BuldozerPas përmbytjeve katastrofale në Tetovë dhe rrethinë gjendja ka filluar të stabilizohet. Eskavatorët kanë hapur të gjitha rrugët të cilat shpien për në Malësinë e Tetovës, gjegjësisht për në fshatin Shipkovicë. Të gjitha rrugët janë të qarkullueshme në fshatrat e Malësisë së Tetovës. Kështu ka deklaruar për Zhurnal, kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Hysen Xhemaili.

“Jemi duke punuar intensivisht në hapjen e akseve rrugore. Në malësinë e Tetovës janë hapur akset rrugore dhe tani të gjitha fshatrat dhe të gjitha rrugët atje janë të qarkullueshme. Sot po punohet në hapjen e aksit rrugor Tetovë-Jazhincë. Të gjithë banorët janë furnizuar me ndihma dhe me ujë të pijshëm falë humanitetit që kanë treguar qytetarët dhe shoqatata e ndryshme. Apeli i komunës është që qytetarët sa më shumë t’iu ikin lëvizjeve me makina sepse në shumë rrugë të qytetit punohet me makineri të rëndë dhe shpesh ato hasin në pengesa për punë në teren”, deklaroi për Zhurnal, Hysen Xhemaili.

Ai tha se ekipet e specializuara të ushtrisë edhe më tej janë në kërkim të vogëlushes së zhdukur nga fshati Shipkovicë e Tetovës. Ai shpreh një falënderim të madh ndaj të gjithë qytetarëve, organizatave dhe biznemsenëve të cilët i dolën në ndihmë Tetovës.

“Ka shumë gatishmëri dhe oferta për të ndihmuar me donacione. Ne jemi të koordinuar edhe me Kryqin e Kuq pasi kanë infastrukturë më të konsoliduar për aksione të përbashkëta për pranimin dhe shpërndarjen e ndihmave. Gjithashtu janë hapur edhe xhiro-llogaritë për ata që duan të japin donacione të drejtëpërdrejta si për familjet e viktimave ashtu edhe banorët e dëmtuar”, theksoi Xhemaili.

Sipas tij, vendimi i djeshëm i Qeverisë është për t’u përshëndetur pasi shpreh gatishmërinë për të ndihmuar familjet e dëmtuar nga përmbytejt e fundit. Ai thotë sot ka filluar të bëhet evidentimi i familjeve të cilat ishin të dëmtuar nga përmbytjet dhe menjëherë pas evidentimit do të fillon të bëhet pagesa fillimisht nga 500 euro.

Loading...