Më afër pacientëve dhe më lirë

Ministria e Shëndetësisë ka filluar një projekt për zhvillimin e kujdesit mjekësor shtëpiak pas ndërhyrjeve kirurgjikale, ku do të përfshihen disa ekipe lëvizëse nga ana e motrave medicinave, shkruan gazeta KOHA.

Vladimir Milloshev, sekretari shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë thotë se qëllimi i kësaj iniciative është kujdesi ndaj pacientit në fazën postoperacionale në një kohëzgjatje prej një muaji. Për këtë qëllim janë caktuar tashmë punëtorë të shëndetësisë, të cilët përmes telefonit do të kontaktojnë me pacientin tre ditët e para pas lëshimit nga spitali, dhe pastaj një herë në javë deri në kontrollën e parë. Gjatë kësaj periudhe, pacienti do të jetë në gjendje t’i raportojë infermieres për çdo ndryshim të gjendjen së tij shëndetësore, me ç’rast do të merr këshilla mjekësore në telefon, të cilat do të jenë të publikuara në faqen e internetit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Por, përderisa kjo nismë po gjen përkrahje nga vetë esnafi mjekësor, ndërkohë po mendohet se cilat kritere dhe kushte paraprake do të duhej t’i plotësojnë motrat medicinave për të qenë pjesë e këtij projekti. Konkretisht cilat prej tyre do ta ndjekin shërimin e pacientit – ato që janë të punësuara në institucionet shëndetësore, dhe do ta bëjnë punën e dyfishtë që i bie të bëjnë edhe punën e mbikëqyrjes së pacientëve në shtëpi edhe pas orarit të punës ose gjatë orarit të punës, apo do të jenë motrat e tjera që kanë kryer shkollë e nuk janë të punësuara?

Nga të gjitha këto, më e logjikshme do të ishte që motrat që kanë kryer shkollë të mesme dhe nuk janë të punësuara, do të duhej të angazhohen në këtë projekt, kjo edhe për efekt parandalimi të largimit të kuadrit mjekësor jashtë vendit.

I këtij mendimi është edhe kirurgu, Besnik Zeqiri, i cili shprehet ase kjo iniciativë, si fillim, është më shumë në të mirën e pacientëve se sa e stafit mjekësor. Sidomos kur disa institucione shëndetësore që nuk i kanë kapacitet që të pranojnë ose mbulojnë përfshirjen e të gjithë pacientëve që të qëndrojnë në spitale me tepër ditë. Zhvendosja e pacientit nga spitali, me ndërhyrje kirurgjikale, në shtëpi, sqaron Zeqiri, nuk mund të bëhet brenda të paktën 3 ose 5 ditë. Kuptohet se qëndrimi i pacientit që është operuar, për 10 ditë do të ketë kosto të lartë si për institucionin shëndetësor ashtu edhe për Fondin e sigurimit shëndetësor, ndërkohë që shtrimi i pacientit në shtëpinë e tij, do t’i kushtojë më lirë spitalit, kurse angazhimi i motrave medicinave do të bëhet nga spitali ku ka është operuar pacienti.

Sa i përket aspektit profesional-shëndetësor, kirurgu Besnik Zeqiri, është i mendimit se kujdesi spitalor në raste të caktuara ka përparësi, sepse pacienti është nën vëzhgim të vazhdueshëm, ndonëse kushtet aspak të volitshme, sidomos të natyrës higjienike, nëpër spitalet shtetërore e rajonale nuk mundësoj shërbime cilësore.

Ky projekt ende nuk i ka dhënë efektet e pritura, për arsye se ende nuk dihet nëse është më i volitshëm për personelin mjekësor, apo për vetë pacientët.

Dr. Zeqiri është skeptik mbi të ardhmen e këtij projekti, por ai ia lë kohës të tregojë nëse procesi i mbikëqyrjes së pacientëve në shtëpi do të funksionojë apo jo.

Loading...