Marrëveshje prej nevojës apo prej presioneve?!

Zeqirija Ibrahimi

Maqedonia, ngadalë, po bëhet një vend në të cilin nuk është rastësi ose diçka e rrallë të krijohen marrëveshje të reja, me qëllim që të përmirësohen disa gjendje ose marrëdhënie. Në vitin 1993 ndodhi Marrëveshja e Përkohshme me Greqinë, me çka e morëm referencën IRJM dhe anëtarësimin në OKB, gjithsesi edhe problemet shumëvjeçare për zgjidhjen e këtij problemi, pastaj në vitin 2001 erdhi Marrëveshja e Ohrit, e cila u reduktua në punësime partiake dhe nuk arriti ta prodhojë frymën e kohezionit ndëretnik, pastaj ishte Marrëveshja e Majit e vitit 2007, e imponuar nga një parti shqiptare, me qëllim që të vendoset standardi „Qeverinë e formojnë fituesit e kampit shqiptar dhe maqedonas“, por që pastaj në vitin 2017 vetë ata mos ta respektojnë atë, pastaj erdhi Marrëveshja e Përzhinës për zgjidhjen e krizës së vitit 2015, e cila u zbatua me mbikëqyrje të madhe ndërkombëtare, edhe pse pati një varg lëshimesh, në vitin 2017 e patëm marrëveshjen historike me Bullgarinë për zgjidhjen e marrëdhënieve të ndërsjella shtetërore, që në fund, më 17 qershor 2018, të vijë edhe marrëveshja për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar me Greqinë rreth emrit të shtetit.
Duke shikuar nga kjo perspektivë, bëhet e qartë se Maqedonia është e aftë të nënshkruajë, por edhe të zbatojë marrëveshje, varësisht se cili është interesi i saj për to apo sa është presioni për to. Edhe pse për të gjitha marrëveshjet mund të kemi vërejtje, por në një gjë duhet të pajtohemi: se për të arritur një marrëveshje duhet guxim, vendosmëri dhe, gjithsesi, vizion.
Kur jemi këtu, dua të përkujtoj se qeveria e Zaevit u tregua mjaft e vendosur për zgjidhjen e të gjitha kontesteve me fqinjët, ashtu që për më pak se një vjet arriti të mbyllë dy konteste të mëdha shumëvjeçare me fqinjin tonë lindor dhe fqinjin tonë jugor. Kjo është provë se, kur bëhet fjalë për interesa dhe ideale të larta, shteti merr forcë dhe gjen mundësi të bëjë edhe vendime të pabesueshme.
Sido që të jetë, ajo që duhet të shtrohet si pyetje është cili është qëllimi i marrëveshjeve? A i bëjmë marrëveshjet sepse jemi të detyruar apo jemi optimistë se me këtë akt arrijmë qëllime të larta? Apo, më saktë, kur jemi të përgatitur për të arritur marrëveshje me çmim të lartë me fqinjët, përse nuk arritëm që, për shkak të empatisë, respektit dhe kohezionit të brendshëm të bëjmë marrëveshje në dobi të marrëdhënieve të brendshme dhe të mirëqenies së përgjithshme?
Edhe pse të gjithë ne i përshëndetëm marrëveshjet me Bullgarinë dhe Greqinë, disi e kam të pakuptueshme se si shteti arriti të gjejë forcë për marrëveshje, të cilat e ndërrojnë edhe emrin e shtetit, e që paraprakisht e ndërruan flamurin, e nuk mund të gjejë forcë të merret vesh me qytetarët e vet për mirëqenien e tyre?
Në fakt, edhe pse në Marrëveshjen e Ohrit kishte paraparë se shqiptarët në Maqedoni duhet të pranohen jo si pakicë, por si popull shtetformues, u bënë një varg „truqesh“, që në fund shqiptarët përsëri të gjenden në kategorinë e „të vegjëlve“ (bashkësi etnike), të veçuar nga „kombi i madh maqedonas të cilit i takon Maqedonia“, sepse „Maqedonia është e maqedonasve“.
