Evokimi më i natyrshëm i Mbretërisë SKS në këtë 100 vjetor të themelimit të saj, do të mund të bëhej nëse tash e tutje vendoset një standard korrekt rivlerësimi ndaj gjithë historibërësve, duke i ndarë në njërën anë ‘të burgosurit’ dhe, në anën tjetër, ‘gardiantë’ e asaj Mbretërie. Të gjitha diopritë tjera, do të dilnin të shtrembëruara, kurse e vërteta sërish do të mund të ngelë peng i (mos)marrëveshjeve të reja

Nga Emin AZEMI
Trashëgimtari i fronit mbretëror, Aleksandër Karagjorgjeviq më 1 dhjetor 1918 në Beograd proklamoi Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve. Aktit ceremonial të kësaj proklamate i paraprinë konkluzionet e Dhomës së popujve të Sllovenëve, Kroatëve e Serbëve dhe ‘vendimi për bashkimin e Malit të Zi dhe Vojvodinës me Serbinë’.
Këtyre ditëve në Podgoricë u shfuqizua ky vendim, duke e kualifikuar atë në fakt si aneksim të Malit të Zi nga ana e Serbisë.
Deklarata e 1 dhjetorit si ‘’akt konstituiv’’ përfaqësonte dokumentin e shtetformimit të Mbretërisë së SKS, që u kurorëzua me Kushtetutën e Vidovdanit në vitin 1921.
Në këtë periudhë pushtetin në Mbretërinë e SKS e përbënin mbreti, gjegjësisht Trashëgimtari i fronit mbretëror, Aleksandër Karagjorgjeviq, Qeveria dhe Kuvendi i përkohshëm popullor.
Qeverie e parë e Mbretërisë SKS ishte formuar më 20 dhjetor 1918.
Kështu thotë historia zyrtare e formimit të Mbretërisë SKS.

ROBËRIA E RE PËR POPUJT JOSLLAVË
Por ajo që heshtet në këtë histori është robëria e re që u instalua për popujt josllavë pas bashkimit të serbëve, kroatëve e sllovenëve në një mbretëri të tyre.
Shqiptarët, të shpërndarë në disa pjesë të asaj Mbretërie – në Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mal të Zi e gjetiu, përjetuan vitet më të rënda të apartheidit social, politik e kulturor që e ushtronte ‘’treni i gjatë’ i xhandarve, pylltarëve, tagrambledhësve, oficerëve mbi tokat e buta të shqiptarëve, duke i zhveshur ata nga çdo atribut shtetformues dhe duke i ekspozuar formave më të egra të shantazhit kolonial e grabitçar. Vetëm shqiptari analfabet dhe pa pronë, ishte i vlefshëm për oligarkët e rijë të Beogradit.
Synimi i politikës hegjemoniste serbe për zhbërjen e elementit shqiptar në trevat autoktone në Kosovë, Maqedoni Perëndimore, Preshevë, Medvegjë, Bujanoc, Mal të Zi, tash më ishte bërë lajt motiv i diskurseve qeveritare, siç mund të dëshmohet edhe nga qëndrimi i kryeminstrit, Nikolla Pashiq, i cili thoshte se po qe se paqja do të zgjasë nja 20 deri 30 vjet, Serbia do t’ia dalë që Kosovën dhe Maqedoninë t’i inkuadrojë plotësisht në administratën dhe ekonominë e saj dhe “ popullin e tyre ta asimilojë në pikëpamje kulturore e kombëtare. Shkrirja e këtyre viseve në Serbi duhej të kryhej në mënyrë të plotë, siç janë shkrirë pas 1878-tës Nishi, Piroti, Leskovci dhe Vranja”.
Para 100 vjetëve shqiptarët Mbretërinë e SKS e përjetonin si burg, pa të drejtë ankese për kushte më të mira.

