Me rastin e 185 vjetorit të Masakrës së Manastirit

Asllan
Asllan bej Puçja, që kishte qenë në luftë me forcat e Vezirit të Madh në Alasonjë, i ndërpreu luftimet dhe pasi, u takua me Veli bej Jaçen në Mecovë, vendosën të shkonin bashkarisht në Manastir, të shoqëruar me kontigjente të forta ushtarësh, për të parandaluar ndonjë pabesi dhe për t’i shkëputur vezirit të drejtat që pretendonin. Ndërsa Asllan Beu dhe Veli beu shkuan në Manastir, Iljaz Poda, që nuk i zuri besë Vezirit të Madh, u tërhoq në zonën e Dangëllisë dhe filloi të përgatitjet për t’u mbrojtur në malin e Melesinit në rast se sulmohej nga forcat qeveritare, që mund të vinin kundër tij nga Korça ose Janina

Prof. Dr. NEBI DERVISHI

Edhe pak ditë (9 gusht 2015) mbushen plotë 185 vjet të Masakrës në Manastir që zhduku krerët më të rëndësishëm të lëvizjes shqiptare të Jugut, të kryer nga Mehmed Reshit pasha, kryeministri i Perandorisë Osmane në vendin e quajtur Dovlexhik, i quajtur ndryshe me emrin “shqiptar-vrasësi”, ku brenda ca minutash të dt. 09. Gusht të vitit 1830 u likviduan 800 deri 1000 burra, në mënyrë tinzare dhe dredhi.

Rreth kësaj ngjarjeje makabre në historiografinë shqiptare kanë shkruar studiuesit prof Reshat Nexhipi, Prof Petrika Thëngjilli, Prof Koli Xoxe, Dr. Mustafa Ibrahimi, publicisti Qenan Hasani, e ndonjë tjetër, por megjithatë një studim të mirëfilltë e të gjithanshëm me sa jemi në dijeni akoma nuk është shkruar. Me rastin e 185 vjetori të kësaj ngjarje të hidhur, nga më tragjiket në historinë tonë kombëtare, ku brenda disa minutave të datës 9 gusht 1830, në mënyrë tinëzare e dinake me tradhti ekzekutohen mbi 1000 prijsa (krerë) shqiptarë (Dr. Haralampie Polenkoviq shkruan se numri i të vrarëve në Dovlexhik sillej prej 500 deri 1000 feudalë e derebej, kokat e të cilëve u dërguan në Stambollë).

Pak histori për përkujtesë!

Pas vdekjes së Ali Pashë Tepelenës (25 janar 1822) luftën e vazhduan krerë më pak të dëgjuar prej klasës feudale të Shqipërisë Jugore. Qeverisjen e sanxhakëve të Vlorës, Janinës dhe Delvinës sulltani ja dha Omer bej Vrionit si shpërblim ndaj tradhëtisë që i bëri Aliut. Ndonëse ai u përpoq t’i shërbente me zell nuk arriti të vendos qetësinë në vend. Nga ana tjetër nuk mblodhi sasinë e planifikuar të ushtarëve për të shtypur kryengritjen greke dhe nuk pati sukses në ndalimin e marshimit të saj. Për këto arsye nga fundi i vitit 1824 Omer Pashë Vrionin e zavendësuan me Mehmed Reshit pashën nga Kytahia. Atij i dhanë edhe detyrën e valiut të Rumelisë e më vonë edhe postin e sadrazemit ose Vezirit të Madh apo Kryeministrit.

Memed Reshit pasha kishte marrë kompetenca të plota për t’i dhën fund “çështjes shqiptare” e cila nuk ishte zgjidhur edhe pas shëmbjes së Pashallëkut të Janinës. Kjo zgjidhje nënkuptonte dhënien fund të qeverisjes së tokave shqiptare nga vet shqiptarët (Feudalëve shqiptarë). Me zëvendësimin e nënpunësve shqiptarë me të huaj, Reshit pasha ndoqi politikën e grushtit të fort ndaj atyre që ishin gati të shërbenin. Me pagimin e rregullt të rrogave, çështja shqiptare dukej sikur po zgjidhej.

Pas krijimit të kategorisë së re të ushtrisë, të quajtur eshkinxhi e pas shpërndarjes së oxhakut të jeniçerëve, më 1826, filloi lufta e krerëve (prisave) shqiptarë. Ata i konsideruan këto veprime si një hap të ri në zbatimin e reformave centralizuese. Në shenjë proteste, shumë krerë shqiptarë me në krye Zylyftar Podën, nuk iu përgjigjën thirrjes për të marrë pjesë në luftën kundër Rusisë (1828). Krerët shqiptar u hodhën në aksione konkrete dhe bashkërenduan veprimet për ta detyruar sulltanin t’u jepte në dorë qeverisjen atonome si në kohën e Pashallëkut të Janinës. Këtij, qëllimi i shërbyen kuvendet e organizuara në Berat, në Janinë e në Gjirokastër.

