Ministri i Shtetit për Diasporën i Shqipërisë, Pandeli Majko, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë ka organizuar një tryezë diskutimi mbi të drejtat e shtetasve shqiptarë të privuar nga liria jashtë vendit, raporton AA.

Në fjalën e tij në aktivitet, ministri Majko tha se diaspora është një cilësi kombëtare dhe si e tillë ajo duhet diskutuar me gjithë gjerësinë e saj.

“Klisheja se diaspora përfaqësohet vetëm nga suksesi duhet ndryshuar. Në diasporë bëjnë pjesë edhe ata që për arsye të ndryshme kaluan kufijtë e ligjit në vendet pritëse. Ata ndodhen të dënuar në kushtet e mungesës së lirisë, por kjo nuk i përjashton, por diskutohet për përgjegjësinë e shtetit karshi tyre. Gjysma e popullsisë tonë jeton përtej kufijve dhe ne kemi përgjegjësinë t’u përgjigjemi nevojave të bashkëkombësve tanë kudo që ata ndodhen. Problemet e diasporës janë edhe tonat. Nuk mund të mbyllim sytë para tyre”, tha Majko.

Sipas Majkos, shtetasit shqiptarë të privuar nga liria jashtë vendit nuk janë pak, veçanërisht në vendet fqinje ku dhe përqendrohen komunitetet më të mëdha shqiptare. Ata shpesh, sipas tij, janë viktima të avokatëve të padobishëm vendas apo keqtrajtimeve ndaj të cilave nuk kanë as ku të ankohet.

“Shumica e shtetasve shqiptarë të dënuar jashtë vendit, por dhe familjarëve të tyre vuajnë mungesën e informacionit. Është me rëndësi krijimi i një informimi zyrtar me listën dhe kontaktet e përfaqësuesve ligjor shqiptarë në vendet pritëse, e cila do të ishte në dispozicion të ambasadave”, deklaroi ministri Majko.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë e Shqipërisë, Etilda Gjona, tha se ky takim vjen në një moment kyç, pasi të drejtat e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit përbëjnë një çështje të ndjeshme për Qeverinë e Shqipërisë, sidomos për ata që vuajnë dënime të ndryshme penale jashtë vendit.

“Për herë të parë ata vendosen në vëmendje të Qeverisë së Shqipërisë, e cila duke vlerësuar rëndësinë e kësaj situate ja ka ngarkuar këtë përgjegjësi një ministri të shtetit të dedikuar vetëm për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë. Pjesë e kësaj kategorie janë edhe shtetasit shqiptarë që janë në konflikt me ligjin dhe që ndodhen në institucionet e vuajtjes së dënimit në shtetet ku ato banojnë. Nga informacionet rezulton se numri i të dënuarve në shtetet e huaja është i konsiderueshëm”, tha Gjonaj.

Duke folur për trajtimin e shtetasve shqiptarë të cilët vuajnë dënime në shtete të ndryshme, Gjonaj tha se detyra e shtetit shqiptar është garantimi i respektimit të të drejtave të tyre, që të trajtohen sipas ligjit dhe standardeve ndërkombëtare.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe përfaqësues të misionit të OSBE-së në Shqipëri.

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar këtë vit ligjin “Për Diasporën”, i cili ka për qëllim përcaktimin e rregullave për kompetencat e autoriteteve shtetërore përgjegjëse për marrëdhëniet me diasporën, krijimin e Këshillit Koordinues të Diasporës, ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor dhe arsimor të pjesëtarëve të diasporës.

Loading...