Shkruan: Binaz Pajaziti

Metamorfoza është term biologjik i cili përshkruan procesin se si rriten, zhvillohen dhe ndryshojnë kafshët e caktuara.
Metamorfoza politike është proces se si transformohen figurat politike, brenda një kohe të shkurtër, para syve të të gjithëve.
Shkrimtarit italian Corrado Alvaro thotë: “Dëshpërimi më i rëndë që mund t’i bjerë një shoqërie është kur atë e kap dyshimi se të jetosh ndershmërisht është një punë e padobishme. Dhe ky dëshpërim e ka kapluar vendin tim prej shumë kohësh”.
Ajo çfarë ka ndikuar më së shumti në degradimin moral të shoqërisë sonë, është sistemi politik. Heshtja e BDI për kërkesat esenciale të shqiptarëve është kulmi i një degradimi moral politik.
Sa e sa figura politike, demagog publik kemi parë përgjatë këtyre viteve të transformohen, të ndryshojnë bindje, të hanë fjalët, të mashtrojnë mbështetësit e tyre. E në shumicën e rasteve ky transformim ka ndodhur më shumë në kahje të gabuar, sesa transformim në kahje të drejtë.
Por, metamorfoza më e madhe politike ka ndodhur në figurën e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.
Një njeri që veproi në ilegale vite të tëra. Anëtar i LPK-së për një kohë të gjatë. Kryetar i komisionit pranë LPK-së për zbardhjen e vrasjes së Gërvallajve. Udhëheqës politik i UÇK-së.
Kryetar i BDI-së, i cili ka marr mbështetjen më të madhe të votuesve që nga viti 2002 pikërisht për shkak të diskriminimit të shqiptarëve në mënyrë institucionale, në emër të së cilave u qit edhe pushkë.
Erdhi në skenën politike si frymë e revoltës së shqiptarëve. Me marrëveshjen e Ohrit u garantua preambullë me karakter qytetar, pra Maqedonia do jetë shtet i të gjithë qytetarëve të saj. Në pazarin politik që bëri atëherë me LSDM ndryshoi preambullën që e garantoi faktori ndërkombëtar, ku shqiptarët u renditën si qytetar të rendit të dytë.
Në bashkëqeverisje me VMRO-DPMNE u solli shqiptarëve shkatërrimin ekonomik, afera të ndryshme, diskriminimin më të madh në historinë e tyre nëpërmjet projektit monoetnik dhe monofetar ”Shkupi 2014” e centralizoi edhe më shumë pushtetin qendror. Tendenca për ta arsyetuar se luani i VMRO është simbol shqiptar, hartimi i enciklopedisë dhe teksteve fyese, që kishin për qëllim uljen dhe nëpërkëmbjen e dinjitetit shqiptar me etiketime të ndryshme. Gjithë kjo histori e falsifikuar, dinjitet i nëpërkëmbur i bëri shqiptarët të ndihen më keq se kurrë dhe të degdisen rrugëve të botës.
Sot kur është në koalicion me LSDM po i pengon dhe anashkalon kërkesat elementare që kanë të bëjnë me ndryshimet kushtetuese, duke na premtuar se do gjejmë zgjidhje në kuadër të BE.
Parë nga ky këndvështrim lirisht mund të gjykojmë se Ali Ahmeti, është e keqja më e madhe që i ka ndodhur shqiptarëve në këto 27 vitet.
Shtrohet pyetja: Çfarë sinjali dërgojnë këto veprime te diaspora që e përkrahu? Votuesit e tij? Qytetarët e ndershëm të këtij vendi? Pikërisht ai sinjal të cilin përshkruante Corrado Alvaro, se të jetuarit ndershëm në këtë shoqëri është diçka që nuk ia vlen. Diçka që nuk shpërblehet.
Si mund të arsyetohet një metamorfozë kaq e madhe, me të cilën nuk krahasohet as metamorfoza që përjeton Gregor Zamza në librin e F.Kafkës, trupi i të cilit shndërrohet në një zvarranik, i cili nuk mund të durohet as nga familja e tij?
Pikërisht sjelljet e liderëve partiakë si kjo e Ali Ahmetit dhe partisë së tij, kanë ndikuar në degradimin e shoqërisë në përgjithësi.
Përse shqiptarët të jetojnë ndershëm, kur Ali Ahmeti luan pandershëm? Përse një mësues dhe profesor të sillet ndershëm, kur patrioti Ali Ahmeti posa kreu metamorfozën më të madhe politike?
Është gabim të mendohet se në politikë nuk duhet të ketë moral. Gabim i madh të mendohet se politika është mënyra e arritjes së qëllimeve me çdo kusht. Aristoteli e kishte klasifikuar politikën si nënën e të gjitha profesioneve. Politika është ajo që vendos se çfarë ushqimesh konsumojmë, çfarë edukimi marrim, në çfarë ambientesh banimi jetojmë.
E një politikë pa moral, një koalicion qeverisës pa parime, një metamorfozë e tillë politike, do të ndikojë direkt në jetën e shoqërisë në përgjithësi, në atë se si do të sillet çdo mësues, nxënës, student, mjek, biznesmen, gjykatës, shërbyes civil.

Tetovë 26.10.2018

Loading...