Maqedoni

Maqedoni, mungojnë shkolla adekuate për fëmijët me nevoja të veçanta

maqedoni

Memeti u ankua për mungesën e rampave për akses në institucionet arsimore, teatrot, kinematë, organet dhe institucionet shtetërore, respektivisht për cilësinë e tyre në vendet ku janë të vendosura

Në prani të minstres së Arsimit, Renata Deskoska, përfaqësueses së UNICEF-it në Maqedoni, Elspeth Erickson, deputetë dhe zyrtarë tjerë të vendit, Memeti tha se fatkeqësisht, përditshmëria e personave me aftësi të kufizuara është një dëshmim i vazhdueshëm i aftësive të tyre përplot me pengesa në lëvizje, pengesa në komunikim me të tjerët, pengesa në qasjen dhe shfrytëzimin e shërbimeve në akceptimin dhe mirëkuptimin e aftësisë së tyre të kufizuar.

Memeti u ankua për mungesën e rampave për akses në institucionet arsimore, teatrot, kinematë, organet dhe institucionet shtetërore, respektivisht për cilësinë e tyre në vendet ku janë të vendosura.

“Së këtejmi, arsimi siç është për momentin më shumë është përpjekje për integrim sesa inkluzion i fëmijëve me aftësi të kufizuara, ndërsa ligjet të cilat e rregullojnë këtë materie, aftësinë e kufizuar nuk e identifikojnë si bazë për diskriminim. Mungojnë shkolla të përshtatura dhe të pajisura në mënyrë adekuate me resurset e nevojshme për realizimin e të drejtës së fëmijëve me aftësi të kufizuar në arsimin e rregullt”, deklaroi Avokati i Popullit, Ixhet Memeti i cili pret që konstatimet e raportit të shqyrtohen seriozisht nga organet kompetente.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskoska, nga ana e saj , theksoi se rekomandimet e Avokatit të Popullit duhet të zbatohen nga pushteti, për të shtuar se çështja e parë të cilën e ka hasur në kohën kur është ulur në karrigen e ministres së Arsimit, ka qenë pikërisht problemi i fëmijëve me aftësi të kufizuara, për çka është formuar një grup pune me përfaqësues të institucionit Avokati i Popullit, ekspërtë, OJQ-ve dhe familjarë të fëmijëve me pengesa, në mënyrë që të gjenë një zgjidhje për problemin.

“Si rezultat i asaj pune, çështjet me të cilat është marrë ky grup, në fillim të vitit të ardhshëm do të dërgohen për procedim në Parlament, për të inicuar ndryshim të ligjit për arsim fillor dhe të mesëm”, tha Deskoska për të shtuar se Qeveria e Republikës së Maqedonisë promovon politikën, një shoqëri për të gjithë, e cila sipas saj nënkupton edhe kushte për këtë kategori të njerëzve, më saktësisht të drejtën për arsim, që do të realizohet përmes mjeteve të parapara me buxhetin e vitit 2018-të, i cili u promovua sot.

Përfaqësuesja e UNICEF-it, në Maqedoni, Elspeth Erickson, institucioni i të cilës ka ndihmuar financiarisht përpilimin e raportit, tha se e tërë kjo punë që është bërë, ka të bëjë ekskluzivisht me fëmijët, për të drejtën e tyre për arsim, pavarësisht statusit ekonomik, shoqëror apo vendi ku jeton, që rrumbullakohet me arsimin inkluziv duke përmbushur nevojat e tyre për arsim.

Raporti, i cili është hartuar në bazë të të dhënave nga pyetësorët të parashtruar deri te të gjitha shkollat e mesme në Maqedoni, si dhe nga analiza e zbatuar e rregullativës ligjore, rezulton se 52 shkolla të mesme, ose 56.5 për qind kanë thënë se kanë nxënës me aftësi të kufizuara, ndërsa në shkollat e mesme procesin mësimor e ndjekin 246 nxënës me aftësi të kufizuara, ose 2.79 nxënës për një shkollë.

Ajo që shqetëson është se në 8 shkolla ku ka nxënës të tillë, nuk janë formuar ekipe inkluzive, ndërkohë që shqetëson edhe e dhëna se në ato shkolla ku ka rampa, brendia e shkollës nuk mundëson qasje për këta nxënës.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Time limit is exhausted. Please reload CAPTCHA.

To Top