SHQIPTARËT NË MBRETËRINË SKS NUK E KISHIN AS STATUSIN E PAKICËS ETNIKE
Trajtimi i shqiptarëve nga Mbretëria SKS nuk e kishte as statusin e pakicës etnike, edhe përkundër faktit se konventat ndërkombëtare e obligonin atë që të kenë parasysh këtë status. Kjo mund të shihej edhe nga shkelja që i bëhej Traktatit të Sen Zhermenit për pakicat (i nënshkruar më 10 shtator 1919), sidomos nenit 2 i cili nënvizonte: “shteti serb-kroat-slloven obligohet që të gjithë banorëve të saj t’u sigurojë mbrojtje të plotë dhe të përgjithshme të jetës dhe lirisë pavarësisht nga origjina, gjuha, etnia, raca apo besimi fetar”, dhe nenit 7: “asnjëlloj kufizimi nuk do të kenë në përdorimin e cilësdo gjuhë nga secili qytetar i shtetit serbo-kroat-slloven qoftë në raportet private apo tregtare, të religjionit apo të shtypit e takimeve publike’’.
Zhvatje ekonomike, asimilimi kombëtar, ndalimi i shkollimit në gjuhën amtare, zhveshje nga të gjitha atributet shtetndërtuese – këto ishin shtyllat e politikave të Mbretëria SKS për popujt josllavë.
Në periudhën e Mbretërisë Jugosllave, xhandarmeria dhe njësitë paramilitare çetnike serbe kanë ushtruar reprezalje masive, përfshi tortura fizike, dhunime e vrasje mizore, mbi popullatën shqiptare të Kosovës, kurse në maj të vitit 1920 gazeta “Hak” njoftonte opinionin publik se në Kosovë ndodhen 30 çeta kaçakësh.
Nga 1918 deri në 1938, ushtria jugosllave (me dominim serb) i kishte djegur dhe shkatërruar 320 fshatra shqiptare. Vetëm në periudhën 1918-1920, ishin vrarë 12.346 persona,burgosur 22.150 persona, ishin vjedhur 50.515 shtëpi dhe djegur 6.125 shtëpi.
Sipas të dhënave të Institutit të Historisë në Prishtinë, në periudhën e viteve 1919-1940 në përgjithësi janë dëbuar 255.878 myslimanët nga Mbretëria Jugosllave në Turqi, nga të cilët : Shqiptarët : 215.412, turq: 27.884, boshnjakë : 2.582.
Krahas shpërnguljes në Turqi, në kohën e Mbretërisë Jugosllave, shqiptarët, për t’i ikur terrorit çetnik, me të madhe gjenin strehim edhe në Shqipëri, dhe vetëm në vitin 1921 ishin shpërngulur rreth 40.000 persona.

SPASTRIMI ETNIK, QËLLIMI FINAL I HEGJEMONISË SERBE
Përgatitja e terrenit për spastrimin etnik të Kosovës dhe dëbimin sistematik të shqiptarëve, ishte kryer përmes Klubit Kulturor Serb, i mbështetur me të gjitha mjetet nga administrata shtetërore. Si prodhim final i këtyre aktiviteteve ishte përpilimi i projektit “mbi dëbimin e elementit josllav nga Serbia Jugore”, kurse për rrjedhojë erdhi elaborati famëkeq i akademikut Vasa Çubriloviq, ‘Dëbimi i Shqiptarëve’, më 1937, i bërë për qeverinë e Stojadinoviçit.
Sikundër dihet, aktivitetet shtetërore për dëbimin e myslimanëve (lexo:shqiptarëve) u kurorëzuan me nënshkrimin e konventës Jugosllave-Turke, 11 prill 1938. Kjo Konventë parashihte që në afat prej gjashtë viteve të zhvendosen 40.000 familje shqiptare nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi në zona të zbrazëta të Anadollit.
Ratifikimin dhe realizimin e kësaj konvente e kanë penguar mosmarrëveshjet financiare, fushata shqiptare kundër dëbimit dhe shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore. Ndonëse kjo marrëveshje nuk është ratifikuar e as e kryer sipas planit, ajo megjithatë ka pasur pasoja të rënda për shqiptarët, në të gjitha planet.

