MEHDI HYSENI
Mirëpo, nuk është shkop magjik që “brenda natës” t’i zgjidhë të të gjitha problemet e grumbulluara politike, ekonomike, sociale, zhvillimore, të papunësisë, të varfërisë, të emigrimit, të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit me shtetet fqinje, siç është në radhë të parë Serbia, e cila, në vend se ta njihte Kosovën, kjo po lobon në tërë botën, që Kosovën ta kthejë nën kolonializmin e saj të dikurshëm (1912-1999). Me një fjalë, kjo
Marrëveshje është lehtësi dhe obligim i detyrueshëm për ata liderë politikë që e drejtojnë Kosovën. Jetësimi i saj në praktikë varet vetëm nga strategjia, kontributi dhe angazhimi konkret cilësor i institucioneve përkatëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës, jo nga BE-ja.
Prandaj, nuk duhet të rrëmbehemi nga euforia dhe deklaratat e ndryshme pompoze sikurse “fëmija në karamele”, se “kjo marrëveshje është historike”, jo! -Do bëhet historike, vetëm atëherë, nëse finalizohet me sukses në praktikë, duke hapur “portën kryesore” të BE-së, që edhe Kosova të jetë njëra nga vendet-anëtare të saj sikurse Kroacia, Sllovenia, Bullgaria etj.
Nuk ka asnjë dilemë se arritja e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit të Kosovës me BE-në në Strasburg, më 27 tetor 2015, është një plus i madh politik dhe demokratik për bashkëpunimin dhe për ndihmën konkrete të Kosovës drejt synimeve të integrimit të saj në “familjen” e BE-së, me kusht që Kosova të qeveriset, të demokratizohet dhe të zhvillohet sipas parametrave të parashikuar të kësaj Marrëveshjeje në përputhje me kriteret dhe me standardet e BE-së. Ndryshe, integrimni i saj në BE, do të jetë vetëm një aspiratë dhe iluzion i shkretë.
Mirëpo, me gjithë përparësitë dhe dobitë e kësaj Marrëveshjeje në fushat e ndryshme të shtetit të Kosovës (ekonomi, drejtësi, tregti, arsim, energjetikë, mbrojtje e ambientit jetësor, punësim, prodhim, shitje, cilësi, eksportim dhe këmbim të prodhimeve vendore në tregjet e BE-së etj.), kjo VETIU nuk garanton zhvillimin, përparimin dhe përshpejtimin e integrimit të Kosovës në BE, nëse, edhe më tej, në krye të Kosovës ndodhen injorantët politikë, nepotistët, abuzuesit, mafiozët, korrupcionistët, mashtruesit dhe shfrytëzuesit e popullit dhe të Kosovës, të cilët Kosovën e kanë shndërruar në plaçkë private të tyre, të grupeve të ndryshme të interesit, të klaneve, të partive, të mahallave dhe të mafive të ndryshme oligarkike.
Prandaj, për nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje nga ana e Federica Mogherinit (Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Çështje të Jashme dhe për Siguri) dhe nga Isa Mustafa (kryeministër) i qeverisë së Republikës së Kosovës, më 27 tetor 2015 në Strasburg të Francës, hëpërhë nuk ekziston ndonjë arsye specifike për shfaqjen e ndonjë euforizmi dhe ekzagjerimi sui generis se gjoja se me nënshkrimin e saj, tanimë, Kosova ka siguruar integrimin e vet në BE. Kjo nuk qëndron, për faktin se kemi shembujt konkret të disa shteteve ballkanike, siç janë: Serbia, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe BeH, të cilat qe disa vite kanë nënshkruar marrëveshjet e stabilizim asocimit me BE-në, por ende janë shumë larg nga integrimi i tyre në kuadrin e Bashkimit Evropian(BE).
Duhet nënvizuar faktin se, ndonëse, të gjitha këto shtete të rajonit janë partenerë disavjeçarë të BE-së (sipas MSA-së), zhvillimi i tyre ekonomik, papunësia, varfëria, ekzodi permanent, standardi jetësor, mirëqenia, janë katastrofike , janë në shkallën më drastike dhe të pakrahasueshme me vendet e tjera të Bashkimit Evropian (BE), gjëqë të gjithë këta tregues negativë, janë pengesa kryesore për përmbushjen e kushteve dhe të standardeve për t’u integruar në BE.
Në të njëjtën gjendje katastrofike të papunësisë, të varfërisë, të ekzodit migrues, të pazhvillushmërisë, të mjerimit ekonomik dhe social, të mirëqenies së përgjithshme, është edhe Kosova, tanimë, partnere e re e BE-së në kuadrin e Marrëvesjes së Stabilizim Asocimit, të nënshkruar më Strasburg, më 27 tetor 2015.
Së fundi, konsiderojmë se, para se të arrihej kjo Marrëveshje e Stabilizim Asocimit, e nënshkruar nga Federica Mogherini dhe Isa Mustafa, duke qenë se Serbia prerazi nuk po e njeh Republikën e Kosovës, Bashkimi Evropian (EU), do të duhej t’i detyronte pesë shtetet anëtare të saj: Rumaninë, Slovakinë, Greqinë, Spanjën dhe Qipron, që ta njihnin Republikën e Kosovës për shkak se Serbia po ushtron trysni të madhe ndërkombëtare, që Kosovën ta rikthejë nën sovranitetin e saj kolonial, duke e vënë kështu në pikëpyetje statusin politik të saj, edhe pse, deri tani e kanë njohur 109 shtete të bashkësisë ndërkombëtare (2008-2015).
Këtë e dëshmojnë edhe përpjekjet e fundit të diplomacisë dhe të politikës së Beogradit zyrtar që Kosova të mos anëtarësohej në INTERPOL dhe në UNESCO. Kjo politikë dhe diplomaci e gabuar e udhëheqjes së Serbisë, do të thotë jo vetëm mosnjohjen e Kosovës, por edhe pengimin e saj dhe të Shqipërisë drejt integrimit në BE.
Derisa Kosova të ketë probleme të pazgjidhura territoriale dhe marrëdhënie të këqia me Serbinë, integrimi i Kosovës dhe i Shqipërisë në BE, do të jetë shumë i largët, pavarësisht nga përmbushja e kushteve dhe e standardeve të tjera, të parashikuara me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit të BE-së.
Fundja, me të gjitha përparësitë dhe me preferencat e saj pozitive për integrimin dhe bashkëpunim rajonal evropian, MSA-ja nuk është GARANCI, as FJALA E FUNDIT për t’u integruar në BE, por vetëm një lehtësim dhe obligim për t’i plotësuar kushtet drejt synimit integrues evropian në Bruksel.