dhuratash dhe kartolina të shkruara me dorë. Ishte kjo nisma që “Bar Hemingway” në Tiranë ndërmori para pak ditësh për ata që i duan librat, aq sa për t’i dhuruar …

Leximi na sjell miq të panjohur… Kjo shprehje e shkrimtarit të madh Honore de Balzac dukej sikur merrte jetë në kuptimin e saj të fjalëpërfjalshëm mbrëmjen e së martës në “Bar Hemingway”, ku njerëz të ndryshëm iu përgjigjën thirrjes së organizatorëve të nismës “Nëse dhuron një libër, dhuron një udhëtim”. Libra të mbështjellë në letra dhuratash dhe kartolina urimi për festat të shkruara me dorë shkëmbeheshin mes miqsh, por edhe mes të panjohurish.

Një rikthim i kohës kur komunikohej, nuk klikohej, kur hapeshin letra, jo njoftime, kur pëlqeheshe me shikim, jo me like. Disa emocione për t’u shndërruar në zakone, për të cilat duhet luftuar për të mos u zhdukur.

Në shoqërinë e muzikës jazz, rumit – pijes së preferuar të shkrimtarëve dhe librave që kishin marrë edhe formën e bredhit të festave, të pranishmit dhuruan dhe folën për librat.

“Një fole libri dhe pasioni për të bukurën, ku ruhen me xhelozi edhe këto emocione të vërteta, ku takon njerëz të rinj, që edhe nëse nuk flasin të njëjtën gjuhë, qëndrojnë në të njëjtën valë melodie e poezie, duke i dhënë vetes mundësinë të njihen dhe të komunikojnë sikur edhe për disa çaste, ndoshta dhe pa fjalë, e të dalin nga realiteti sa i rëndë po aq dhe virtual i ditëve tona.

“Jemi në prag festash, dhe të ndash emocione me dikë është ‘thjesht njerëzore”- shkruan Rudi, i zoti i këtij bari, që shpesh është strehë për eventet letrare. Rrugëtimin në kohë e vise të panjohura, më mirë se një libër, nuk di ta bëjë asnjë tjetër. Ndaj edhe gjërat e bukura janë bërë për t’u ndarë.

Loading...