Sport
02/12/2015 17:47:28

Lojtari shqiptar që nga mbret i golave ka përfunduar në tribunë

loj

Shkëlzen Gashi po kalon një periudhë të errët në karrierën e tij tek Baseli. “Këpuca e Artë” e Superligës së Zvicrës në futboll, në dy sezonet e kaluara, tashmë ka përfunduar në tribunë pasi trajneri i ri nuk po i jep hapësira për të luajtur.

Mediat helvete shprehen të çuditura nga ky “transformim” i situatës së mesfushorit kuqezi, duke ushtruar madje presion te trajneri i kampionëve. Sidoqoftë, Urs Fischer, që zuri vendin e portugezit Paulo Souza, nuk e ka parë të udhës të ndryshojë sjellje, duke u justifikuar me faktin se skuadra po kalon nga fitorja në fitore, ndaj zgjedhjet e tij janë të drejta e të suksesshme.

Analistë sportivë në këtë vend i kanë bërë thirrje Gashit që të largohet nga Bazeli, nëse do të shpëtojë karrierën. Po kështu, presioni është i madh edhe nga De Biazi, sepse në finalet e “Euro 2016” do lojtarë që luajnë rregullisht me klubet e tyre.

“20minuten.ch”, nën titullin “Gashi, nga mbreti i golashënuesve që përfundoi në tribunë”, shkruante dje: “Lojtari shqiptar, Shkëlzen Gashi, nuk luan rol më te Bazeli, edhe pse një vit më parë shënonte gola spektakolarë dhe jepte fitore”.

Në sezonin 2014-2015 ishte mbreti i golashënuesve, ndërsa në sezonin e ri, nga 29 ndeshje, 27-vjeçari ka luajtur vetëm në 18 të tilla (1122 minuta), ka shënuar 6 gola, prej të cilëve tre i realizoi me amatorët e Muttenz.

To Top