MINISTRAT E JASHTËM TË BE-SË REKOMANDOJNË HAPJE TË KUSHTËZUAR TË NEGOCIATAVE PËR MAQEDONINË

Këshilli i BE-së rekomandon hapje të mundshme të negociatave të vendit për anëtarësim në qershor të vitit 2019, por nëse plotësohen 4 kushte: zbatimi i reformave urgjente prioritare, zbatimi i marrëveshjes së emrit, raport pozitiv të KE-së dhe vendim të Këshillit të BE-së, njofton MIA duke u thirrur në burime diplomatike.

Hapja e negociatave është e kushtëzuar edhe me arritjen e përparimit në reforma. Ndërkohë në Luksembur, po mbahet diskutimi i ministrave të Jashtëm të BE-së për hapjen ose jo të negociatave të Maqedonisë dhe Shqipërisë me BE-në. Ministrat po mbajnë raundin e fundit të bisedimeve në përpjekje për të gjetur kompromis për fillim të negociatave me këto dy vende.

Bëhet e ditur se ministri për Evropë i Gjermanisë, Mihail Rot ka lëshuar mbledhjes, duke i quajtur bisedimet për Maqedoninë “zhgënjyese”, por ai nuk ka dhënë më tepër sqarime para gazetarëve. Mbeldhja në fjalë po mbahet dy ditë para samitit të lidereve të BE-së, në të cilin duhet të kumtohet vendimi nëse Maqedonia dhe Shqipëria do të marrin datë për fillim të negociatave ose jo.

Në lidhje me këtë, vendet e BE-së kanë qëndrime të ndara. Franca dhe Holanda vazhdojnë të jenë kundër. Sipas këtyre dy shteteve evropiane, fillimi i negociatave me vende të reja kandidate do të kishte efekt negativ ndaj opinionit publik vendor. Ministri i Jashtëm i Holandës, Stef Bllok para fillimit të kësaj mbledhje ka thënë se vendet kanë bërë përparim sa i përket reformave, megjithatë nevojitet që të tregohen rezultate.

STEF BLLOK, MINISTËR I JASHTËM I HOLANDËS

“Dy vendet kanë bërë përparim të rëndësishëm për sundimin e së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit, por në të njejtën kohë akoma nuk kanë arritur tek qëllimi. Çdo vend ka arritjet e tija, por është e rëndësishme vendet të tregojnë rezultate në këto fusha”.

Nga ana tjetër, vende të tjera anëtare insistojnë se opcioni i Francës dhe Holandës nuk është i mirë. Ministri për Evropë në MPJ-në gjermane, Mihail Rot, para mbledhjes ka deklaruar se vendi i tij është i gatshëm të jep dritë jeshile për fillim të negociatave me dy vendet.

MIHAIL ROT, MINISTËR I EVROPËS I GJERMANISË

“Qeveria gjermane është e gatshme të mbështesë Maqedoninë dhe Shqipërinë në rrugën e tyre drejtë BE-së. Jemi të gatshëm të japim dritë jeshile dhe do të doja të inkurajoj edhe miqtë tanë në Holandë dhe Francë të na bashkangjiten”.

Për ministrin e Jashtëm të Luskemburgut, Zhan Aselborn, mos hapja e negociatave me dy vendet do të ishte “gabim politik”.

Edhe eurokomisari për Zgjerim, Johanes Han, para mbledhjes ka thënë se Maqedonia duhet të shpërblehet nga Unioni për përparimin dhe marrëveshjen me Greqinë, me të cilën përmbyllet kontesti 27-vjeçar për emrin. Han u ka bërë thirrje vendeve anëtare të BE-së që të japin dritë jeshile për hapjen e e negociatave qasëse për dy vendet, pasi sipas tij, ajo do të ishte sinjal pozitiv për gjithë rajonin dhe konfirmim i kredibilitetit të Unionit.

JOHANES HAN, EUROKOMISAR

“Kemi arritur shumë dhe nëse i shohim rezultatet vetëm në muajt e fundit do të shihni se ai është rezultat i perspektivës evropiane. Edhe unë nuk do të mundja të kuptoj nëse ajo nuk do të njihet, kuptohet dhe shpërblehet në mënyrë adekuate”.

Han ka paralajmëruar se refuzimi eventual i Maqedonisë dhe Shqipërisë do të ketë pasoja negative për stabilitetin dhe perspektivën evropiane në rajon. / Shenja

Loading...