Mehdi Frashëri, personalitet i shquar i kombit shqiptar

Mehdiu lindi më 28 shkurt 1872, në shtëpinë e madhe të Ragip Beut. Nëpër udhët e pastra të fshatit dhe pyjeve të pafund  të frashërit, kaloi fëmijëria e gëzuiar e tij. Mësimet e para i mori në shkollën e Frashërit, në gjuhën turke, por nuk duhet të harojmë se pikërisht në vitet e fëmijërisë së tij, Frashëri po shndrrohej dalëngadalë në simbol të shqiptarëve, të cilët kërkonin bashkimin e trojeve të tyre. Është vërtetuar tanimë në mënyrë të padiskutueshme, se pikërisht në teqenë e Frashërit, janë mbledhur në ato vite disa herë burrat e Shqipërisë për të folur mbi bashkimin e trojeve shqiptare. Dhe nëse Lidhja Shqiptare e Prizërenit, hyri në histori, së pari ajo kish marrë jetë, pikërisht në teqenë dhe shtëpitë e frashërllinjëve të shquar

 

Eugen SHEHU

 

Frashëri, një fshat i bukur atje në jugun e shtetit amë, ka qenë në shekujt 18 dhe 19-të, streha e disa prej familjeve të mëdha dhe të dëgjuara shqiptare. Të mëdha sepse pronat e tyre janë shtrirë prej Përmetit e deri në Berat dhe të dëgjuara sepse pikërisht këto familje, kan kundërshtuar haptazi, politikën sunduese osmane. Një ndër bijtë e këtyre familjeve të mëdha, Mehdi Frashëri,  do të kalonte fëmijërinë e vet, pikërisht në Frashër, për të ecur më pas në rrugën e vështirë të atdhetarit, diplomatit, governatorit, personalitetit të shquar të kombit shqiptar.

Mehdiu lindi më 28 shkurt 1872, në shtëpinë e madhe të Ragip Beut. Nëpër udhët e pastra të fshatit dhe pyjeve të pafund  të frashërit, kaloi fëmijëria e gëzuiar e tij. Mësimet e para i mori në shkollën e Frashërit, në gjuhën turke, por nuk duhet të harojmë se pikërisht në vitet e fëmijërisë së tij, Frashëri po shndrrohej dalëngadalë në simbol të shqiptarëve, të cilët kërkonin bashkimin e trojeve të tyre. Është vërtetuar tanimë në mënyrë të padiskutueshme, se pikërisht në teqenë e Frashërit, janë mbledhur në ato vite disa herë burrat e Shqipërisë për të folur mbi bashkimin e trojeve shqiptare. Dhe nëse Lidhja Shqiptare e Prizërenit, hyri në histori, së pari ajo kish marrë jetë, pikërisht në teqenë dhe shtëpitë e frashërllinjëve të shquar. I rritur në këtë mjedis, Mehdi Frashëri do të vazhdonte studimet e mesme në vitet 1888-1894, në qytetin shqiptar të Manastirit. Këtu do të binte në sy, etja e madhe e tij për dije, por njëherazi edhe dashuria për trojet arbërore që vuanin natën e gjatë osmane. Në këto vite, i jati i Mehdiu, Ragip Beu, kundërshton rreptë politikën osmane, dhe për këtë arsye, familja e tij internohet në Turqi. Mehdiu, pas mbarimit të shkollës së mesme, falë pasurive që trashëgonte familja shkon në Stamboll dhe nis studimet në Universitet, në shkencat politike dhe ekonomike. Duhet kujtuar këtu se, në fund të shekullit të 19-të, Stambolli pos të tjerave, kishte mjaft personalitete të shquara me origjinë shqiptare, të cilët kishin ngjitur dukshëm shkallët e karrierës në mjaft fusha. Mehdiu, në vitet e studimit në Universitet, pat rastin të njihet me shumë prej këtyre shqiptarëve, të cilët kishin adhurim të veçantë për frashërllinjtë. Kështu, krahas rezulltateve të larta në përvetsimin e dijeve, biri i Frashërit, çdo ditë e më shumë, po njësonte vetëdijen personale, në memorien e kombit të vet. Ngase mabron me rrezulltate mjaft të larta studimet, Porta e Lartë e emëron Mehdiun, në ag të shekullit të 20-të, si nënprefekt në Ohër e mandej në Sanxhak. Pak gjëra dihen mbi veprimtarinë e tij, në këto treva, sidoqoftë mund të flitet me repspekt për autoritetin dhe ndershmërinë që e ka karakterizuar birin e Frashërit, ndryshe nga aradha e rryshfetxhinjëve të nënpunësve osman, të cilët kishin shkuar deri aty, sa t’i hiqnin fshatarit të varfër bukën e gojës. Duke qenë tejet i rreptë në kryerjen e detyrave funksionale Porta e Lartë, në marsin e vitit 1911,  e emëron Mehdi Frashërin në postin e Guvernatorit të Jeruzalemit dhe krejt Palestinës. Ku për rreth një vit, Mehdi Frashëri, drejton punët e mëdha për ngritjen e shtetit ligjor në Palestinë, duke u përpjekur me korrektesën që e karakterizonte të vendoste rregull e qetsi, sipas vendimeve të shpallura nga Porta e Lartë. Por këto urdhëra dhe vendime, ai askurrë nuk do t’i zbatonte në mënyrë të verbër, por gjithnjë, duke njohur mentalitetet dhe vështirësitë e natyrshme që i dilnin përpara. Krahas punëve të mëdha si Guvernator i Jeruzalemit, Mehdi Frashëri, gjatë kësaj periudhe, ndiqte me vëmendje dhe interes të veçantë, ngjarjet në atdheun  e vet, në Shqipëri.

