Afrim Fanda
Është për të përshëndetur iniciativa e ditëve të fundit e një grupi të intelektualëve shqiptarë të IRJM për të komunikuar përmes një memorandumi shqetësimin dhe qëndrimin e tyre publik lidhur me negociatat e qeverisë së IRJM dhe qeverise greke për emrin e ri te IRJM.
Në media janë publikuar pikat për të cilat është rënë dakord dhe të cilat besoj do të jenë baza e Memorandumit. Me të drejtë në këto pika të publikuara kontestohet çfarëdo zgjidhje për emrin e ri të shtetit pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë edhe të faktorit shqiptar, zgjidhje qe nuk do ta pasqyronte realitetin etnik, historik, kulturor dhe gjuhësor të IRJM.
Në kushtet e injorimit të plotë nga ana e klasës politike dhe mungesës të një debati më të gjerë dhe të thelluar publik lidhur me këtë çështje të rëndësishme, në këtë shkrim po shpalos pritshmëritë e mia nga Memorandumi i paralajmëruar.
Pa paragjykuar të tjerët që nuk i njoh, në këtë grupim ka individë që kanë dhënë prova të pakontestueshme për qëndrime pa kompromis në mbrojtje të çështjes kombëtare. Duke u nisur nga ky fakt, mbështetur në atë që quhet “guxim intelektual”, prisnja që këta intelektualë para se të analizonin dhe shpallnin qëndrimet e tyre konkrete lidhur me propozimet për emërtime të mundshme, të sqaronin opinionin shqiptar se përse shqiptarët në IRJM janë të papërfaqësuar dhe të injoruar në këto bisedime. Përse, ashtu siç ka ndodhur edhe më parë gjatë historisë së tyre, edhe sot, të tjerët vendosin për fatin e tyre? Pse intelektualët u detyruan të dilnin me një Memorandum për çështjen e emrit, ndërkohë që shqiptarët kanë përfaqësuesit e tyre legjitim në pushtet, të cilët kanë mandatin dhe mbajnë përgjegjësi për të mbrojtur interesat e tyre?! Kjo sjellje indiferente e klasës politike ndaj një çështjeje kaq të rëndësishme sqarohet lehtësisht po të kemi parasysh përgjimet e publikuara në media nga vetë kryeministri aktual, që provojnë bashkëpunimin e tyre me Sigurimin Shtetëror të IRJM si dhe dosjet e shumta kriminale që dëshmojnë kapjen e tyre nga Sigurimi Shtetëror dhe shndërrimin e tyre në instrumente të bindur të pushtetit në duart e sllavomaqedonasve.
Duke pasur parasysh që kemi të bëjmë me një klasë politike të këtillë të kapur, Memorandumi detyrimisht do të duhej të komunikonte denoncimin dhe kërkesën për llogaridhënie për mosveprimin deri në këtë moment, dhe kontestimin e legjitimitetit të kësaj klase politike për përfaqësim të mëtejmë të interesave të shqiptarëve në IRJM.
Eshtë pikërisht qasja e tillë e kryeministrit Zaev (ashtu si dhe të paraardhësve të tij) për të kontrolluar organizimin politik të shqiptarëve, që duhet denoncuar në pikat e Memorandumit si kërcënim për paqen dhe bashkëpunimin me shqiptarët, si dhe stabilitetin e gjith rajonit. Intelektualët shqiptarë nuk duhet të marrin përsipër, bile akoma më shumë, duhet të refuzojnë që stabiliteti i regjionit të mbahet gjithmonë në kurriz të shqiptarëve, ashtu sic ndodh sot me Marreveshjen për Detin mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, në të dyja rastet ne dem të shqiptarëve.
Grupi i intelektualëve në një nga pikat e rëna dakord, me të drejtë konteston legjitimitetin e kryeministrit Zaev për përfaqësimin e shqiptarëve të IRJM në bisedimet për emrin e IRJM dhe konsideron bisedimet nën këto rrethana si marrëveshje e fshehtë mes dy shteteve fqinje.
