Ministri Asaf Ademi ka një lajm të keq për VMRO-në dhe BDI-në lidhur me projektin “Shkupi 2014”

Ministri i ri i kulturës Asaf Ademi ka një lajm të keq për VMRO-në dhe BDI-në. Ai ia ka hapur dyert Prokurorisë Speciale për të hetuar të gjitha malverzimet që janë bërë në të kaluarën në Ministrinë e kulturës, me theks të ve;antë gjatë realizimit të projektit antishqiptar “Shkupi 2014”, projekt i realizuar dhe i zgjeruar kryesisht gjatë qeverisjes VMRO-BDI. Ademi këtë gatishmëri e ka përsëritur edhe sot në konferencën “Shteti i kapur – ilustrim përmes rastit ‘ndërtimi i projektit Shkupi 2014’, ku ka qenë prezente edhe kryeprokurorja speciale, Katica Janeva.

Në vazhdim u sjellim fjalimin e plotë të mbajtur sot në hotel Aleksandar Palace:

Më lejoni para së gjithash të shpreh falënderimin tim për organizatorin e kësaj konference tematike kushtuar “Shteti i kapur – ilustrim përmes rastit ‘ndërtimi i projektit ‘Shkupi 2014’”, veçmas për faktin se një pjesë e madhe e objekteve të këtij projekti janë realizuar përmes Ministrisë së Kulturës, të cilën e drejtoj. Edhe përkimi i kësaj konference me fillimin e mandatit tim për mua si ministër i Kulturës për mua është një sfidë më shumë, por edhe më shumë përgjegjësi për t’u ballafaquar me dukuritë negative të këtij fenomeni. Këtu nuk mund të mos e përmend edhe një moment tjetër që është i rëndësishëm për temën sotme, ndërsa lidhet me angazhimin tonë politik për “çlirimin” e shtetit nga kjo kapje. Juve sigurisht ju kujtohet se më 2013, në kohën fshehtas u vendos Car Dushani, secili në shtet i rrudhte krahët dhe bëhej se nuk e dinte se prej nga kur erdhi, ndërsa ishim ne dolëm te ajo përmendore, duke e mbuluar me vellon e turpit për shtetin që sillej tinëz dhe instalonte përmendore në kundërshtim me vlerat multientike të vendit, dhe e shtruam pyetjen se kush është pronari i vërtetë i saj. Të nderuar, Termi “shteti i kapur” ndërlidhet me një lloj të korrupsionit politik, në të cilin disa individë dhe grupe të interesit, përmes kanaleve joformale, ndikojnë në procesin e marrjes së vendimeve në trupat ligjdhënës, ekzekutiv dhe gjyqësor, kjo me qëllim të arritjes përfitimeve të caktuara. Në të vërtetë, ky term është bërë pjesë e shkencave shoqërore kah fundi i shekullit të njëzetë dhe paraqet njëlloj reaksioni ndaj dukurive shoqërore, që nuk mund të shpjegohen me fjalor klasik politik. Për dallim prej korrupsionit administrativ, që në përgjithësi lidhet me nepotizmin, ryshfetin, shmangies së tatimit dhe tejkalimit të ligjeve, shteti i kapur paraqet ndërrim, përkatësisht suspendim të ligjeve, rregullave dhe standardeve në drejtim të realizmit të synimeve të një strukture të caktuara shoqërore. Tashmë jemi të bindur se projekti “Shkupi 2014” e përkufizon në mënyrën më të mirë modelin e Maqedonisë si shtet i kapur, shpeshherë i kombinuar me praksologji të korrupsionit administrativ, partizim dhe uzurpim të institucioneve. Kjo është konfirmuar edhe në analizën relevante të kryer nga grupi i punës, i formuar nga Ministria e Kulturës, veçmas në raport me objektet dhe përmendoret e realizuara përmes kësaj ministrie. Procedura është realizuar për ndërtimin e disa objekteve dhe përmendoreve, siç është përmendorja “Ushtari në kalë”, si dhe kompozicioni skulptural porta “Maqedonia” – që i përmban të gjitha elementet që flasin për suspendim të aktit më të lartë të shtetit, Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, shkelje të Ligjit për përmendore memoriale dhe monumente, shkelje të Ligjit për buxhet dhe Ligjit për realizimin e buxhetit. Ndryshimet e shumta përmes amendamenteve të Ligjit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, me qëllim të barazimit të aktiviteteve kriminale në kuadër të ligjeve dhe abuzimi i tij me vetëdije në procedurën shlyerjes së statusit të trashëgimisë së mbrojtur kulturore të qindra objekteve të veçanta në pjesën qendrore të qytetit, me qëllim që ato “të vishen” me veshje të re dhe të shpallen përsëri si trashëgimi kulturore, paraqesin ilustrim të saktë të modelit të Maqedonisë si shtet i kapur. Lufta kundër shtetit të kapur është një proces i rëndë dhe për këtë dëshmojnë shembuj të shumtë të vendeve të Europës pas-komuniste. Por, ajo që është e rëndësishme është njohja e pasojave të dëmshme nga gjendja e këtillë dhe fillimi i aktiviteteve për çlirimin e institucioneve të sistemit përmes reformave në të gjitha veprimtaritë. Informacioni se në dymbëdhjetë vitet e fundit Ministria e Kulturës, përmes projektit “Shkupi 2014”, paraqiste sinonim për shtetin e kapur dhe pasojat negative afatgjata që i ka shkaktuar në disa nivele – juridike, korruptive, idenditare dhe estetike – rezulton detyrimisht me fillimin e procesit të reformave sistemore, që janë përfshirë në Strategjinë nacionale për zhvillim të kulturës 2018-2022, një dokument strategjik që është miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Zbatimi i reformave të përcaktuara në Strategji nuk do të jetë një proces i lehtë dhe ai kërkon shumë punë, dituri, profesionalizëm, përkushtim dhe qëndrueshmëri. Në jemi të vetëdijshëm për sfidat me të cilat po ballafaqohemi, por jemi shumë të vendosur të ecim në rrugën e çlirimit të kulturës nga të gjitha llojet e “pengmarrjes”, që janë kundërshtim me esencë e saj – zhvillimi i lirë i potencialit kreativ të secilit individ me cilësi dhe kreativitet, si dhe mbrojtje dhe kultivim i trashëgimisë si peng për të ardhmen…

Loading...