Në marsin e vitit 1912, duke patur besim të plotë në aftësitë e tij organizative, Porta e Lartë e emëron Mehdi Frashërin, në funksionin e nënkomisarit të lartë të Turqisë në Egjypt. Por këtu, biri i Frashërit do të rrinte vetëm disa muaj, për të flakur njëherë e përgjithmonë gradat e hierarkisë shtetërore osmane, dhe për t’u bashkuar sup me sup me burrat e kombit tonë, për t’u dalë zot trojeve arbërore. Ai shkon në Shqipëri në vjeshtën e vitit 1912, duke u radhitur pranë atdhetarëve të shquar si ; Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Mid’hat Frashëri, Abdi Toptani, Mehmet Pashë Deralla, Sali Gjuka,  Rexhep Mitrovica etj.

Në shkurt të vitit 1913, gjendja e brendshme në Shqipëri, ishte mjaftë e turbullt. Por akoma më e rrezikshme ishte situata në kufijtë shqiptare, të cilët, ishin pushtuar prej  fqinjëve sllav e grek, duke synuar edhe coptimin e plotë të trojeve arbërore. Ndonëse qeveria e dalë nga Kuveni historik i Vlorës, pati nisur asaj kohe përpjekje të mëdha diplomatike nëpër evropë, forcat kombëtare shqiptare nuk mund të përballonin ushtritë e rregullta të shovenëve sllavo-greke, të cilët çdo ditë e më tepër, përparonin drejt Vlorës, duke shkretuar vendet ku shkelnin. Me nismën e Fuqive të Mëdha, të cilët shihnin Shqipërin tonë vetëm si plaçkë tregu, u formua në këtë kohë, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit për Shqipërinë. Mbi bazën e një marrveshjeje të veçantë, në këtë komision, pala shqiptare do të kishte përfaqsuesin e vet dhe Ismail Qemali, ia ngarkoi këtë barrë të rëndë Mehdi Frashërit,  duke u nisur jo vetëm nga aftësitë diplomatike dhe organizzative, por sidomos nga shqiptarizmi i shpallur prej kohësh, nga biri i Frashërit. Falë njohurive të mëdha të tij, në rrafsh të së drejtës ndërkombëtare, por edhe zotërimit të disa gjuhëve të huaja, Mehdi Frashëri, me qëndrimet parimore dhe atdhetare, ndikoi së tepërmi në mjaft prej vendimeve që mori Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit për Shqipërinë. Me një qartësi dhe sinqeritet të jashtëzakonshëm, me një penë artisti të vërtetë, ngjarjet e trishtueshme për Shqipërinë në vitet 1913-1914, janë përshkruar prej Mehdi Frashërit në kujtimet e veta. Kështu ndërsa bën fjalë për revoltën e verbërt të disa bashkëkombasve ai shkruan tekstualisht ; “Kur po kthehesha në qytet ishte bërë natë. Sheh Hamdiu na shoqëroi me disa rebelë të armatosur, për të na ruajtur. Kur kaluam qafën e Rrashbullit dhe po i afroheshim qytetit, anijet luftarake të Austrisë dhe Italisë, drejtonin prozhektorët e tyre gjatë rrugës, për të parë se mos rebelët sulmonin Durrësin. Njerëzit e armatosur që na shoqëronin, kur vinte përpara drita e prozhektorit, nuk e kalonin vendin e ndriçuar sepse kujtonin se drita e kaurit i njihte myslimanët dhe mund t’i dëmtonte prandaj prisnin derisa largohej ajo. Mbas një dy ditësh, rebelët filluan të thërrisnin;”Duam Babën !”. Komisioni ndaloi për pak kohë, në godinën qeveritare të qytetit. Kudo pamë qindra njerëz të armatosur, me të cilët nuk ishte e mundur me u marrë vesh, sepse s’kishin fjalë tjetër veç “Duam Babën!”.  ( Mehdi Frashëri,  Kujtime 1913 – 1933 ,  “Lumo Skendo “-Tiranë 2002 ,  faqe 20 ).