Por para së gjithash, Memorandumi duhet qartazi të denoncojë këmbënguljen e Z. Zaev për të ndryshuar emrin e shtetit duke mos ndryshuar kushtetutën dhe rregullimin unitar të shtetit, rregullim i cili i bën shqiptarët sot një popull pa ekonomi, pa arsim të mirëfilltë, pa infrastrukturë, me jetë kulturore të vdekur, pa shpresë … dhe të injoruar në një negocijim kaq të rëndësishëm për të ardhmen e tyre në këtë shtet të brishtë me emër të përkohshëm.
Dhe në fund, Memorandumi duhet të komunikojë qëndrim parimor mbi emrin e ri të IRJM, duke mos zgjedhur propozimin më të mirë ndër të këqijtë. Çështja e emrit duhet trajtuar si çështje jetike, që vulos pozitën dhe të ardhmen e shqiptarëve në këtë shtet, e jo si një çështje teknike. Mu për këtë arsye, përdorimi i emrit Maqedoni në gjitha emrat e përbërë të propozuar nga ana e qeverisë greke duhen kundërshtuar kategorikisht nga shqiptarët, për shumë arsye. Së pari, është shumë vonë për të përdorur argumentin e prejardhjes së shqiptarëve nga fiset maqedonase si fise ilire, dhe për të mbështetur mbi këtë të drejtën e shqiptarëve mbi emrin Maqedoni e me këtë edhe mbi shtetin. Për vet faktin se kjo tani do të bëhej në një terren të abuzimit për një kohë të gjatë me emrin e maqedonasve te vjetër nga ana e sllavëve që quajnë veten maqedonas dhe angazhimit të fortë diplomatik të grekëve për ti dhënë fund këtij abuzimi që prek interesat e popullit grek. Së dyti ndarja e shqiptarëve që jetojnë në IRJM në maqedonas, dhe i shqiptarëve që jetojnë në Kosovë në dardanë, lehtëson projektet e armiqve të shqiptarëve për copëzimin e mëtejmë të kombit shqiptar, dhe për ta bërë të pamundur bashkimin e tyre në një shtet në një të ardhme të afërt. Së treti me insistimin e palës greke, cilido emër i përbërë që do të përmbante emrin Maqedoni, do të duhet të shkruhet i pandarë, për të humbur mundësinë e leximit si emër e mbiemër qe ndan qartë emrin Maqedoni, dhe pa te drejtë përkthimi, në mënyrë që në përdorimin ndërkombëtar të jetë emër pa kuptim, bile akoma më keq, vetëm kuptim sllav. Me këtë, sllavët që quajnë veten maqedonas, pavarësisht pamundësisë për të përdorur në rrafsh ndërkombëtar, përdorimi i brendshëm i emri i përbërë që përmban emrin Maqedoni me kuptim vetëm në gjuhën sllave u jep të drejtën e ekskluzivitetit të plotë mbi shtetin duke përjashtuar shqiptarët plotësisht nga kjo e drejtë, njëherë e përgjithmonë. Së katërti, qëndrimi për përjashtimin e emrit Maqedoni nga emri i ri, do të ishte në një vijë edhe me protestën e një milion qytetarëve grekë kundër keqpërdorimit të emrit Maqedoni në emrin e ri të negociuar për IRJM.
Ky grup i intelektualëve, dhe të tjerë që mund t’u bashkohen, kanë rastin historik që me guximin prej intelektuali, përmes mesazhit të duhur në Memorandumin e paralajmëruar, të marrin rolin që u takon intelektualëve në këto momente të vështira, atë të pararojës së popullit. Në të kundërtën, fare lehtë mund të bëhen bashkëfajtorë dhe bashkëpërgjegjës me klasën politike të kriminalizuar, në krimin e tyre të radhës.

 

Loading...