Në nëntorë të vitit 1828 në qytetin e Beratit u mblodh një kuvend ku morën pjesë krerë e kapedanë të Shqipërisë së Jugut, si Ismail Bej Vlora, Shahin Bej Delvina, Abdyl Bej Koka, Zylyftar Poda etj. Kuvendi i doli Portës së Lartë me këto kërkesa:

Vendosjen e krerëve vendas shqiptare në krye të tre sanxhaqeve;

Largimin e të gjithë nënpunësve të huaj që kishin ardhur gjatë viteve 1822-1828;

Largimin e Mehmed Reshit pashës nga postet e qeveritarit të Sanxhanqeve të Delvinës, Vlorës dhe Janinës;

Rikthimin e aparatit shqiptar të kohës së Pashallëkut të Janinës. Sipas tyre, sanxhaku i Delvinës t’i jepej Shahim bej Delvinës, ai i Vlorës – Ismail Bej Vlorës, dhe komanda e dërven Pashës Zylyftar Podës.

Sulltani ishte kundër këtyre propozimeve. Meqenëse nuk ishte në gjendje t’i nënshtronte me forcë, ai premtoi se do t’i merrte parasysh kërkesat e shqiptarëve dhe nga ana tjetër, nxiti Mehmed Reshit pashën të lante hesapet me disa nga krerët më të dëgjuar.

Sandrazemi turk (Mehmed Reshit pasha) kishte një plan të caktuar veprimi. Ai mendonte të çfraoste me dinakëri feudalët e mëdhenj dhe derebejtë e të pabindur shqiptarë që ishin pengesa kryesore e centralizimit të pushtetit otoman, dhe pastaj të fillonte ekspeditën për të ndjekur e çfarosur kryengritësit dhe kundërshtarët që do të shpëtonin nga kurthi i tij dinak, duke vendosur njëkohësisht administratën shtetërore turke.

Nga Edreneja Mehmed Reshid pashë mbërriti në Manastir, ku ftoi krerët shqiptarë, e sidomos Iljaz Podën, Asllan bej Puçen dhe Veli bej Jaçen etj., të paraqiteshin në selinë e tij për të biseduar për çështje të organizimit të ushtrisë dhe pagesave të prapambetura.

Asllan bej Puçja, që kishte qenë në luftë me forcat e Vezirit të Madh në Alasonjë, i ndërpreu luftimet dhe pasi, u takua me Veli bej Jaçen në Mecovë, vendosën të shkonin bashkarisht në Manastir, të shoqëruar me kontigjente të forta ushtarësh, për të parandaluar ndonjë pabesi dhe për t’i shkëputur vezirit të drejtat që pretendonin. Ndërsa Asllan Beu dhe Veli beu shkuan në Manastir, Iljaz Poda, që nuk i zuri besë Vezirit të Madh, u tërhoq në zonën e Dangëllisë dhe filloi të përgatitjet për t’u mbrojtur në malin e Melesinit në rast se sulmohej nga forcat qeveritare, që mund të vinin kundër tij nga Korça ose Janina.

Mehmed Rehid pasha nuk kishte aspak ndërmend të bisedonte me krerët shqiptarë që erdhën në Manastir. Përkundrazi, ai kishte marrë masat për t’i likuiduar ata me pabesi. Pikërisht në këtë kohë ai i preu kokën në Berat Hasan bej Vrionit dhe në Manastir vari Shaban Gegën, që kishte zënë rob në Janinë.

Sapo mbërrinë në vendin e ceremonisë dy të ftuarit e parë, Veli bej Jaçe dhe Asllan Puçe, ushtarët që stërviteshin i kthyen pushkët kundër tyre dhe hapën zjarr mbi ta. Kështu të qëlluar në befasi, dy bejlerët shqiptarë dhe shoqëruesit e tyre nuk mundën të bënin veçse qëndresë të vogël, ku ngelën të vrarë edhe bejlerët.