Tashmë nën dritën e dokumenteve arkivore, ka një mendim pothuaj të njejtë prej historiografëve shqiptarë, se lëvizja për të sjellë një princ nga Turqia, ish në vetvehte një strategji greke dhe serbe për coptimin e Shqipërisë. Duke futur luftën vëllavrasëse mes shqiptarëve, fqinjët sllavo-grek, donin që edhe ajo ushtri e pakët kombëtare, të sillej rrotull në Shqipërinë e Mesme, ndërsa Atthina e Beogradi, të shkëputni trojet verilindore e jugore, edhe ashtu Shqipërisë së coptuar, nën preteksin se shqiptarët nuk mund të vendosin rend dhe të vetqeverisen. Në këtë periudhë duke qenë si përfaqsues i Shqipërisë në Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit, Mehdi Frashëri u përpoq me çdo mjet e mënyrë për të qetësuar sadopak ngjarjet, duke u prirur kurdoherë nga interesat kulmore të kombit tonë. Në vitet 1916-1917, atëherë kur shumë prej atdhetarëve shqiptarë mërguan nga rrezikiqet që u vinin vërdallë, Mehdi Frashëri shkon në Itali. Por tanimë emri i tij është bërë publik në qarqet e politikës italiane dhe duke u parë si anti italian, dërgohet në Shën Mitër Korone. Falë njohurive të tij, si edhe përvetsimit të shkëlqyeshëm të disa gjuhëve të huaja, në këtë trevë ku ishin ngulur prej shekujsh bashkëkombasit e vet, arbëreshët, Mehdi Bej Frashëri, fillon punë si mësues i gjuhës shqipe. Në këtë mision fisnik, ai mundet t’u hape nxënësve të vet arbëreshë, vizione të qarta jo vetëm për të shkuarën por sidomos për të ardhmen e tyre. Ngabrigjet e bukura të Shen Mitër Koronës,  Mehdi Frashëri ndjek me vëmendje zhvillimet e Luftës së Parë Botërore, duke drejtuar kurdoherë, sytë dhe zemrën nga atdheu i vet ,  Shqipëria.

Përfundimi i Luftës së Parë Botërore, do ta gjente Mehdi Frashërin në Shqipëri. E vërteta është se ai u thir nga qarqet e larta të politikës italiane, të cilët i ofruan ndihmën për ta hypur në fronin më të lartë shqiptar. Por kushtet e vënë nga italianët biri i Frashërit nuk mund t’ pranonte, prandaj në mënyrë të hapur dhe krejt shpërfillëse, nuk pranoi asnjë ofertë prej Italisë. Ndërsa në pranverën e vitit 1919,  atdhetarët shqiptarë, duke pranuar aftësitë diplomatike të Mehdi Frashërit,  e caktojnë ate në grupin e delegatëve, të cilët do të përfaqsonin Shqipërinë, në Konferencën e Paqës në Paris. I njohur si personalitet me njohuri të thella, në rrafsh të të drejtave ndërkombëtare, Mehdi Frashëri do të kontribonte me të gjitha forcat, për të ngritur sa më lartë zërin e Shqipërisë. Përballë rreziqeve të mëdha për coptimin e plotë të trojeve shqiptare biri i Frashërit, u ngrit jo vetëm me fjalën dhe qëndrimin e tij, jo vetëm me bagazhin e madh teorik e praktik që dispononte, por edhe miqësinë e shoqërinë e madhe, që gëzonte, në rrethet e diplomacisë evropiane të kohës.

