Më 13 tetor dihet emri i fituesit të Nobelit për Letërsi

Akademia suedeze ka bërë të ditur se Çmimi Nobel për Letërsi do të shpallet më 13 tetor 2016.

Ky do të jetë çmimi i 109 me radhë. Ceremonia do të mbahet ditën e enjte, në orën 13:00, ka njoftuar uebsajti zyrtar i Çmimit Nobel.

Ndërkohë, faqet e specializuara britanike të basteve e kanë radhitur shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare në mesin e 5 më të preferuarve për vitin 2016.

Janë po këto lista që një vit më parë kishin radhitur në vendin e katërt fituesen e Nobelit 2015, Svetlana Alexievich, deri në atë kohë një emër jo shumë i njohur, botërisht.

Në krye të listës, ashtu si dhe vitin e kaluar është shkrimtari japonez, Haruki Murakami. Ai ndiqet në këtë listë nga Adonis, poeti sirian, që jeton në Paris.

Në vendin e tretë vjen Ngugi Wa Thongo dhe i katërti është Philip Roth, edhe ky një kandidat që prej vitesh është në krye të listës së Ladbrokes.

I pesti renditet Ismail Kadare, i cili një vit më parë renditej i 7-ti.

Ismail Kadare deri më sot është nderuar me disa nga çmimet më prestigjioze në botë, për letërsinë si “Man Booker Prize” e më gjerë.Pavarësisht kësaj liste, në mediat botërore po komentohet se Nobelin mund ta fitojnë njëri prej tre kandidatëve: Haruki Murakami, Adonis dhe Ismail Kadare.

Loading...