Mbipunësimet në kompanitë publike trembin investitorët e huaj

Mbipunësimet nëpër ndërmarrjet publike në vendin tonë mund të ‘trembin’ investitorët e mundshëm që janë të interesuar për të investuar në disa kompani publike, të cilat janë ende të pa privatizuara.

Mirëpo, sipas drejtueseve të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, çdo investitor duhet bërë analiza të detajuara financiare, që lidhen me shpenzime operative, si dhe me vendet e punës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci për KosovaPress thotë se edhe mbipunësimet nëpër kompani publike janë pjesë e analizave që i bëjnë investitorët, dhe sipas tij asnjë investitor nuk vjen të investoi në vendin tonë vetëm duke u nisur nga premisa se ndërmarrjet publike janë sektorë të leverdishëm.

Ministri Stavileci thotë se investitorët mund ta kenë parasysh numrin e mjaftueshëm apo të mbingarkuar në ato ndërmarrje, megjithatë, shton se kjo çështje nuk mund të sjell problem i madh për investime të huaja.

“Të gjitha këto janë pjesë e analizave që i bëjnë investitorët, asnjë investitorë nuk vjen të investoi në vendin tonë vetëm duke u nisur nga premisa që kjo ndërmarrje apo ky sektor është i leverdishëm, sepse për të arritur te ky përfundim, duhet bërë analiza të detajuara në mesin e tyre. Natyrisht që ata bëjnë analiza financiare që lidhen me shpenzime operative, me vendet e punës që janë, se a janë të mjaftueshme, nuk janë të mjaftueshëm, të mbingarkuara, të zbrazëta, të plotësohen me profile dhe kuadro të reja, kështu që është pjesë e një analize që investitorët e bëjnë para se ata të marrin vendime për të investuar”, tha Stavileci.

Kurse, drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) pohojnë se numri i madh i të punësuarve në kompani publike, gjithsesi se ndikon negativisht për ardhjen e investitorëve të huaj dhe po ashtu për zhvillimin e ndërmarrjeve publike.

Nënkryetari i OEK, Arif Elshani, për KosovaPress thotë se Qeveria dhe drejtuesit e kompanive publike duhet pasur parasysh se kanë krijuar mbipunësime në këto kompani dhe në institucione tjera qeveritare, për të cilat ky fenomen reflekton keq tek investitorët e mundshëm.

“Me mbipunësimin në ndërmarrjet publike dhe në institucionet e qeveritare, ndikon shumë negativisht në zhvillimin ekonomik dhe në ardhjen e investitorëve të huaj në vend. Pra, kujdes më i duhet kushtuar këtij fenomeni për faktin se ka pasur edhe kritika nga raportet ndërkombëtare për këto punësime. Qeveria duhet t’i jep prioritet prodhimtarisë, mbase ne jemi vendi më i dobët sa i përket prodhimit e jo mbipunësimit në këto ndërmarrje dhe në institucione qeveritare”, tha Elashani.

Ndryshe, disa kompani ndërkombëtare që kanë blerë ish-ndërmarrjet shoqërore dhe publike në Kosovë, kanë hasur në probleme me punëtorë që kanë qenë në numër të madh. Mësohet se janë rreth 15 mijë punëtorë nëpër kompani dhe agjenci publike.

Loading...