Ndërkohë që në vitin 1921, Mehdi Frashëri emërohet në funksionin e ministrit të brendshëm të Shqipërisë, ku ndërmer reforma nga më radikalet, lidhur me ruajtjen e qetsisë në vend. Ai ishte plotësisht i bindur, se vetëm duke vendosur ligje të rreptë, do të mund të vendosej qetësia ndër shqiptarët, duke patur pas këtej, detyrimet e tjera që vinin prej orekseve shovene të fqinjëve.  Largpamës në idetë e tij, por edhe i karakterizuar nga një energji e pashuar fizike, Mehdi Frashëri mundi të krijojë një situatë normale për zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri, në vjeshtën e vitit 1921. Pjekuria politike e tij, u shfaq dukshëm në rrafshin e përfaqsimit të saktë të religjioneve fetare në parlamentin shqiptar të atyre viteve. Vetë Mehdi Frashëri nuk mungoi të shkonte në Korçë,  Kolonjë, Gjirokastër e deri në Mirditë e Shkodër, duke folur jo vetëm me parinë e këtyre trojeve, por edhe një varg atdhetarësh të shquar, të cilët kishin prirje demokratike. Në këto zgjedhje të para parlamentare në shtetin amë, (të cilat u konsideruan tejet korrekte dhe të lira nga shtypi evropian i kohës) biri i Frashërit e pat vënë kandidaturën e vet, në qytetin e Elbasanit. Populli i urtë dhe i mençur i këtij qyteti, duke njohur thjeshtësinë dhe atdhetarinë e Mehdi Beut, nuk nguroi të zgjedhë atë përfaqësues të vet dhe fakti është se zëri i birit të Frashërit, u ngrit fort në parlament, lidhur me të drejtat e zgjedhësve dhe krejt kombit shqiptar.

Në janarin e vitit 1923, Mehdi Frashëri caktohet në funksionin e përfaqësuesit të Shqipërisë pranë Lidhjes së Kombeve në Gjenevë – Zvicër. Me të marrë këtë detyre, dhe duke u përballur me një sërë problemesh e ngatërresash politike e diplomatike, në të cilat qe përfshirë Shqipëria, si rezultat i copëtimit makabër të trojeve të saj në vitin e mbrapshtë 1913. E vërteta është se Mehdi Frashëri,  duke qenë në detyra të larta të hierarkisë shtetërore osmane, pati fituar një përvojë të madhe në rrafshe të të drejtave ndërkombëtare. Ai ishte njohës i mirë, jo vetëm i historisë së kombit të vet, por edhe kombeve të tjera të Ballkanit, me ç’rast dinte të vlerësonte ngjarjet në çdo kontekst të tyre. Përfaqësimi i Shqipërisë prej Mehdi Frashërit, në Lidhjen e Kombeve në janarin e vitit 1923,  përkonte me këmbimin e popullsisë turke e greke, sipas parapëlqimit të qeverive përkatëse. Qeveria Helene e asaj kohe, pikërisht mbi bazën e këtij traktati, pat nisur përgatitjet për shpërnguljen e popullsisë gjoja turke, ku sipas Grekërve, çdo shqiptar i Çamërisë i cili nuk ishte ortodoks, patjetër që ishte turk dhe për këtë duhej të dërgoheshin në Anadoll. Lidhur me këtë problem, në fundjanarin e vitit 1923, Mehdi Farshëri i drejtohet me një letër zotit Montagna, kryetar i komisionit të Pakicave në Lidhjen e  Kombeve me një letër, ku pos të tjerave i kumton ; “Shkëlqesi ! Delegacioni ynë është i informuar se ndërmjet delegacioneve turk e greke janë duke u zhvilluar bisedim për këmbimin e ndërsjellë të popullsive myslimane dhe greke. Delegacioni ynë,  e ndjen për detyrë, të tërheq vëmendjen e shkëlqesisë tuaj, për fatin e shqiptarëve me banim në Greqi dhe veçanërisht në Epirin  jugor, dhënë Greqisë, në vitin 1913. Popullsia shqiptare, banon në këto troje, qysh në kohët e lashta, bile sipas gjuhtarëve dhe historianëve, para arritjes së grekërve në Evropë. Të detyrosh një popullsi të tillë, që nuk ka asnji afri gjuhe dhe race me elementin turk, i vendosur si pushtues në këtë vend, do të përbënte një padrejtësi shumë të rëndë”. (A. Q. i shtetit–Tiranë. Fo.  251, dosja 203, fl.  6 ).

