Rrugët e paasfaltuara po shkaktojnë probleme për banorët e fshatit Llopat të Kumanovës. Ata ankohen se rruga është e pakalueshme gjatë reshjeve atmosferike, kurse gjatë thatësirave mbeten gropat dhe pluhuri ngritet në qiell. Sipas kryetarit të fshatit kjo rrugë u prish edhe më shumë, kur në dhjetor u vendos rrjeti i kanalizimit. Bejtulla Tefiku, thotë se të mirës që u rehatuan nga ujërat e zeza iu shtua një e keqe që rrugën nuk iu rregulluan, të paktën siç ka qenë.

“Kjo rrugë ka qenë e shtruar me asfalt të gërryer, asfalt i dorës së dytë, kanë qenë pas shtruar rreth 13 kamionë. Pas përfundimit të punës, kompania nuk hedhin as zhavor. Tani dimrit kishim shumë vështirësi sepse nuk kalohej rruga, as fëmijët nuk mund të shkonin në shkollë. Jam takuar me drejtorin e firmës, ai thotë se nuk është paraparë në projekt që rruga të shtrohet me tampon”, tha Bejtulla Tefiku, kryetar i Bashkësisë lokale Llopat.

Njëri nga mbi 200 banorët e kësaj rruge thotë se kompania “Zhiko” nga Strumica ka lënë rrugën në gjendje shumë më të keqe që ka gjetur, para se të fillojë punimet për vendimin e kanalizimit.

Përpjekjet e banorëve për të sanuar rrugën thotë se kanë qenë të kota, ndërsa si pasojë kanë vështirësi të kalojnë në këtë rrugë, sidomos kur ka reshje të shiut.

“Në muajin nëntor u vendos kanalizimi në një gjatësi prej rreth 700 metra. Pas kësaj, u bë baltë nga moti i dimrit. Shumicën e kohës rruga është e pakalueshme. Ne u munduam sado pak ta mbulojmë baltën, por nuk patëm sukses. Kompania që kreu punimet, është dashur që të kthejë rrugën në gjendje të mëparshme”, tha Vasko Stankovski, Banorë i fshatit Llopat.

Ky fshat numëron një popullsi prej 2.500 banorëve, ndërsa rruga në fjalë është ndër dy rrugët më të mëdha të fshatit. Banorët thonë se çështjen e kanë ngritur edhe në komunë nga ku po presin përgjigje dhe zgjidhje të problemit.

Nga Komuna e Kumanovës thonë se nuk kanë të paraparë në buxhetin e këtij vitit që të asfaltojnë rrugë në fshatin Llopat, apo as edhe në fshatrat tjera, për shkak të shumës së lartë të borxheve të trashëguara.

Loading...