Kryetari i partisë më të madhe opozitare të Greqisë, Kirjakos Micotakis, përsëriti edhe një herë se Demokracia e Re nuk do të votojë për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës dhe u bëri thirrje partive dhe deputetëve të tjerë ta bëjnë të njëjtën gjë, tha korrespondenti i MIA-s nga Athina.

Ka vetëm një mënyrë për të përkufizuar fushën e dëmit kombëtar: Marrëveshja e Prespës nuk duhet ratifikuar në Parlamentin grek. E përsëris në mënyrë më kategorike: Demokracia e Re do të votojë kundër marrëveshjes dhe i bëjmë thirrje të gjitha partive dhe të gjithë deputetëve që të bëjnë të njëjtën gjë. Në fakt, kjo është kërkesa e shumicës dërrmuese të shtetasve grekë, thotë Micotakis.

Arsye për deklaratën e sotme të liderit të Demokracisë së Re janë tekstet e publikuara në mediat greke, të cilat duke iu referuar vecer.mk dhe mkd.mk e transmetojnë deklaratën e kryeministrit të Maqedonisë në të cilin ai ka thënë se “me Marrëveshjen e Prespës hapet mundësia që gjuha maqedonase të mësohet në Greqi”.

“Deklaratat e Zaev për mësimin e gjuhës maqedonase në Greqi nuk janë të pranueshme. Por ishin të pritshme që nga vetë përmbajtja e marrëveshjes. Në mënyrën më të qartë e vërteton atë që Demokracia e Re e tha nga momenti i parë, se njohja e gjoja gjuhës maqedonase dhe kombësisë, e hap Kutinë e Pandorës për ringjalljen e të gjitha kërkesave të pasakta hsitorike irredentiste të Shkupit”, thotë Micotakis dhe shton se Zaev ka çfarëdo arsye të festojë për atë që është dakorduar, por “Cipras mbetet i pazëshëm para rezultateve të politikës së tij”.
Demokracia e Re përmes një kumtese të publikuar dje dërgoi akuza dhe kritika për qeverinë Cipras për Marrëveshjen e Prespës.

“Demokracia e Re në kohë paralajmëroi se Marrëveshja e dëmshme e Prespës e inkurajon, në vend se e eliminon irredentizmin e Shkupit dhe për fat të keq në mënyrën më të keqe vërtetohet se është në të drejtë. Deklaratat e Zaevit për mundësinë e mësimit të gjuhës maqedonase në vendin tonë i provokojnë të gjithë grekët. Prandaj po aq provokuese është edhe mosreagimi i kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, zoti Cipras”, kumton Demokracia e Re.

Loading...