AugustinPalokaj

Augustin Palokaj

Qeveria e Serbisë në njërën anë me ndihmën e Rusisë bllokon Rezolutën në OKB rreth Srebrenicës dhe refuzon të pranojë se masakrimi i më shumë se 8.000 meshkujve në Srebrenicë ishte gjenocid, e në anën tjetër kryeministri merr pjesë në komemoracionin e 20-vjetorit të kësaj masakre. Sulmi ndaj kryeministrit të Serbisë është diçka e mirë që i ka ndodhur propagandës serbe, e cila tash përsëri paraqet serbët si viktima.

Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara edhe njëzet vjet pas masakrës së Srebrenicës dëshmoi se është e tepërt të pritet nga kjo organizatë që të marrë vendime, të cilat do t’i quajnë me emrin e duhur zhvillimet në ish-Jugosllavi.

Sikur që OKB-ja, në atë kohë e përfaqësuar në territorin e ish-Jugosllavisë nga i dërguari i saj i posaçëm, Yasushi Akashi, dështoi të parandalonte gjenocidin në Srebrenicë, duke mos i bërë thirrje NATO-s të ndërhynte, edhe pse kishte një mundësi të tillë, ashtu tash OKB-ja nuk arrin të miratojë një Rezolutë me të cilën ky krim do të quhej me emrin e duhur: gjenocid.

Të rikujtojmë se Srebrenica ishte shpallur si një “zonë e mbrojtur” pikërisht me vendimin e OKB-së dhe ajo ishte nën mbrojtjen e trupave nën komandën e kësaj organizate. Por kur forcat serbe të udhëhequra nga Ratko Mladiq hynë në atë “zonë të sigurt”, me çka shkelën Rezolutën e OKB-së, kurrfarë mbrojtjeje nuk pati për civilët boshnjakë. Ata u masakruan vetëm pse ishin të pambrojtur, pse ishin të një etnie dhe feje tjetër. OKB-ja, edhe pse vetë e kishte shpallur si “zonë të mbrojtur”, nuk bëri asgjë t’i mbronte.

Kështu OKB-ja u bë bashkëpërgjegjëse për gjenocid në korrik të vitit 1995. Kosova duhet të jetë e lumtur se pati fatin historik që demokracitë perëndimore vendosën të mos bëhen më pengje të OKB-së dhe intervenuan në Kosovë pa një vendim të prerë të Kombeve të Bashkuara. Të vetëdijshme se Rusia mund të vërë veto ndaj ndërhyrjes në Kosovë, dhe të vetëdijshëm se regjimi i Milosheviqit do të bëjë në Kosovë krime edhe më të tmerrshme se në Bosnjë e Hercegovinë, NATO-ja ndërhyri.

Pikërisht në shënimin e 20-vjetorit të Srebrenicës, presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton, përmendi ndërhyrjen në Kosovë dhe atë në Bosnjë e Hercegovinë si “veprat më të rëndësishme në karrierë”.
Rusia edhe 20 vjet më vonë pengoi Këshillin e Sigurimit që të miratonte Rezolutën për Srebrenicën. Serbia, përmes presidentit të saj, Tomislav Nikoliq, dhe ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiq, kërkoi nga Moska të përdorë veton. Rusia këtë e bëri dhe presidenti i Serbisë, Nikoliq, mos miratimin e saj e quajti si një “ngjarje të madhe për Serbinë”.

Kjo sjellje e Serbisë tregon se atje ka ndryshuar gjuha dhe sjellja e disa politikanëve, por është larg nga gatishmëria që të pranojë përgjegjësinë për tmerret nga e kaluara. Serbia, në kohën kur dëshiron integrim në BE punon me Rusinë në OKB, nuk mbështet sanksionet e BE-së ndaj Rusisë dhe mbështet qëndrimet e Moskës në OKB. Në anën tjetër Parlamenti Evropian miratoi Rezolutën për Srebrenicën, me të cilën e quan këtë krim si “gjenocid” dhe kërkon që të mos ketë përpjekje për të relativizuar peshën e këtij krimi.
Sjellja e Rusisë dhe e Serbisë është e papërgjegjshme. Por ndoshta është e tepërt të kërkohet përgjegjësi nga këto dy shtete, të cilat vazhdojnë ta interpretojnë drejtësinë ndërkombëtare sipas nevojave të veta politike.