I ngjashëm ishte edhe rasti me gjuhën. Edhe pse në Ohër ishte paraparë që gjuha shqipe të bëhet zyrtare në tërë territorin, me formulimin kushtetues me pezhorativ „gjuhë që e flasin së paku 20% të popullsisë“ (sikur të jetë fjalë fyese të përmendet në mënyrë koncize togfjalëshi „gjuha shqipe“), veçanërisht me ligjet për përdorimin e saj, kjo zgjatet me vite të tëra, që të prodhojë edhe sot e kësaj dite mosbesim ndërmjet dy popujve më të mëdhenj në Maqedoni.
Në fakt, në vitin 2008, LSDM-ja nuk votoi për përdorimin ligjor të gjuhës shqipe, kurse tani të njëjtën e bëri VMRO-ja. Në këtë mënyrë tani përdorimi i gjuhës shqipe mbetet në mëshirë të Presidentit të shtetit. Kjo, pa dyshim, te shqiptari i rëndomtë e parashtron dilemën „a është dashur të jemi imponues si bullgarët apo grekët, që maqedonasit të na pranojnë dhe të na japin mundësi edhe ne ta përdorim gjuhën tonë zyrtarisht?!“. Apo, thënë ndryshe, „a duhet edhe ne të gjejmë ndonjë faktor të huaj, i cili do t’i detyrojë maqedonasit t’i kuptojnë dhe t’i pranojnë nevojat tona?!“ Apo, „përse presionet e huaja janë më të fuqishme sesa nevojat tona vendore?“.
Këto janë pyetje të cilat duhet t’i parashtrojë çdo maqedonas në vend dhe të shikojë me eupati ndaj shqiptarëve, duke e parashtruar dilemën: „pasi jemi të përgatitur për kompromise të mëdha me fqinjët e jashtëm, përse mos të kemi respekt për fqinjët e brendshëm?“.
Kur isha deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, bisedoja me deputetët maqedonas për çështjen e gjuhës shqipe dhe u propozoja ta bëjmë një ligj të vetëm për përdorim zyrtar të gjuhëve në vend, në mënyrë që do ta ruajmë pozitën e gjuhës maqedonase si gjuhë më e madhe në shtet, ndërsa aty do ta përcaktonim edhe përdorimin e gjuhëve tjera, duke e përfshirë edhe gjuhën shqipe. Qëndrimi im ishte se partitë maqedonase duhet ta shohin problemin e përdorimit të gjuhës shqipe si problem shtetëror, i cili duhet të zgjidhet, para së gjithash, në interes të shtetit: të mbyllet një problem, të fitohet besimi i shqiptarëve, të rritet kohezioni i brendshëm, të ndërtohet „një shoqëri dhe një shtet për të gjithë”.Por, konsideroj se ata as që kanë menduar për të, sepse qasja paternalistike dhe monoetnike e perceptimit të shtetit nuk u lejon të mendojnë se mund të jetë ndryshe – të jenë të barabartë me të tjerët. Që të tregojmë sinqeritet në qasjen e këtillë, partinë të cilën e përfaqësoj unë, ishte partia e vetme e shqiptarëve kurdoherë e cila ka deklaruar publikisht se nuk pranon marrëveshje për zgjidhjen e kontestit të emrit nëse ashtu do të dëmtohet identiteti i maqedonasve dhe i gjuhës maqedonase. Deshëm ashtu të tregojmë epmani ndaj tyre, se ne e kuptojmë hallin e tyre dhe se ne – si popull i cili ndan një shtet të njëjtë, një qiell të njëjtë dhe fat të njëjtë me ta – nuk do të donim në asnjë rast të jemi të lumtur në fatkeqësinë e tyre. Për fat të keq, të kundërtën ende nuk e kemi parë.
Dhe, ndonëse ky është vetëm një shembull, mendoj se është i mjaftueshëm për të dëshmuar se cila është gjendja e kohezionit të brendshëm në vend, cili është besimi i ndërsjellë, sa është frika prej „tjetrit“ dhe sa jemi të robëruar në „hendeqet tona“. Andaj, mbetem me bindjen se do të jetë e kotë të bëhemi pjesë e NATO-s, e BE-së ose t’i zgjidhim të gjitha kontestet me fqinjët e jashtëm nëse nuk kemi guxim t’i kuptojmë nevojat e fqinjëve tanë të brendshëm, të kemi durim dhe ndjeshmëri t’i dëgjojmë kërkesat e tyre dhe të përpiqemi t’i kuptojmë ata siç do të donim edhe ne të kuptohemi prej tyre. Për një frymë të këtillë, së paku unë, ende nuk po shoh shenja të mira.

Loading...