LR PDSH-ja nëpërmjet një kumtese thotë se që nga fillimi e ka përkrahur në të gjitha format dhe mënyrat Prokurorinë Speciale Publike (PSP) si institucion i pavarur gjyqësor i krijuar nga konsensusi politik.
“PSP ishte e vetmja shpresë për instalimin e drejtësisë në vend duke filluar me procesimin e lëndëve që dolën nga publikimi i përgjimeve të paligjshme si dhe ndjekjen e personave (politikanëve) të implikuar në krim të organizuar, falsifikim zgjedhor, korrupsion dhe në procese të montuara gjyqësore”, thonë nga LR-PDSH.

Në konferencën e djeshme për shtyp të PSP, dy ditë para përfundimit të mandatit të saj informoi opinionin publik për ngritjen e 17 aktakuzave për 18 lëndë përfshirë 94 persona fizik dhe 7 Juridik, ku në mesin e tyre edhe politikan dhe lider partie.

“Megjithatë LR PDSH vlerëson se sot krahas këtyre aktakuzave të publikuara, duhej të ishin edhe aktakuzat për rastin Monstra dhe Lagjja e Trimave, për të cilat po ashtu kemi dhënë kontribut të vazhdueshëm duke e bërë këto raste pjesë e Deklaratës së përbashkët të partive politike shqiptare, duke e inkorporuar në programin qeveritare si dhe duke treguar gatishmëri të plotë në mbështetje të ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve si dhe vazhdimin e mandatit të PSP. LR PDSH vlerëson se PSP edhe Prokuroria Publike që pritet të reformohet dhe të pavarësohet nga politika, sa më parë dhe me urgjencë duhet t’i zbardhin rastet e Monstrës, të Lagjes së Trimave, Rastin e Sopotit, atë të vrasjes së Harun Aliut, Brodecit, etj, nga se ne dyshojmë në fajësinë e të burgosurve për rastet e lartpërmendura dhe si raste i kemi vlerësuar dhe kategorizuar vazhdimisht si procese të montuara politike. Vetëm në këtë mënyrë shqiptarët mund t’ju besojnë prokurorisë dhe Gjykatave jo të politizuara”, thuhet në kumtesën e LR-PDSH.

Loading...