Limaj përkrahë veprimet e deputetit të partisë së tij, Haxhi Shala

Kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, i ka dalë në krah deputetit nga radhët e partisë së tij, Haxhi Shala, i cili u arrestua nga Policia e Kosovës pak pasi që hodhi gaz lotsjellës në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës.

“Veprimi i Gjeneralit Haxhi Shala sot, ishte veprim i opozitës tash 3 muaj, ai sot veproi edhe në shenje proteste kundër burgosjes së kolegëve tanë, ishte revoltë kundër regjimit policor në të cilin po jetojmë”, ka thënë Limaj, transmeton Koha.net. “Regjim i cili po shtyp zërin opozitar, po përgjakë qytetarë, po thyen shtëpi të deputetëve. Ky regjim policor po pushton zyra e seli të partive opozitare”, ka shtuar më tej ai.

Limaj ka thënë se vepra e Shalës sot tregon këmbëngulësinë e opozitës për të kundërshtuar këtë regjim, për të kundërshtuar marrëveshjet në dëm të vendit, për të treguar se zërin opozitar nuk mund ta ndalin edhe nëse e burgosin politikisht e padrejtësisht të gjithëve.

“Ne tash e më tepër se 10 vjet jemi duke u burgosur, asnjëherë s’na kanë thyer e as nuk do te na thyejnë”, ka thënë Limaj.

Loading...