  Vetëm dy-tri ditë, pas kërkesës së bërë nga përfaqësuesi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, Mehdi Frashëri, në adresë të tij, zoti Montogna i drejtohet me një letër, ku pos të tjerave në letër thuhet ;

“Ju njoftoj se në seancën e nënkomisionit për këmbimin e popullsive. . .  të këtij muaji u ngrit çështja e fatit të shqiptarëve që banojnë në Greqi dhe posaçërisht në Epirin Jugor. Jam i lumtur t’ju bëj të ditur se përfaqësuesi turk dhe grek, deklaruan qartë se pakicat shqiptare të Turqisë apo të Greqisë, janë ligjërisht dhe faktikisht të përjashtuara nga këmbimi i popullsive”.  ( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë.  Fondi 251 ,  dosja 203 ,  fleta 14 ) .

  Po misioni i birit të Frashërit, nuk do të mbaronte me kaq. Në vitet 1923-1926, atëherë kur ambasadori i Shqipërisë në Athinë, ishte Mit’hat Frashëri, të dy këta burra të shquar, mbajtën korrespondencë të vazhdueshme, lidhur me dhunën e andartëve grekë, kundër popullsisë etnike shqiptare që banonte në territoret e shtetit grek. Madje, në vitin 1924, të dy frashërllinjtë takohen në Romë, ku ndërthurin planet për shpëtimin e Çamërisë nga zgjedha e urryer greke, si në rrafshin politiko-diplomatik, ashtu edhe propagandistik. Ndërkaq Mehdi Frashëri vazhdonte plot energji edhe jetën parlamentare. Fjala e tij, në këtë kuvend, do të dëgjohej kurdoherë me vëmendje, jo vetëm për pjekurinë por edhe aftësitë parashikuese të tij. Biri i Frashërit, do të mbetej kurdoherë konsekuentë në idetë e veta për Shqipërinë Etnike. Ai do të mbronte me shpirt interesat e Çamërisë, Kosovës e Maqedonisë Shqiptare, duke i konsideruar këto troje si të përkohshme nën thundrën e robërimit të sllavo-grekërve.

Dimensioni atdhetar i Mehdi Frashërit, do të shfaqej edhe në luftën e pa kompromis që ai do t’u bënte tradhtarëve të Shqipërisë. I brumosur me një dashuri natyrore për çdo bashkëkombas të vetin, gjithsesi ai do të mbante qëndrim të prerë ndaj interesave kombëtare. Lidhur me këtë emër, në kujtimet e veta, vite më pas do të shkruante ; “ Një ditë, ndërsa rrija në Hotel “Avenue Friedeaud”, më erdhi Stavre Stavri, i cili figuronte si ministër i jashtëm dhe sekretar i Esat Pashës. Me gëzim të madh mu afrua, duke më thënë se në Tiranë, është bërë një mbledhje e madhe, kanë caktuar një dërgatë të posaçme, për ta sjellë në Paris dhe për t’i afruar Esat pashës, kryesinë e qeverisë së Tiarnës. Tërthorazi donte të më thoshte, që të më çonte tek Esat Pasha, për t’u takuar me te. . .  Fakti qëndron se unë, duke ditur pazaret e Esadit me serbët, nuk mund ta vizitoja, gjatë gjithë kohës që qëndrova në Paris, vetëm një herë u takova me të, dhe krejt rastësisht. Kur shkuam në fillim, rrinim me Myfit Beun, në hotelin “Perveis”. Një ditë erdhi Esad Pasha në hotel, ndërsa unë po rrija në sallon. Duke më dhënë dorën, më tha se kishte ardhur për Myfid Beun, me qëllim që të kuptoja se ai nuk kishte dëshirë të takohej me mua. Hodhi dhe disa fjalë qesëndie për nacionalistët shqiptarë dhe shtoi se “Kur të vije në Durrës, qeverinë tuaj do ta var !”.  Unë i thash se kjo punë nuk dihet, nëse do të varim ne tye apo t’i neve. Pas kësaj përgjigjeje, i zbuti fjalët dhe u ngrit e shkoj”. (Mehdi Frashër, ”Kujtime 1913-1933, ”Lumo Skendo”Tiranë, fq 76).

