Lura, aty ku myslimanë dhe të krishterë kremtojnë bashkë festat fetare

Në Lurën e 12 liqeneve; jetojnë në harmoni të plotë komunitet fetare mes njëra-tjetrës. Në ritualet e myslimanëve si falja e Kurban  Bajramit marrin pjesë të krishterë sikundër në meshat katolike janë pjesëmarrës edhe myslimanët. Një shembull i rrallë për modelin e të cilit kanë nevojë vendet e tjera në një kohë kur krimet dhe aktet terrosite ndodhin në emër të fesë.

Udhëtimi drejt Lurës është i vështirë.Rruga e amortizuar lënë prej vitesh në harresë, nuk te lejon të shijosh panoramën mes maleve duke të detyruar të lëvizësh me kujdes dhe makina të larta.

Nga Tirana, duhet rreth 4 orë për të prekur një nga zonat më  të bukura në vendin tonë.

Investimet kanë munguar, vetëm në mënyrë sporadike ata që e njohin mirë zonën janë rikthyer për të bërë investimet e tyre.

Vlerat natyrore, bimësia janë dëtmuar por pasurinë e religjionit përmes harmonisë fetare nuk e ka zhbërë njeri.

Në këtë park kombëtar prej 1300 ha, rrethuar nga malet me lartësi 1700-2000m, janë rreth 300 shtëpi, disa fshatra.

Familje të cilat kanë vendosur të mos braktisin shtëpitë e tyre pavarësisht izolimit që të shkakton mungesa e rrugës.

Pak e dinë që Lura përveç kësaj panorame natyrore, mbart edhe vlera fetare.

Lura është shembulli i një vendi si Shqipëria dhe jo vetëm, ku komuniteti përmes besimit jeton i paqtë duke respektuar ritualet e secilit dhe festat e secilit.

Në xhaminën e fshatit ku kryhet rituali i familjes së myslimanëve që përbën edhe shumicën e besimit në këtë zonë, katolikë dhe drejtues të këtij komuniteti marrin pjesë në lutje, si dëgjues.

E njëjta gjë ndodh edhe në rastet e meshave dhe Krishtlindjeve. Në to dhe në tryezat e familjeve të krishtera, ftohen dhe marrin pjesë edhe myslimanët.

Shkëmbimet më të bukura fetare janë edhe përmes lidhjeve të kurorave; matesave mes tyre.

Bisedojmë me Nikoll Vladin, burrin e mençur 83 vjeçar që drejton komunitetin katolik dhe administron kishën e vetme të zonës, me Gani Buçin dhe Lazam Kaçin, burrat e moçëm që janë rritur dhe edukuar mbi baza të forta të tolerancës fetare.

Nikoll Vladi, drejtues i komuniteti katolik në Lurë: Ne katolikët i respektojmë shumë dhe na respektojnë shumë. Një natë që kisha priftin tek shtëpia ftova dhe sheh Muharremin. Prifti atë natë tha: Ju do të pini raki, unë dhe shehu nuk do të pimë.U bë një meshë tek kisha e Lurës, pjesa dërmuese ishin myslimanë dhe në atë rast prifti tha:Të gjithë njerëzit do të heqin kapelet, vetëm shehu jo. Kaq besim dhe kaq respekt kanë pasur për njëri-tjetrin.

Lazam Kaçi, besimtar mysliman, banor i zonës: Ka një farë ndryshimi, myslimanët e festojnë vetë, po asistojnë, vizitojnë, urojnë edhe fenë e krishterë pa asnjë lloj mënjanimi apo shmangie. Madje kurdo që falet Bajrami, taravitë, ftohen të gjithë. Ka edhe të tjerë që jetojnë brenda një familje, katolikë dhe myslimanë. Zef Doçi atë ditë hante syfur dhe agjeronte.Që herët kemi pasur këtë rregull.

Gani Buçi, besimtar, banor i zonës: Janë katër fise që kanë katolikë, Vladi, Kaqorri, Reta, Markola. Gjithë këto fise gjysma janë myslimanë dhe gjysma katolikë. Janë kushëri, njerëz të afërt, janë miq, shokë.Unë çdo mëngjes kam dëshirë të pi një kafe me Nikoll Vladin.

Në Lurë është e zakonshme kur një imam drekon me një prift, sikundër në shtëpitë e këtyre banorëve ku shtrohen sofra Kishtlindje dhe Bajramesh.

Nikoll Vladi: Unë vetë, vajzën e fundit, ja kam dhënë myslimanit. Babai im 100 vjet që jetoi bënte be për teqe dhe jo kishë.Madje i patën vu një epitet.

Gani Buçi: Gjergj Fishta kur erdhi në Lurë tha: Tre gjëra që kam parë në Lurë, nuk i kam parë askund.1-Bashkëjetesa në një familje katolikë dhe myslimanë.2-Liqenet që janë mbi 2 mijë metra mbi nivelin e detit dhe plot me ujë.3-Plaku i vjetër pa asnjë klasë shkollë, shumë i mençur.

Lazam Kaçi: Islami në kuptimin e përgjithshëm është paqe. Islami nuk predikon luftën, gjithkush orientimin më të saktë e ka në Kuran.

Hysni Buci ka drejtuar këtë komunitet për 12 vite si ish-kryetar komune. Edhe ai ka histori për të rrëfyer për këtë vend.

Hysni Buci: Lura ka një të veçantë në krahasim me pjesën tjetër të komuniteteve. Komuniteti islam dhe komuniteti katolik kanë pasur historikisht dhe vazhdojnë të kenë një harmoni fetare dhe kjo e vërteton më së miri në të gjitha evenimentet fetare që kanë myslimanët dhe katolikët. Në Lurë një personalitet i quajtur Dod Preng Reta, kishte pjesën e vet në muajin e Ramazanit. Ai kishte një natë të caktuar që ftonte dhe hoxhën dhe xhematin mysliman. Edhe enët e kuzhinës i kishte të posaçme për myslimanët.

Në mënyrë simbolike, myftiu i Tiranës Ylli Gurra vizitoi Kishën e Lurës nga ku përcolli urimet për Kurban Bajramin.

Ylli Gurra: Ishte një detyrim fisnik dhe madhor për të dhënë një urim nga kisha e Lurës për të gjithë myslimanët dhe qytetarët shqiptarë si shenjë e harmonisë dhe bashkëvëllazërisë sonë fetare dhe kombëtare. Për të gjithë shqiptarët, Gëzuar për shum mot Kurban Bajramin!

Nikoll Vladi: Ne katolikët mbështesim fenë myslimane, harmoninë që kemi dhe gjithmonë dita e Bajramit ti gjejë më mirë, më të begatshëm dhe ta gëzojnë për shumë vite.

Lura është fshati i Don Nikoll Kaçorrit, Klerik, politikan dhe atdhetar shqiptar, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe zv/kryeministri i parë i Shqipërisë në kabinetin e Ismail Qemalit.

Është zona e 12 Liqeneve, ka bimësi ujore të pasur por edhe vlera të tilla fetare dhe njerëzore që pak i njohin, ndoshta dhe pak i besojnë në kohën kur botë është tronditur nga krime dhe terror në emër të besimit.

Loading...