Kuvendi i Maqedonisë ditëve në vijim duhet të shpallë datën e mbajtjes së referendumit për çështjen e emrit. Kryeministri i vendit, Zoran Zaev, ditë më parë, deklaroi se referendumi sipas të gjitha gjasave do të mbahet më 30 shtator dhe nëse Qeveria është e vendosur që në këtë datë të mbahet referendumi, atëherë ai duhet të shpallet në Kuvend deri më 30 korrik. Por, partitë parlamentare akoma zhvillojnë bisedime për arritjen e një marrëveshje, pasi të hënën liderët kumtuan se kanë dallime sa i përket çështjes së referendumit.

Qeveria duket e vendosur që referendum të zhvillohet më 30 shtator, ndërsa dialogut me opozitën për të arritur një marrëveshje do t’i jep kohë deri në çastet e fundit të afatit ligjor. Por edhe nëse nuk ka marrëveshje, jozyrtarisht mësohet se të hënën Kuvendi do të shpall referendumin, pyetjen e referendumit si dhe datën e mbajtjes së tij.

Deri më 30 korrik pushteti dhe opozita kanë kohë të mjaftueshme për të tejkaluar çështjet të cilat kanë të bëjnë me formulimin e pyetjes së referendumit dhe opozita maqedonase të bindet për të mbështetur daljen në referendum. Për takim liderësh nuk ka ndonjë sinjal, por konsultimet dhe bisedimet në nivel të kuvendit dhe grupeve parlamentare në mënyrë të tërthortë këtë javë i ka konfirmuar edhe vetë kryeministri Zoran Zaev.

Bisedimet në këtë nivel ende nuk janë shpallur si të dështuara, ashtu siç ndodhi me ato në nivel të liderëve politik, andaj Qeveria dhe shumica kanë vendosur për t’i dhënë edhe disa ditë kohë dialogut. Por edhe nëse këto përfundojnë pa epilog, atëherë Qeveria dhe shumica parlamentare do të shpallin referendumin dhe vetë do ta organizojnë atë. 30 korriku mbetet afati final për shpalljen e vendimit për mbajtjen e referendumit pasi ligji obligon që referendum të shpallet të paktën 60 ditë para ditës së votimit, në këtë rast 30 shtatorit. Nëse Kuvendi nuk e shpall referendumin më 30 korrik, atëherë si datë e radhës për mbajtjen e referendumit mbetet 7 tetori, ndërsa për mbajtjen e referendumit në këtë datë vendimi duhet të sillet më së voni deri më 7 gusht.

Nëse referendumi del i suksesshëm dhe qytetarët i përgjigjen pozitivisht ndryshimit të emrit të Maqedonisë, atëherë menjëherë vijon procedura e ndryshimeve kushtetuese. Pas kësaj, marrëveshja shkon për ratifikim në Kuvendin e Greqisë. Qeveria parasheh që deri më 15 janar të përfundojë çështjet teknike që ka për obligim sipas Marrëveshjes së Prespës.

Konstesti bilateral për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë, ka bllokuar vite me radhë proceset e integrimit euro-atlantik të vendit. Pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve, tani rezultatet e referendumit do të përcaktojnë nëse Maqedonia do të ndryshoj emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut, që është kusht kryesor që vendi të anëtarësohet vitin që vjen në NATO dhe të filloj negociatat qaseshe me BE-në në qershor të vitit 2019. /Tv Shenja/

Loading...