NOLI DHE MBRETËRIA SKS
Gazeta serbe “Vreme” në numrin e 13 shtatorit të 1924, kishte botuar një intervistë me kryeministrin e Shqipërisë Fan Nolin. Intervista ishte realizuar në hotelin “Rusia” në Gjenevë nga R. Josimoviqi dhe u botua me titullin “Një orë me Musolinin shqiptar”.
Është për t’u rikthyer në vëmendjen e lexuesit sidomos qëndrimi i Nolit atëbotë ndaj gjendjes së shqiptarëve në Mbretërinë SKS dhe për këtë arsye edhe intervista fokusohej në disa çështje: te raportet me Mbretërinë Serbe – Kroate dhe Sllovene (SKS), “bandat e kaçakëve” që e shqetësonin Mbretërisë SKS, krijimin e një konfederate ballkanike etj.
Duke folur për marrëdhëniet me Mbretërinë Jugosllave, Noli përgjigjet me shumë diplomaci dhe shpesh herë flet për krijimin e raporteve të mira që duhen ndërtuar ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë SKS.
“Nga ana jonë ne duam raporte të mira fqinjësie me Mbretërinë Serbe Kroate Sllovene, sepse na duhet paqja për organizimin e shtetit dhe zhvillimin e tij ekonomik. Për sa më përket mua nuk shoh ndonjë shkak që dy vendet tona të mos kenë raporte miqësore. Si shtete fqinje ne kemi interesa të përbashkët, kurse si popuj ballkanikë, dhe kjo duhet theksuar dhe përsëritur, ne kemi edhe afërsi gjaku. Ka shumë gjak ilir dhe shqiptar në ju, ashtu sikurse ka gjak sllav në venat tona. Përndryshe, nuk ka racë të pastër”, i thoshte Noli gazetës “Vreme”.
Noli flet edhe për çështjen e kufijve, veçanërisht për Shën Naumin dhe Vermoshin, si dy territore kontestuese.
“Ne nuk jemi të kënaqur me kufirin absurd qe na e caktuan fuqitë e mëdha. Humbëm shumë territore dhe shumica e territoreve janë me shumicë shqiptare. Le të flasim vetëm për rajonin e Gjakovës. Ju e dini se e morët vetëm falë manastirit tuaj historik në Deçan, përkundër faktit se e gjithë popullata është shqiptare, përveç 30 familjeve (serbe – S.S.) në këtë rajon. Pjesët tjera të Kosovës që i morët kanë 85 deri 90 për qind popullatë shqiptare. Por ne jemi pajtuar me këtë, edhe pse e dimë se kemi lënë jashtë më shumë shqiptarë se sa ka brenda kufijve tanë. Prandaj ju që jeni 16 herë më në numër dhe 50 herë më të pasur duhet që të pajtoheni nëse Shën Naumi dhe Vermoshi na takojnë neve me vendim të fuqive të mëdha. Ju jeni mjaftueshëm të mëdhenj që të jeni zemërgjerë. Për mua është absurde dhe qesharake që një mbretëri e madhe sikurse SKS të merret me Shqipërinë për një mal të pavlerë sikurse Vermoshi apo për një manastir të mjerë sikurse Shën Naumi”.

ÇFARË SERBIE KEMI PAS 100 VITEVE?
Edhe pas 100 viteve, Serbia vazhdon të jetë megalomane në ide, por me disa ndryshime të vogla kozmetike në qasje ndaj fqinjëve, përfshi edhe shqiptarët. Hiq vitin e kthesës së madhe, 1999, kur Perëndimi, në krye me SHBA dhe NATO i dha një kurs të ri qasjes ndaj Ballkanit, e sidomos ndaj shqiptarëve, kancelaritë europiane, madje edhe segmente të caktuara të politikës së Jashtme të BE-së, megjithatë, në gjithë këto vite ushqyen iluzione të rrejshme se Serbia mund të jetë një aleat besnik i Europës, ndërkohë që ndaj Kosovës u përdorën standarde të dyfishta duke e detyruar Prishtinën zyrtare të armiqësohet madje edhe me popullatën vendore për disa kauza proeuropiane, që në fakt dolën një blof i madh. U abuzua skajshmërisht me disponimin proeuropian të shqiptarëve, kurse premtimi për liberalizim vizash menjëherë pas demarkacionit me Malin e Zi, është shembulli më tipik i këtyre standardeve që aplikohen ndaj Kosovës, duke e detyruar këtë të fundit, të ndërmerr edhe hapa radikal (vendosja e taksës 100 për qind për produktet serbe) që ta mbrojë qëndrimin e saj shtetformues kundrejt politikave irracionale të Beogradi dhe të toleruara nga bujaria e pakuptimt e Brukselit.
Evokimi më i natyrshëm i Mbretërisë SKS në këtë 100 vjetor të themelimit të saj, do të mund të bëhej nëse tash e tutje vendoset një standard korrekt rivlerësimi ndaj gjithë historibërësve, duke i ndarë në njërën anë ‘të burgosurit’ dhe, në anën tjetër, ‘gardiantë’ e asaj Mbretërie.
Të gjitha diopritë tjera, do të dilnin të shtrembëruara, kurse e vërteta sërish do të mund të ngelë peng i (mos)marrëveshjeve të reja.

Loading...