Pasi arriti në Manastir, në fillim të gushtit të vitit 1830 kryeministri Mehmed Reshit pasha ftoi në Manastir të gjithë krerët e pabindur për të marrë gjoja shpërblimet e prapambetura, të zgjidhnin mosmarrëveshjet dhe të siguronin amnestinë e përgjithshme, si dhe të shpallte pajtimin e tyre me qeverinë. Midis të ftuarve rreth një mijë veta, qenë edhe Zylyftar Poda, Çelo Picari, Zejnel Gjoleka, Tafil Buzi, të cilët së bashku me disa derbej dhe fisnikë të tjerë, dyshuan ose u informuan për kurthin që ishte kurdisur dhe nuk u paraqitën. Feudalët besnikë të Perandorisë Osmane nuk u ftuan ose u lajmëruan nga vetë sadrazemi (Mehmet Reshit pasha) të mosparaqiteshin.

Mehmed Reshit pasha për të ftuarit në Manastir kishte organizuar një pritje madhështore. Sipas burimeve historike dhe studjuesve si Prof Reshat Nexhipi, Prof Koli Xoxe, Petrika Thëngjilli etj., ishin rreth 800-1000 prijës (fisnikë) e derebenjë të shoqëruar me ushtarë, të veshur me kostume festive, të cilët ishin elita e popullsisë shqiptare të besimit islam nga trevat e Shqipërisë së Jugut.

Pritja u bë më 9 gusht 1830, në mesditë, në vendin e quajtur Dovlexhik, që shtrihet menjëherë sapo dilet në drejtim të Prespës, në afërsi të urës që lidh rrugën e vjetër të Manastrut me rrugën e re që vjen nga Përlepi në drejtim të Resnjës. Për nder të tyre u zhvillua atë ditë një paradë ushtarake për t’u treguar atyre ushtrinë e re turke të organizuar sipas sistemit evropian. Një bandë ushtarake luajti arie evropiane, aq të çuditshme për veshin e shqiptarëve. Në shenjë të veçantë nderi, aty përpara u radhit një regjiment trupash me diciplinë evropiane.

Por ndërsa parakalonin përpara mysafirëve, ushtarët përnjëherësh, sipas udhëzimeve dhe skenarit të parapregatitur, u ndalën u kthyen nga tribunat dhe filluan të qëllonin në befasi mbi fisnikët dhe derbejtë shqiptarë. Brenda pak minutave u çfarpsën kështu me tradhëti 800 deri 1000 fisnikë feudale e derbej, kokat e të cilëve pasi i krypën u dërguan në Stamboll. Në të njëjtën kohë në Janinë, i biri i Mehmed Reshin pashës, Emin Pasha organizoi një kurth tradhëtie të tillë. Por, këtu u çfaros vetëm një numër i vogël feudalësh e derebejsh.

Me gjithë organizmin e mirë të planit të sandrazemit mjaft feudal e derebej mundën t’I shpëtonin masakrës, ndërkaq Mehmed Reshit pasha me këtë masakër mori emrin “shqiptar-vrasësi”.

Masakra e pabesa shkaktuan zemërimin e krerëve feudal shqiptarë. Në krahina të ndryshme shpërthyen kryengritje lokale, si në Janinë, Beratë dhe në Vlorë. Zylyftar Poda u përpoq t’i shkrinte ato në një kryengritje të përgjithshme feudale shqiptare. Për këtë qëllim ai hyri në bashkëpunim me krerët e tjerë të Shqipërisë së Jugut, madje ftoi në një veprim kryengritës të përbashkët edhe Mustafa Pashë Shkodranin. Meqënëse nuk kapërcyen interesat e ngushta, grindjet dhe mosmarrëveshjet e krerëve, përpjekja e Zylyftar Podës dështoi. Mustafa pashë Bashatliu – Shkodrani u bë përkrahës i kryeministrit për shtypjen e kryengritjeve lokale nëShqipërinë e Jugut.

Kjo masakër e Manastirit, që zhduku krerët më të rëndësishëm të Lëvizjes shqiptare të Jugut, arrestimi i familjeve të luftëtarëve të garnizoneve të qyteteve të Shqipërisë Jugore, konfiskimi i pasurive të tyre, si dhe presioni i vazhdueshëm i forcave qeveritare mbi popullsinë, bënë që feudalët shqiptarë të hiqnin dorë nga kjo lëvizje. Megjithëse një pjesë e tyre u hodh në male për njëfar kohe, lëvizja u shkri, për t’u gjallëruar më pas, në mesin e muajit prill 1831, kur feudalët e jugut mbështetën luftën e Mustafa pashës Bushatliut kundër reformave centraliste në Shqipërinë Veriore.

Këtë përkujtesë kushtuar 185 vjetorit të Masakrës së Manastirit (09 gusht 1830) po e përfundoi me apelin që studjuesit shqiptar në trevat lindore të mirren më shumë me këto ngjarje të dhimbshme nga historia e jonë ndër shekuj, e jo të krekosen e të mburren si “këndezi në kotec”.

Loading...