Marrëveshja e Ohrit tema e fundit në takimin e Ahmetit me ambasadorin hungarez

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur sot në selinë e BDI-së në Tetovë Ambasadorin e Hungarisë në Maqedoni, József Bencze dhe Gyula Somogyi, zëvendës Ambasador.
Ata diskutuan rreth zbatimit të marrëveshjes së qershorit dhe korrikut, integrimin EuroAtlantik, zgjidhjen e çështjes së emrit si dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Kryetari Ahmeti theksoi që zbatimi i marrëveshjes, përveç vonesave të vogla, po ecën mirë dhe palët po i qasen me seriozitet të gjitha çështjeve që burojnë nga kjo marrëveshje. Përmbyllja e obligimeve kryesore nga kjo marrëveshje është parakusht për zgjedhje të drejta dhe demokratike në prill 2016.
Procesi i zbatimit të reformave strukturore do të zhvillohet në përputhje me planin aksionar, ndërsa fokusi politik duhet të rikthehet tek zgjidhja e pengesave më të mëdha për vendin tonë që do të mundësojnë integrimin e Maqedonisë në NATO dhe fillim të bisedimeve aderuese me Bashkimin Evropian”, thuhet në kumtesën e lëshuar nga BDI.

Bie në sy se sa pak rëndësi i është kushtuar në këtë takim Marrëveshjes së Ohrit, e cila në kumtesën e lëshuar përmendet vetëm kalimthi.

“Ahmeti vlerëson që qeveria e gjerë e përbërë nga 3 tre partitë më të mëdha në vend duhet të ndërmerr hapa të guximshëm me përgjegjësi të përbashkët për të ardhmen e vendit. Në lidhje me ekspertizën që po i bëhet Marrëveshjes së Ohrit, Kryetari Ahmeti theksoi që ky proces rrjedh nga vendimi i Qeverisë së Maqedonisë dhe paraqet realizim të kërkesave të theksuara në raportin e progresit të Komisionit Evropian”, thuhet në kumtesë.

 

Loading...