Tenisti kroat Marin Cilic është finalisti i parë i grand slemit të Australian Open për meshkuj, pas fitores 3-0 (6-2, 7-6, 6-2) arritur sot paradite ndaj britanikut Kyle Edmund, ndeshje e luajtur në Melburn. Një fitore e merituar e numrit 6 në botë, që pati epërsi në shumicën e kohës, ndërkohë që vetëm në setin e dytë rivali britanik tentoi të fitojë, shumë pak për t’u kualifikuar. Dy tenistë që arritën një rezultat surprizë duke ardhur deri në gjysmëfinale, me Cilic, që pas fitimit të US Open në vitin 2014, do të tentojë të dielën triumfin e dytë në një grand slem.

Tenisti britanik Kyle Edmund

Seti i parë është një formalitet për kroatin, që ka epërsi në fushë, luan mirë dhe fiton 6-2, ndërkohë që loja bëhet më e bukur në setin e dytë, me Edmund që e ngre ritmin dhe tenton të rihapë ndeshjen. Por në “tie break” kroati fiton 7-6 dhe udhëheq 2-0 me sete, epërsi që e ruan edhe në setin e tretë, ku e dominon lojën dhe fiton 6-2, duke prerë një biletë për në finale. Nesër do të luhet gjysmëfinalja e dytë, ku përballë Roger Federer do të jetë koreani Hyeon Chung, surpriza e këtij turneu, por zvicerani është favorit për të mbrojtur titullin fituar vjet.

Loading...