Kulturë

Librat e muzikës përjashtojnë kulturën shqiptare

librat-e-muzikes-perjashtojne-ku

Librat e muzikës të përkthyera në shqip janë të komplikuara, të shëmtuara dhe të degraduara, ngit zërin edhe një herë Lidhja e Pedagogëve Shqiptarë të Artit Muzikor.

Nga kjo organizatë i apelojnë Qeverisë që sa më parë të nisë procedurën për botimin e librave të ri.

Sipas kryetarit, Adem Ymeri është turp që tekstet janë kryekëput me autorë dhe vepra maqedonase, pa asnjë shqiptar, ndërsa edhe këngët e përkthyera në shqip nuk u përshtaten notave në pentagram. Ymeri thotë se prej vitesh nxënësve shqiptarë u imponohet të mësojnë këngë të përkthyera nga gjuha maqedonase, si dhe për kompozitorë dhe interpretues të huaj por jo edhe shqiptarë.

Të gjithë e dimë se ato libra që janë të përkthyera janë shkruajtur enkas për palën tjetër, për palën maqedonase që është shumë normale dhe për to, ato libra vlejnë. Teknikisht se sa vlejnë ato, ka komisione të cilat profesionalisht do t’i vlerësojnë, ose notojnë. Kurse te ne veçanërisht kur janë në pyetje këndimi, këngët, ska qenë asnjë këngë shqiptare përveç një kënge popullore që e kanë vendosur formalisht. Kështu që nuk ekziston as metrika, as ritmika, nuk ekziston as përputhje në ritëm dhe këngë- tha Adem Ymeri, Lidhja e Pedagogëve Shqiptarë të Artit Muzikor.

Nënkryetari i Lidhjes së Pedagogëve Shqiptarë të Artit Muzikor, Florim Zulfiu thotë se tekstet e tilla shkollore janë një diskriminim kulturor dhe se për to nuk janë konsultuar ekspertët.

Përpjekjet i kemi bërë aq sa kemi pasur mundësi dhe shpresoj se do të marrim frymë ndryshe nëse merret parasysh cilësia e kuadrit dhe cilësia e arsimtarëve dhe mësimdhënësve që janë drejtpërdrejtë me nxënësit që ato libra të bëhen me lejen tonë, jo dikush të vije nga anash t’i përktheje. Do ta shihni edhe vetë, në tekste përbrenda nuk ka askund kuptim terminologjia muzikore në ato tekste. Kanë bërë gabime fatale që një mësimdhënës i muzikës e ka problem ta kuptojë e ku më nxënësi apo prindi dhe më gjerë- tha Florim Zulfiu, Lidhja e Pedagogëve Shqiptarë të Artit Muzikor.

Nga Lidhja e Pedagogëve Shqiptarë të Artit Muzikor thonë se që nga viti 2008 e këndej, me aplikimin e nëntëvjeçares, librat e lëndës së Muzikës kryekëput përkthehen nga autorët maqedonas. Nga Ministria e Arsimit edhe përskaj premtimeve deri më tani nuk kanë ndërmarrë asgjë, jo vetëm për Librat e Artit Muzikor por edhe për tekstet tjera me gabime dhe përmbajtje fyese si në lëndën e historisë, gjeografisë, kulturës e të tjera.

Anesa Salihu

blank
To Top