Mbretëresha heshtje

Përderisa gjatë ditës i kemi disi të organizuara mendimet dhe ritualet, sado dinamike të jenë ato, mbrëmja duket të jetë më e pamëshirshme. Në mbrëmje përfundojnë angazhimet, që gjatë ditës nuk na lënë hapësirë për t’u thelluar në mendime. Në mbrëmje heshtja nuk e përballon më pluhurin që e rëndon.

Shkruan: Teuta BUÇI, Shkup

E perceptuar në mënyra të ndryshme, herë si maturi e herë si indiferencë, heshtja vazhdon të jetë një pjesë shumë e rëndësishme e komunikimit zyrtar dhe jozyrtar, e shprehjes ose mosshprehjes së mendimeve dhe qëndrimeve rreth çështjeve të caktuara në shoqëri. Heshtja shpreh guximin, në të njëjtën mënyrë siç shpreh edhe mungesën e guximit tonë. Ajo, ndonjëherë, është zëri i rebelizmit tonë, e ndonjëherë është edhe frika për ta thënë të vërtetën. Si do që të jetë ajo, një gjë është e sigurt: se është shumë e fuqishme dhe se askush nuk mund ta mohojë fuqinë e saj për të thënë shumë gjëra të mëdha ose për ta fshehur në mënyrë shkatërruese të vërtetën e dhimbshme.

Por, dinamika e ditës, e shndërruar në rutinë, e largon njeriun nga përballja me heshtjen. Zhurma e makinave në trafik, rrëmuja ose edhe qetësia e lodhshme e ditës, të largojnë nga meditimi. Gjatë ditës jemi shumë të lodhur për të menduar gjëra, që nuk janë në listën e punëve që duhet realizuar. Në këtë mënyrë, punëtorin e pakënaqur e të rëndomtë e zgjon mendimi se si do ta kalojë edhe një ditë në punë, pa ditur se kur dhe si do t’i përfundojë dita, se si do të përballojë pa e shprehur mllefin dhe revoltën që ka brenda. Pronari çdo mëngjes e kupton se sa shumë i do punëtorët e tij të nënshtruar e të heshtur, të dëgjueshëm e të qetë. Studenti e ka mendjen tek provimi, për të cilin mendon se nuk i ka kuptuar mirë leksionet dhe nuk është i sigurt nëse do e kalojë. Lypsarët dhe shitësit e vegjël i zgjon çdo mëngjes një shpresë e vetme – të marrë fund mjerimi i tyre. Të pastrehët zgjohen nga zhurma e lëvizjeve të automjeteve, qenve endacakë, zogjve ose e njerëzve që vrapojnë për diku, me një shpejtësi dhe hov që nuk dëshiron t’ia dijë për ekzistencën e këtyre të parëve.

Prandaj, lajmet e trishta që mund të dëgjojmë në radio, gjatë rrugës që bëjmë në mëngjes, që i hasim në rrjete sociale, në gazeta ose media të tjera, i lexojmë kalimthi, duke u hedhur vetëm një sy dhe duke ndjerë një dozë keqardhjeje, qofshin ato lajme rreth luftërave që ndodhin në botë, rreth varfërisë globale, sulmeve terroriste, abuzimit të fëmijëve, fatkeqësive natyrore, krizës ekonomike ose edhe krizës njerëzore. Në atë periudhë të ditës sikur kemi frikë të mendojnë atë pjesë të botës që ka këtë lloj të rutinës, kemi frikë ta mendojmë dikë tjetër, pos vetes, dhe kështu i injorojmë dhunshëm.

Por, përderisa gjatë ditës i kemi disi të organizuara mendimet dhe ritualet, sado dinamike të jenë ato, mbrëmja duket të jetë më e pamëshirshme. Në mbrëmje përfundojnë angazhimet, që gjatë ditës nuk na lënë hapësirë për t’u thelluar në mendime. Në mbrëmje heshtja nuk e përballon më pluhurin që e rëndon, kështu që punëtori i pakënaqur e mendon se sa e ndryshme do të ishte dita e nesërme nëse ai dhe shokët e tij do ta shfrynin revoltën që mbajnë brenda, kush e di sa kohë. Pronari në mbrëmje e ka frikë heshtjen e punëtorëve të tij. I trembet të nesërmes, e cila mund t’ia sjellë “tërbimin” e tyre. Studenti e mendon se kafenë e mëngjesit, para se të niset për në provim, ia shërbeu shoku i tij, i cili ka diplomuar para një viti. Dhe, kjo e bën ta kuptoj jetën më mirë se leksionet universitare. Lypsarëve dhe shitësve të vegjël u shuhet shpresa që e kishin në mëngjes. As sot nuk mori fund mjerimi i tyre. Të pastrehët, pasi janë siguruar se ku do ta kalojnë natën, luten që të gjejnë një strehë shpirtërore, diku, dikur… për të biseduar ndoshta për zërin e zogjve të mëngjesit, për njerëzit e ndryshëm që shohin çdo ditë, për ritmin e takave që dëgjojnë të kalojnë çdo mëngjes pranë tyre, për ngrohtësinë e fëmijëve që u afrohen të zhveshur nga paragjykimet ose për ndonjë ëndërr rinore të harruar diku në ndonjë sirtar.

Në mbrëmje e kuptojmë se kur e kemi ngushëlluar punëtorin, duke i thënë të ketë edhe pak durim, i kemi zgjatur atij vuajtjet. Kuptojmë se në vend se ta këshillojmë studentin rreth lëndëve universitare, është dashur t’i sqarojmë disa gjëra të rëndësishme rreth jetës. Kur u kemi lënë lëmoshë lypsarëve ose kur kemi blerë nga shitësit e vegjël, duke pasur qëllim që t’i ndihmojmë, në fakt i kemi dëmtuar ata, sepse në atë mënyrë jemi pajtuar me atë gjendje dhe u kemi përcjellë mesazh se ata nuk meritojnë më shumë në jetë. E kur e kemi parë me keqardhje atë të pastrehin, thellë në vete kemi ndjerë pak zili për guximin që neve na mungon, e për sytë e tij që, megjithatë, buzëqeshin.

Sepse, në mbrëmje zgjohet pak Migjenë tek çdonjëri prej nesh, bashkë me dëshirën e zjarrtë për ta goditur heshtjen. Atë heshtje që është shndërruar në mal dhe nuk bëzanë. E për ta goditur atë mal, që në mbrëmje na shembet mbi kokë. Atëherë ndjejmë një nevojë për ta shkatërruar heshtjen kolektive, që na asgjëson çdo ditë nga pak e na e jep vetëm atë që ajo dëshiron. Atë heshtje që na ka shndërruar në skllevër të saj, duke na dhënë lirinë që nuk kemi guxim ta prekim. Atë që na privon nga të qenit vetvetja, nga të qenit ndryshe, nga ecja në drejtim të kundërt të turmës. Në mbrëmje e kuptojmë se jemi më të fuqishëm se aq. Por, sërish në mëngjes zgjohemi ushtarë të plagosur, vishemi, e pimë kafenë e mëngjesit dhe nisemi me nxitim për t’i shërbyer heshtjes kolektive.

Loading...