Maqedonia nuk është në shënjestër të terrorizmit ndërkombëtar

Maqedonia nuk është prioritet i organizatave terroriste ndërkombëtare, por terrorizmi është sfidë globale, prandaj shërbimet vendore ndërmarrin aksione për prevenim nga sulmet e mundshme. Ekspertët thonë se kërcënim më i madh janë luftëtarët që kanë luftuar nëpër vatra të huaja në krah të ISIS-it, shkruan REL.

Nga Ministria për Punë të Brendshme thonë se vendi nuk është qëllim parësor i organizatave ndërkombëtare terroriste, por duke i pasur parasysh dimensioned globale të këtij fenomeni nuk mund në tërësi të përjashtohet ekspozimi i shtetit ndaj aksioneve të mundshme terroriste.

Natalija Spirova Kordiq nga MPB thotë se pas sulmeve terroriste në territorin e Europës, për shkak prevenimit në kohë, pengesën dhe paralajmërimin e hershëm për sulme të mundshme terroriste, organet e MPB-së e kanë rritur nivelin e sigurisë.

“Ata ndërmarrin masa të koordinuara dhe aktivitete për prevenimin, pengimin dhe eleminimin eventual të aksioneve terroriste.”

Ajo ka shtuar se MPB ka rritur bashkëpunimin me organe të ndryshme në nivel nacional dhe ndërkombëtar për pengimin e aktiviteteve të mundshme terroriste.

Eksperti për çështje të sigurisë Bllagoja Markovski, kryetar i Forumit Ballkanik për Siguri, vlerëson se Maqedonia nuk është imun për sfidat me terrorizmin, njëjtë sikur edhe vendet fqinje, transmeton Portalb.

“Ajo që po ndodh në Europë, tani për tani nuk ka indikacione se mund të ndodhë edhe në Maqedoni. Kjo për faktin se Maqedonia nuk është interes i grupacioneve terroriste edhe nëse ndodh një gjë e tillë ajo do të jetë e karakterit të brendshëm, respektivisht ata që kanë qenë në Lindjen e afërt, kanë luftuar për ISIS-në, janë kthyer me matricë ideologjike dhe në bazë të saj mund të shkaktojnë çrregullime të caktuara në Maqedoni, por jo me pasoja si në Perëndim”, ka thënë për REL Markovski.

Loading...