Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerësoi klerikun e shquar shqiptar, Reisul Ulema-n e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Haxhi Sulejman Efendi Rexhepin, të cilin për shkak të dashurisë së madhe, xhemati e quan “Mulla Sula”. Ai është dekoruar nga presidenti shqiptar me me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Për merita të shquara në promovimin e vlerave të paqes, dashurisë, humanizmit, harmonisë e bashkëjetesës ndërfetare. Në vlerësim të mbrojtjes së interesave dhe jetës fetare islame mes shqiptarëve, të kujdesit për zhvillimin e shkollimit, të institucioneve fetare në frymën kombëtare, si dhe përpjekjeve për mundësimin e urave lidhëse mes mendimit tradicional islam dhe mendimit bashkëkohor e intelektual shqiptar”.

Në ceremoninë e dekorimit ishin të pranishëm klerikë edhe drejtues të lartë të bashkësive fetare shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Kardinali Ernest Simoni (Troshani), Ambasadori i Maqedonisë Stojan Karajanov, i Ngarkuari me Punë i Republikës së Kosovës Sylë Ukshini, deputetë të Kuvendit, Kryetarja e Komitetit Shtetëror të Kulteve Loreta Aliko, intelektualë dhe personalitete të ndryshme, etj.

Në fjalën e Tij Presidenti Meta theksoi se Reisul Ulema Sulejman Rexhepi: “Duke mbrojtur interesat dhe jetën fetare islame mes shqiptarëve, është kujdesur veçanërisht për cilësinë e shkollimit, ruajtjes së frymës kombëtare në institucionet fetare si dhe është përpjekur për mundësimin e urave lidhëse mes mendimit tradicional islam dhe mendimit bashkëkohor e intelektual shqiptar.”

Presidenti i Republikës u shpreh se: “Sulejmani, me guxim, pjekuri, e vendosmëri e ka orientuar zhvillimin dhe fuqizimin e jetës fetare islame duke i dhënë rëndësi profilizimit të saj me identitet burimor shqiptar duke u bërë jo vetëm një frymëzues shpirtëror i besimit por edhe një patriot shqiptar i vërtetë.

Në vitin 1991 Sulejmani zyrtarizoi gjuhën shqipe në Institucionet e Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni dhe një vit më vonë ai ishte një nga nënshkruesit e Grupit nismëtar për themelimin e Universitetit të Tetovës. Organizata që ai drejtonte u kthye në strehën kryesore të pritjes dhe kujdesit të refugjatëve të krizës humanitare të viteve 1998-1999 nga Kosova.”

“Veçoj, gjatë aktivitetit të tij, qëndrimin e palëkundur dhe të paepur në përballimin me sukses të sfidave që vijnë nga radikalizmi, ekstremizmi dhe terrorizmi duke u bërë, në vitin 2012 ideator i Projektit ‘Stop RedTer’, një projekt bashkëkohor për parandalimin e terrorizmit dhe radikalizmit në Maqedoni, duke shmangur ndikimet çoroditëse, interpretimet ekstremiste, gjuhën konfliktuale, fenomene me pasoja ekzistenciale për të gjithë besimtarët e islamit e veçanërisht për atë mbarëshqiptar.” – theksoi Presidenti Meta.

Duke vënë në pah se bashkëjetesa mes besimeve fetare të shqiptarëve është një thesar, një pasuri dhe një vlerë e jashtëzakonshme, Presidenti i Republikës theksoi se: “Ky realitet, ashtu siç na përket të gjithëve, edhe kërkon nga ne që ta ruajmë si sytë e ballit e ta mbrojmë me fanatizëm ndaj çdo fanatizmi fetar, ekstremizmi apo dogme të huaj e përpjekjeje për ta shkëputur nga brendia e saj kombëtare dhe përbashkuese.”

Duke falënderuar Presidentin e Republikës për këtë vlerësim, Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Haxhi Sulejman efendi Rexhepi u shpreh se: “Kjo dekoratë e lartë është e lakmueshme për çdo shqiptar kudo ku gjendet e jeton në botë. Për të gjithë ata që i thonë nënës ‘nënë’, bukës ‘bukë’, ujit ‘ujë’, nga fosjnjëria e tij e deri në frymën e fundit të jetës së kësaj bote. Është nder dhe kënaqësi e çdo shqiptari të tillë të dekorohet me një dekoratë të tillë.

Njerëzit e ndritur të historisë së Kombit tonë, që na shërojnë shpirtin, janë Ata që na japin shpresën, kurajon, guximin dhe trimërinë. Në historinë tonë të lavdishme kombëtare, heronjtë e Atdheut tonë të përbashkët janë të shumtë, sa yjet në qiell, por Ylli i Karvanit Legjendar, të një figure të çmueshme kombëtare, figura e të madhit Skënderbe është e pazëvendësueshme. Prandaj, kur Ai përmendet, na kujton se ne kudo që të jemi, çfarëdo që të jemi, nga detyrat, funksionet, jemi shqiptarë. Ky, Hero i Atdheut tonë të dashur, është simbol i bashkimit për të gjithë ne, është epiqendër e kulturimiy dhe e edukimit për brezat dhe ndjenjën e detyrës ndaj Atdheut.

Qoftë e bekuar Shqipëria, qendra e të gjithë shqiptarëve në botë, e njëherit qoftë i bekuar populli shqiptar kudo që gjendet dhe ata që e duan paqen, mirëqenien, tolerancën, mirëkuptimin, bashkëjetesën dhe sigurinë absolute të jetojnë si vëllezër në jetën e kësaj bote.”

 

Loading...