  Gjatë viteve 1923-1928, Mehdi Farshëri është në funksione të larta administrative në shtetin shqiptar si ministër i jashtëm, ministër i brendshëm, i punëve botërore, si edhe përfaqësues i Shqipërisë në komisionin evropian të caktimit të kufijve. Në të gjitha këto funksione, ndershmëria dhe thjeshtësia e tij, u ndërthurën me ate shqiptarizëm të kulluar, që ishte i brymosur në vetëdijen njerëzore. Soi ministër i punëve botërore, priret  kurdoherë nga përvoja perëndimore. Me nismën e vet,  thërret nga Italia, Austria dhe Anglia, specialistë të fushave të ndryshme, duke i shoqëruar vetë ata nëpër Shqipëri.  I bindur për resurset e mëdha natyrore të vendit tonë, në bashkëpunim me këta specialistë, në vitet 20 të shekullit që lamë pas, Mehdi Frashëri mundi të krijojë në trevat e Shqipërisë së mesme, disa bashkime e shkolla fermerësh, të cilat kanë qenë modele të përparimit evropian. Këto lëvizje të fuqishme agrare, i kanë dhënë shtysë të madhe zhvillimit ekonomik të vëndit në shtetin amë, i cili për hirë të së vërtetës, duhet thënë se ka qenë tejet i prapambetur në ato vite. Praktikat bujqësore, në bashkëpunim me shkollën teknike amerikane, në Tiranë, ende sot janë të panjohura si duhet prej specialistëve shqiptarë të atyre fushave. Por në thelb, këto praktika, ndonëse u luftuan prej injorancës së atyre viteve,  kanë prurë një mentalitet të ri në jetën e bujqëve shqiptarë.

Gjatë tërë këtyre viteve, të mbushur me punë, sakrifica, ëndrra dhe zhgënjime, Mehdi Frashëri nuk mungoi asnjëherë të mbronte çështjen shqiptare në Lidhjen e Kombeve. Por, midis shumë fjalimeve brilante të tij, unë mendoj të veçoj në këto rreshta pikërisht, atë të sesionit të 50-të, të datës 5 qershor 1928, në debatin midis tij dhe Politis, përfaqësues i qeverisë greke. Me fakte konkrete dhe emra konkret, biri i Frashërit, mundi të çojë në Gjenevë, në organizimin përkatës të Lidhjes së Kombeve,  krejt atë situatë të ndjerë për banorët e Çamërisë, të cilët shtypeshin parreshtur prej çizmes greke.  Pos të tjerave, në këtë debat, duke folur mbi dhunën psikologjike dhe fizike greke, të ushtruar mbi bashkëkombasit e vet, Mehdi Frashëri shprehet tekstualisht ; “Agjentët e autoriteteve greke, pasi humbasin shpresën për t’i përzënë nga vatrat e tyre me forcë, përdorin metoda të tjera të ndryshme për t’ua neveritur shqiptarëve jetën, Ja disa nga këto përdorime ;

a-rezervistë të vjetër detyrohen të paguajnë një taksë të përjashtimit nga shërbimi ushtarak,  e cila sipas mundësive financiare, luhatet midis 3 dhe 10 milion dhrahmive, diçka që është në kundërshtim me ligjet e Greqisë.

b-Rekrutët e klasës 1920 janë thirrur nën armë me preteksin se nuk janë rekrutuar me klasën e tyre, sepse atëher konsideroheshin të këmbyeshëm.

c-Rekrutët me origjinë shqiptare në p¨üergjithsi nuk shërbejnë më në ushtrinë greke si ushtarë, por përdoren në shërbim etë rënda e të lodhshme, si p. sj.  për ndërtimin e rrugëve, pune në rrugë, pune që nuk kanë të bëjnë me shërbimin ushtarak.

