Liderët e Turqisë, Rusisë, Francës dhe Gjermanisë publikuan deklaratë të përbashkët pas samitit katërpalësh për Sirinë të mbajtur në Stamboll, përmes së cilës nënvizuan nevojën e vazhdimit të luftës kundër terrorizmit dhe arritjen e një armëpushimi të përhershëm në Siri.
Në deklaratën e përbashkët pas samitit, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, kanë shprehur shqetësime të përbashkëta ndaj rreziqeve që paraqet kriza në Siri për stabilitetin dhe sigurinë rajonale dhe globale.
Liderët kanë konfirmuar përkushtimin për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Sirisë, si dhe parimet dhe synimet e Kartës së OKB-së, thuhet në deklaratën e përbashkët përfundimtare.
“U riafirmua vendosmëria për luftë kundër terrorizmit me qëllim eliminimin e të gjitha organizatave të cilësuara si terroriste nga KS-OKB, siç janë ISIS-i, Fronti Nusra dhe Al Kaeda, ose të gjithë individët e tjerë, grupet, iniciativat dhe subjektet e lidhura me ISIS-in. Po ashtu u shpreh vendosmëri për të refuzuar të gjitha axhendat separatiste që synojnë të dëmtojnë sigurinë kombëtare të vendeve fqinje, sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë”, theksohet në deklaratë.

Loading...