Lot, dhimbje e krenari në Kosharen e lavdisë

Qerime Shala çdo 9 prill merr rrugën nga Shala e Bajgorës për në fshatin Koshare. Në këtë skaj të largët të Kosovës, i cili hyri në histori prillin e vitit 1999, iu vra i biri, Sylejman Shala.

Ai së bashku edhe me 108 bashkëluftëtarë të Brigadës 138, që mban emrin e komandantit-heroit të kombit Agim Ramadani, u vra në Betejën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në të cilën përfundimisht u heq guri që ndante shqiptarët e këndej dhe andej kufirit.

Sylejman Shala, në atë kohë 29 vjeçar braktisi punën dhe jetën luksoze në Gjermani duke iu përgjigjur kushtrimit për lirinë e atdheut.

Ky veprim i të birit e bën të fortë 83 vjeçaren e cila thotë se është shumë krenare që pati një djalë t’ia fal atdheut.

Dhimbjen që ka për humbjen e djalit në moshën më të mirë ia lehtëson fakti se gjaku i tij dhe i dëshmorëve u shpërblye me liri.

“Krenare jam që më ka shku djali. Nuk po mërzitem hiç”, thotë ajo, ndonëse fytyra e saj nuk mund ta fsheh dhimbjen që ka për të birin.

Babai i Sylejmanit, Ademi tregon se para luftës tre djemtë i shkuan jashtë në Gjermani por ishte Sylejmani ai që u kthye në Kosovë dhe më 11 prill ra heroikisht pasi bashkë me ushtarët tjerë hoqën gurin e kufirit.

Por Adem Shala shpreh pakënaqësi ndaj institucioneve të Kosovës që sipas tij kanë bërë shumë pak për familjet e dëshmorëve.

Ai tregon se ia kan hequr edhe pensionin si baba i dëshmorit.

“Ky nuk ka nejt fort rehat. Ka punuar në postë në Shtutgart, pastaj erdh këtu në luftë. Në 98-ën u plagos. Në 99-ën me 11 prill, 15 në 12 e ka shkelur gurin shqiptaro-shqiptar, ndërsa në 15 e 15 u vra. Dhe sot e asaj dite shkoi. Nuk më dhimbset që më ka shku djali, por diçka vlerë nuk po kanë. Si të shkon rinia çka me pritë? Bone me mend edhe pensionin si babë i dëshmorit ma kanë hjek, çfarë shteti është ky”, thotë babai i dëshmorit.

Në Koshare ka udhëtuar edhe Hamide Ivaja. Ajo mezi pret këtë ditë për ta vizituar varrin e djalit të saj Ali Ivaja.

Aliu i lindur në vitin 1968 ka rënë dëshmor në Betejën e Koshares edhe pse e ëma kishte menduar se djalin e kishte në punë, e jo në luftë.

“Jemi kanë nëpër katunde. Masanej kemi dëgju, vonë. Kur ka dalë ka shku për qef, edhe ka dalë. Kur ka ardhë këtej, vonë kemi dëgju. Mua nuk më kallëzonin. Kanë dëgju çikat, kanë dëgju krejt për djalin e mua nuk më kanë treguar. Më thirri: ‘Oj nanë, oj nanë ku je? Thash ‘qe djali jem’; E veta ‘A je tu punu?. Tha ‘Po more tuj punu’, edhe ish ardhë këtej e nuk e kam ditë”, tregon Hamide Ivaja bisedën e fundit që kishte me të birin.

E në mesin e atyre që kujtojnë familjarët e rënë janë edhe gjeneratat e reja, që në kohë lufte ishin fare të vegjël.

Kështu për të nderuar kujtimin për xhaxhain e vet, sot kishte ardhur në Koshare edhe nipi i dëshmorit Harun Beka nga Gushavci i Mitrovicës.

Nazmi Beka, rrëfen se edhe si i vogël kishte ditur se çka është lufta, për t’u prekur nga afër me pasojën e saj, rënien e axhës së vet.

“Ka qenë një dhimbje e madhe, por ka qenë edhe krenari ngase ai prej një moshe shumë të mirë krejt veprimtarinë e vet ia ka kushtuar dëbimit të okupatorit serb. Qysh në moshë shumë të hershme, qysh si nxënës i shkollës fillore, ai nuk është pajtuar që në klasën e tij të ketë nxënës të komunitetit serb”, tregoi ai.

Beka tregon se për rënien e axhës së vet kishin marrë vesh vetëm pas përfundimit të luftës.

Ndërsa vëllai i dëshmorit Xhemajl Fetahaj, Brahimi, cili kishte ardhur si çdo vit tjetër për të kujtuar dëshmorët e Betejës së Koshares, gjegjësisht për të nderuar kujtimin për vëllanë e rënë në luftën për liri, thotë se qysh në fillim ishin përgatitur edhe në rast se ndodhte ajo që ndodhi.

Porse sipas tij, fakti se të rënët luftuan pa asnjë çmim është ajo që e bënë madhështor flijimin e tyre për liri.

“Si të marrësh pjesë në luftë duhet edhe ta dish se edhe ki me ra në luftë. Dhe na familja kemi qenë të përgatitur që ta mirëpresim edhe atë lajm”, tha Brahim Fetahaj.

Beteja e Koshares, është një nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku për herë të parë luftëtarët e UÇK-së u ndeshën në një luftë frontale në kufirin shqiptaro-shqiptar, kundër forcave të armikut.

Thyerja e kufirit Shqipëri-Kosovë, u arrit si rezultat i luftës për liri, ndërsa ishte pikërisht Beteja e Koshares ajo që e çoi në fazën përfundimtare çlirimin. Betejë kjo që kishte mbledhur shumë trima, nga të gjitha trojet shqiptare për të dhënë vulën e çlirimit. Në këtë betejë kanë rënë dëshmorë nga të gjitha vendet e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë por edhe të shteteve evropiane si Italia, Spanja, Franca e vende të tjera. /kp/Telegrafi/

Loading...