Në janar 2017 u nënshkrua projekti 3 vjeçar për personat me pengesa në shikim mes Lions Clubs International me seli në Chicago dhe Lions clubs Macedonia. Projekti i USAID dhe LCIF për fëmijët me pengesa në të pamurit (CwVIP) është projekt që ka filluar të implementohet nga ana e Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) me mbështetjen financiare të Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID) dhe Fonacionit ndërkombëtar të klubeve Lions (LCIF).

Fokusi kryesor i CwVIP është të sigurojë qasje në arsim dhe shkrim-lexim për fëmijët me pengesa në të pamurit dhe do të implementohet deri në vitin 2020.

Kjo nismë filloi në vitin 2014 dhe tani do të realizohet faza e dytë e projektit e drejtuar nga ligjeruesi Shpëtim Latifi, ligjërues në UEJL.

Qëllimi kryesor i CwVIP është që të rrit mundësitë e shkollimit për fëmijët me pengesa në të pamurit dhe të bëjë zbulimin dhe parandalimin e hershëm të sëmundjeve të syve. Projekti ka element arsimor, mjekësor dhe social.

Komponenta arsimore:

  • Pesë qendra burimore plotësisht të pajisura në pesë qytete të Republikës së Maqedonisë (Shkup, Tetovë, Veles, Shtip, Manastir) ku fëmijët me pengesa në të pamurit ndjekin mësim. Qendrat janë të pajisura me mjete vizuale, materiale didaktike, zmadhues digjital, makina shkrimi në Braille, printerë në Braille/emboserë, tabela smart, fjuzerë për prekje, pajisje të tjera të specializuara, si ekran dhe tastierë në Braille, mjete ndihmëse speciale për matematikë, art, shkencë, etj. Udhëzimet nëpër Qendrat jepen nga ana e defektologëve të angazhuar nga projekti.
  • 90 tituj të teksteve shkollore (nga programi mësimor për arsim fillor) deri më tani janë përshtatur dhe të shtypur në shkrimin Braille. Deri në fund të projektit, për herë të parë në Maqedoni të gjitha tekstet shkollore për arsimin fillor (nga klasa e 1 deri në klasën e 9) do të jetë të disponueshme si materiale të shtypura në tri gjuhë, edhe atë maqedone, shqipe dhe turke);
  • Incizim të audio librave dhe lektyrave shkollore për të gjithë personat me pengesa në të pamurit.
  • Punëtori të vazhdueshme dhe trajnime për defektologët që punojnë në Qendrat burimore (dy defektologë janë të angazhuar në çdo qendër burimore në katër qytete – Tetovë, Veles, Shtip dhe Manastir, si dhe 29 defektologë në shkollën e specializuar për fëmijë me pengesa në të pamurit në Shkup “Dimitar Vllahov”). Këto trajnime tani zgjerohen për të mbuluar dhe 150 defektologë tjerë, së bashku me mësimdhënësit e rregullt nga e gjithë Maqedonia, të cilët punojnë me fëmijët me nevoja të veçanta në shkollat e zakonshme.

Komponenta mjekësore: CwVIP bën ekzaminimin e syve dhe të pamurit e fëmijëve të moshës parashkollore në partneritet me Shoqatën e oftamologëve , Klinikën universitare të syve në Shkup dhe Spitalin privat – Oftamologjia Sistina. Ekipi i oftamologëve të projektit përbëhet nga 15 oftamologë të shquar, të cilët kryejnë kontrollime të syve në kopshtet e fëmijëve në tërë Maqedoninë. Nga Qershori i vitit 2015 janë kontrolluar më shumë se 10.000 fëmijë të moshës prej 3 deri 6 vjeçare, me teknologjinë e fjalës së fundit, auto-refraktometra të blera përmes projektit. Anëtarët e Lions klubeve vazhdojnë me shpërndarjen e fletushkave (materiale të Lions programit për shëndet të syve – LEHP) me qëllim për të rritur vetëdijen e opinonit publik në lidhje me sfidat me të cilat përballen me pengesa në të pamurit. Zyra e projektit nga UEJL bashkëpunon me Shoqatën e oftalmologëve të Maqedonisë (ShOM), me klinikën universitarë të syve në Shkup dhe klinikën e oftalmologjisë SISTINA për të përmirësuar detektimin e hershëm dhe trajtimin e pengesave në shikim përmes skriningjeve të syve te fëmijët e moshave parashkollore, përmes kampanjave dhe vizitave në çerdhe në 5 qytetet e sipërpërmendura. Të dhënat statistikore lidhur me dukurinë e pengesave në shikim te fëmijët, udhezimet e mëtutjeshme, ndjekjen e rasteve dhe konkluza tjera ruhen në sistem elektronik që UEJL e ka zhvilluar dhe në të cilin kanë qasje institucionet relevante.

Komponenta sociale: Në kuadër të projektit është hapur Qendër për mbështetje të personave me pengesa në të pamurit në Shkup, që mbështetet nga ana e Kryqit të kuq të qytetit të Shkupit. Qendra kryesisht fokusohet në realizimin e aktivitete të ndryshme si: këshillime të rregullta psikologjike, sociale, këshilla për shkëmbim të informatave, për përfshirjen dhe shfrytëzimin e sistemit shëndetsor të Republikës së Maqednisë, për mobilitet dhe transport, për zhvillim të aftësive profesionale dhe punësim të të verbërve dhe personave me pengesa në të pamurit.

Loading...