Shqiptarët me dallim nga qytetarët e tjerë grekë, nuk janë të autorizuar të marrin pjesë në zgjedhjet bashkiake e komunale, antarët e këshillit janë gjithmonë grekë dhe aty ku numëri i tyre në krahasim me ate të shqiptarëve është një pakicë e papërfillshme. Rrethet elektorale janë përjashtuar në mënyrë të tillë që shqiptarët që duhej të kishin dy deputetë nuk kanë asnjë përfaqsues në Parlamentin grek. Në kundërshtim me dispozitat e traktateve, në asnjë vend të Çamërisë nuk ka Mufti (shef fetar) të zgjedhur nga popullata. Për më tepër, duke qenë se xhamia e Janinës është e pushtuar, myslimanët shqiptarë gjenden të ndaluar që të ushtrojnë fenë e tyre. Për të dhënë një ide të politikës, viktimë e së cilës janë shqiptarët, më lejoni të përmendi se shpronsimet ndaj tyre kanë qenë arbitrare. Fshatarët pronarë copash të vogla toke që ata kultivonin me krahët e tyre ose, siç i quajnë grekët kelafofore, janë privuar nga pronarët e tyre duke u nëpërkëmbur edhe ligjet në fuqi, diçka që nuk është zbatuar kurrë për grekët. Kështu shqiptarët privohen nga pyjet komunale dhe nga kullotat komunale. Shpronësimi, atje kur parashihet nga ligji, për elementin shqiptar zbatohet pa shpërblim dhe në mënyrë të tillë që pronarët të lihen plotësisht të zhveshur, kjo ishte mënyra se si u shpronsuan njëzet pronat e Frar-it pa u dhënë ndonjë kompesim poseduesve, megjithë një vendim të marrë nga z. Venizellos kur ai ishte në fuqi. Me dhjetra prona të personave jo të këmbyeshëm, madje të paisur me dokumente të lëshuara nga Komisioni Mikst, i janë dorëzuar Bankës së Greqisë dhe vazhdojnë të administrohen prej saj pa iu paguar asnjë qindarkë pronarëve të ligjshëm. Pronat e paluajmtshme të Teqeve (kuvende bektashiane) të Konicës, Kaillarit, Elesonës etj, që u përkasin shqiptarëve dhe që janë regjistruar në kadastër si të tilla, janë konfiskuar. Rasti i disa personave si ai i Ihsan Potaxhit në Janinë dhe Jagdizh Zade Osmanit në Selanik është konsideruar si i dyshimtë, megjithë vendimet e dhëna e të komunikuara zyrtarisht Qeverisë greke nga Komisioni Mikst në ate kohë.  Në Çamëri nuk ka asnjë shkollë në gjuhën shqipe, kështu që të gjithë rinia e kësaj krahine është zhveshur nga favoret e arësimit dhe është lënë në një obskurantizëm të plotë. Të gjitha kërkesat e bashkisë shqiptare që synojnë çeljen e shkollës shqiptare, deri më sot kanë mbetur pa rezulltat. Është për të shtuar edhe se snjë i ri shqiptar nuk pranohet në konviktet greke (ikotrofia) që ndodhen në krahinën e Çamërisë”. ( A.  Q.  i shtetit – Tiranë,  fondi 251,  dosja 40 ,  fleta  215-216 ).

