Triumfi i madh ndaj Vëllazërimit në Kërcovë me rezultat 4-1, e ka ngjitur skuadrën e Korabit në vendin e gjashtë me 15 pikë pas 12-të javësh të luajtura në Ligën e dytë të Maqedonisë, grupi i Perëndiit dhe tani trajneri Mensur Nexhipi mund të buzëqeshë.

Në një rrëfim për Lajm, ai mes tjerash tregon për ecurinë e rezultateve të deritanishme dhe për atë se sa pikë i pret me Korabin deri në fund të sezonit vjeshtor.

“Ishte koha e fundit që të shpërthejmë diku, pasi ekipi tregonte paraqitje shumë të mira, dhe kjo ndodhi pikërishtë në Kërcovë. Ne nuk kishim shënuar në asnjë ndeshje katër gola, ndërsa kundër Vëllazërimit ia dolëm. Atë ditë ishim të disponuar edhe për lojë dhe për gola. Por, me këtë rast dua të falënderoj kryesinë e vendësve për lojën fer dhe mikpritjen e ngrohtë. Edhe pse humbën na e dhanë dorën. Ky është sporti dhe futbolli”, e nis rrëfimin e tij trajneri i dibranëve, Mensur Nexhipi.

Trajneri me përvojë të madhe debutoi me fitore (1-0) në pankinën e Korabit në ndeshjen e javës së katër kundër Skopjes, në Dibër.

Dhe, në tetë ndeshjet e deritashme, ai ka një bilans prej katër fitore, një barazim dhe tre humbje.

“Duhet të jemi të kënaqur me rezultatet e deritanishme, kur të merret parasysh se si e kam gjetur skuadrën, në krizë të rezultateve dhe me fond të pamjaftueshëm të lojtarëve, por edhe me lëndime. Ju siguroj se në tre ndeshjet, të cilat i kemi humbur asnjë skuadër nuk na ka mposhtur me meritë. Të tre ndeshjet, si me Struga Trim Lum, Labunishtën dhe Pelisterin, të gjitha si mysafirë, i kemi humbur në kohët shtesë. Unë them se madje është dashur të fitojmë, por për shkak të mosrealizimit rasteve të panumërta dhe mungesës së fatit kemi mbetur pa pikë”, deklaroi strategu i njohur Mensur Nexhipi.

Sipas tij, meritat për këto u takojnë futbollistëve dhe tifogrupit “Sokolat”.

“Për këto rezultate të mira meritat u takojnë futbollistëve, pasi ata ndryshuan qasjen si në stërvitje, por edhe në ndeshje. Këtu më duhet patjetër të përmend tifozët tanë ‘Sokolat’ që na kanë mbështetur në cdo ndeshje, pra edhe si mysafirë. I falënderoj publikishtë nga zemra. Ata janë motivi ynë, lojtari i 12-të i Korabit”, theksoi Nexhipi.

“Deri në fund të sezonit vjeshtor kanë mbetur të luhen edhe dy ndeshje. Në fund javë takohemi me Skopjen si mysafirë dhe në javën e fundit kundër Genc Kalemler në Dibër. Unë planifikojë që të kemi edhe katër pikë në saldon tonë, sepse kur erdha te Korabi kam menduar që sezonin e parë ta mbyllim me 19 pikë, ndonëse kryesia ishin të kënaqur edhe me 15 pikë”, përfundoi trajneri i Korabit të Dibrës, Mensur Nexhipi.

Korabi, të mërkurën, në Strumicë do të zhvillojë ndeshjen e parë cerekfinale të kupës së Maqedonisë kundër Akademija Pandev.

Loading...