Pikërisht dy gjykata nën ombrellën e OKB-së, ajo për krime të luftës në Hagë, dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, po kështu në Hagë, kanë konstatuar se në Srebrenicë është bërë gjenocid. Por kjo nuk mjafton për Serbinë dhe Rusinë të njohin një fakt të tillë.
Në anën tjetër Serbia luan dhe rolin e krijuesit të paqes dhe pajtimit në rajon. Rolin kryesor këtu e ka kryeministri Aleksandar Vuçiq, njëri ndër radikalët më të mëdhenj serbë në kohën e gjenocidit në Srebrenicë.

Ai publikisht është distancuar nga deklaratat e tij nga e kaluara, përfshirë edhe atë ultimatumin bashkësisë ndërkombëtare së në rast bombardimi “për 1 serb do të vrasim 100 myslimanë”. Vuçiq, për të dëshmuar se vendi i tij dëshiron të shtrijë dorën e pajtimit, pranoi të shkonte në Srebrenicë në 20-vjetorin e gjenocidit. Dhe bashkësia ndërkombëtare, nga ish-presidenti amerikan, Clinton, e deri te kryetari i Komisionit Evropian, Juncker, i brohoriti duke e quajtur shkuarjen e tij si “hap të guximshëm”.

Padyshim Serbia luan lojë të dyfishtë edhe me Srebrenicën, në njërën anë bën çmos që të mohojë gjenocidin e në anën tjetër kryeministri i saj shkon në komemoracion.
Dhe Vuçiq u sulmua nga një grup i personave të papërgjegjshëm, të cilët me këtë sulm më shumë njollosën viktimat e Srebrenicës sesa Serbinë. Në fakt sulmi ndaj kryeministrit të Serbisë është diçka më e mirë që i ka ndodhur propagandës serbe, e cila tash përsëri paraqet serbët si viktima.

Se sa dëm i kanë bërë Srebrenicës ata që sulmuan kryeministrin Vuçiq, dëshmon edhe mënyra se si mediet e mëdha botërore ndoqën këtë ngjarje. Deri atëherë raportonin për viktimat, për djemtë 13-vjeçar të vrarë mizorisht, për faktin se më shumë se 1.000 viktima ende nuk janë identifikuar as 20 vjet pas gjenocidit, për nënat që vajtojnë bijtë dhe burrat e tyre, për mëkatin që ka në ndërgjegjen e vet Evropa për këtë gjenocid.

Dhe përnjëherë kryelajm në BBC, CNN, Euronews dhe medie tjera bëhet Vuçiq, i cili lëvdohet për guximin që kishte të shkonte në Srebrenicë, vajtohet për rrezikun që iu kanos, për gurët që u hodhën mbi të, për syzet që iu thyen.
Si zakonisht nga Serbia erdhi reagimi patetik se ky ishte një “tentim vrasje” e kryeministrit, se ishte e organizuar nga “shërbimet boshnjake” etj.

Kushdo që ta ketë bërë këtë nuk u ka bërë nder viktimave të Srebrenicës, por vetëm i ka bërë shërbim propagandës serbe, e cila ka për qëllim që, nëse nuk është e mundur t’i paraqesë serbët si viktimë kryesore, atëherë së paku t’i paraqesë të gjithë si fajtorë të barabartë për atë që ndodhi në territorin e ish-Jugosllavisë. Se sa jorealë janë serbët në këtë drejtim dëshmon edhe mënyra se si ata, përfshirë edhe kryeministrin Vuçiq, mendojnë se në incidentet në ndeshjen e Serbisë kundër Shqipërisë në futboll në Beograd “serbët ishin viktimë” dhe se Gjykata e cila vendosi në favor të Shqipërisë ka bërë një “padrejtësi botërore” dhe se “fajtorët u shpërblyen, ndërsa viktima e dënua”.

Edhe pse kanë kaluar 20 vjet nga masakra e Srebrenicës, edhe pse ka shenja se Serbia gradualisht dëshiron pajtim dhe të përballet me të kaluarën, është shumë larg koha kur ajo do të pranojë që gjërat të quhen me emrin e duhur dhe si gjenocid edhe ata ta pranojnë masakrën e Srebrenicës./koha

Loading...