MASh: nxënësit do të mësojnë në objekte të njëjta, multietniciteti në plan-programet mësimore

Incidentet mes të rinjve janë rezultat i ndërtimit të klimës së jotolerancës, nacionalizmit dhe urrejtjes ndëretnike, e cila ishte e zakonshme në të kaluarën dhe e nxitur nga zyrtarët më të lartë shtetërorë, por qeveria aktuale është duke u përpjekur për të promovuar dhe për të përhapur konceptin e jetës për të gjithë ne nga të gjitha bashkësitë etnike.

Kështu vlerësoi ministrja e Arsimit, Renata Deskovska Trenevska, duke komentuar incidentin mes dy grupeve të të miturve në Hasanbeg.

Sipas saj, mësimi për tolerancë dhe bashkëjetesë do të inkorporohet në strategjinë e arsimit për vitin 2018-2025, ku në plan-programet mësimore do të ketë elemente për mësimin e komponentës multietnike, ndërsa për ndërtimin e bashkëjetesës do të sigurohen kushte hapësinore, respektivisht të gjithë nxënësit pa dallim të përkatësisë etnike të mësojnë në objekte të përbashkëta e jo ndaras si deri më tani.

“Në disa komuna, për shembull në Tetovë dhe Kumanovë, nxënësit që mësojnë në gjuhën maqedonase e zhvillojnë mësimin në një ndërtesë, ndërsa nxënësit që mësojnë në gjuhën shqipe mësojnë në një ndërtesë tjetër. Ata janë të ndarë fizikisht, gjë që nuk është një praktikë e mirë. Ne po bëjmë përpjekje me kryetarët e komunave për të siguruar të gjithë dokumentacionet e nevojshme dhe lejet e ndërtimit, në mënyrë që të rrënojmë ato barriera fizike, për të parë se kur mësojnë në një shkollë kjo gjë mund të jetë pozitive, e jo burim i tensioneve dhe konflikteve”,- deklaroi ministrja e Arsimit, Renata Deskovska Trenevska.

Po ashtu problemi tjetër që i shqetëson nxënësit është edhe grumbullimi i të hollave për blerje të inventarit në shkolla.

Deskovska ishte kategorike se rastet e tilla janë në kundërshtim me ligjin dhe duhet të paraqiten, kurse obligimi për pajisjen e shkollave me inventar është i qeverisjes lokale dhe MASh-it.

“Ky nuk është obligim i prindërve, të gjitha rastet për të cilat jam e informuar unë janë paraqitur në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit që të kryhet ekspertizë a ka pasur raste të tilla, sepse është e palejueshme me ligj që këto obligime t’u imponohen nxënësve dhe prindërve”,- tha ministrja e Arsimit, Renata Deskovska Trenevska.

Këto komente ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskovska Trenevska, i bëri pas promovimit të grandeve nga Fondi “Ndërtimi i urave”.

Loading...