  Në vitin 1929, Mehdi Frashëri zgjidhet në funksionin e kryetarit të Këshillit të Shtetit, ku dha ndihmesë të çmuar në hartimin e mjaft ligjeve, së bashku edhe me nacionalistë të tjerë shqiptarë, Mehdiu kontriboi sa mundi, jo vetëm për përpilimin teorikisht të këtyre ligjeve të Kodit Civil, por edhe për të kërkuar nga qeverit e atyre kohëve, zbatimin rigoroz të ligjeve. Ka qenë pikërisht, përkushtimi dhe pjekuria e burrit të Frashërit, në procesin e ripërtëritjes së funksionimit të administratës shtetërore, çka bëri që Mbreti i Shqiptarëve Zogu i Parë, ta emëronte atë, në vitin 1935, në funksionin e Kryeministrit të Shqipërisë.  Por është me vend të kujtojmë këtu, se në vitin 1935, orekset e Italisë fashiste ndaj atdheut të shqipeve, sa vinin  e rriteshin. Era e fashizmit në Evropë dukej të ndizte dëshirat italiane për pushtime dhe këta ndërmorën një varg masash diplomatike dhe ushtarake për të marrë nga “brenda” kalanë shqiptare. Burri i pjekur dhe i urtë i Frashërit, ka kundërshtuar në ato momente, disa prej ndërhyrjeve kryesore italiane dhe kur e pa se diplomacia italiane nuk rreshtete shantazhet, dha dorëheqjen. Dorëheqja e tij, u kuptua nga Mbreti Zog, si një gjest atdhetar, duke i dhënë mundësi këtij, që të vinte tjetër në atë post, të niste nga e para,  kundërsulmet ndaj ndërhyrjeve italiane. Vizioni atdhetar i Mehdi Frashërit, do të shpalosej sidomos në vitet e para të prillit 1939. Kur u pa qartë se Italia do të sulmonte ushtarakisht, Mehdi Frashëri, në funksionin e parlamentarit shqiptar, mori takime me Mbretin Zog, duke e bindur ate për rezistencë të armatosur. Ndërkaq ai mori takime edhe me diplomatë të huaj në Tiranë, duke u kërkuar atyre të ndërhynin pranë qeverisë përkatëse, me qëllim që të nadlonin agresionin fashist kundër Shqipërisë.  Dhe kur pas se çdo përpjekje ishte e kotë, në mëngjezin e 7 prillit 1939, nëpërmjet mikrofonit të Radio Tiranës, burri i Frashërit i bëri thirrje popullit shqiptar, të ngrihej i tëri, me armë në dorë, kundër okupatorit. Vetëm tri javë pas okupimit të Shqipërisë, italianët e kanë dërguar Mehdi Frashërin në internim në Itali, duke e konsideruar ate si një kundërshtar potencial të tyre. Burri i Frashërit, do të jetonte sërish përmes sakrificash, nga viti 1939 e deri më 1943, kur do të kthehej të jetonte sërish në atdhe pas kapitullimit të Italisë. Ndonëse 70 vjeçar, i ligështuar nga shëndeti, ai do të bashkohej me plejadën e shkëlqyer të nacionalsitëve shqiptarë, të cilët në vitet 1943-1944, u përpoqën t’u dalin për zot fateve të kombit shqiptar. Së bashku me Fuad Dibrën, Luf Nosin, At Anton Harapin, Abaz Kupin,  Mid’hat Frashërin, Xhafer Devën, Rexhep Mitrovicën etj, ai u përpoq të vinte themelet e shtetit modern shqiptar, në kufijtë e të cilit, të ishin krejt trevat tona etnike. Madje ky ishte edhe qëllimi që ai pranoi të virej në janarin e vitit 1944, në funksionin e Anëtarit të Këshillit të Regjencës.  Në këtë funksion, Mehdi Frashëri do të shpalloste jo vetëm pjekurinë  por sidomos shqiptarizmën e tij. Tejet largpamës, ai dijti të krijojë marëdhënie të ndërsjellta dhe korekte me gjermanët, me ç’rast shikimin e hidhte në Kosovë e maqedoninë Shqiptare. Një numër i madh dokumentash, provojnë shqiptarizmën e tij dhe jo “tradhëtinë” sipas bollshevikëve shqiptarë. Duke parandjerë se në ç’duar të verbërta do të linte, ai largohet nga Shqipëria në nëntorin e vitit 1944, së bashku me gruan dhe tre fëmijët e vet, prej ku vendoset në Romë. Këtu kalon vitet e mbrame të jetës, duke shkruar kujtimet e veta, si edhe historinë e Shqipërisë(pjesën e dytë ).

Ai ndjek me vëmendje zhvillimet në shtetin amë, dhe  ligështohet ndërsa sheh  sëmundjen e tmershme të komunizmit, të pushtojë shpirtërat e bashkëkombasve të vet. Mban korespondencë me mjaft atdhetarë shqiptarë dhe posaçërisht me Mbretin e Shqiptarëve Ahmet Zogu. Kështu, deri sa mbylli sytë, në shtëpinë e vogël, në Romë, më 25 maj 1963, në moshën 91 vjeçare. Në ceremoninë mortore, do të merrnin pjesë nacionalistë shqiptarë nga Evropa dhe Amerika, ndërsa gazeta “Shqiptari i Lirë” që dilte në New-Jork, më 31 maj do të shkruante ; “Me vdekjen e Mehdi Frashërit,  qajmë një patriot dhe një epokë që zhduken së bashku, duke kaluar të përjetsuar në histori. . .  Mehdi Frashëri, që nga viti 1912 e këtej, simbolizoi gjithshka është sinonim me patriotizëm dhe vlera morale, shpirtërore, kombëtare dhe ideale të popullit shqiptar”. Por la gjurmët e pashlyera të një figure të nacionalizmit të pastër shqiptar, do të themi ne.

 

Loading...