Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Uran Ismaili, ka nisur sot vizitën e tij zyrtare tre ditore në Gjermani
Në ditën e parë të vizitës, ministri Ismaili ka takuar deputetët e Komisionit për Shëndetësi të Bundestagut, me në krye kryetarin e komisionit, Erwin Rüddle.

Duke folur për shëndetësinë, ministri Ismaili u tregoi deputetëve gjermanë për reformat të cilat është duke i realizuar për transformimin e shëndetësisë kosovare.

Që këto reforma të jenë më të shpejta, ministri Ismaili kërkoi edhe ndihmën e Gjermanisë për të përmirësuar shërbimet shëndetësore.

“Ne tashmë u kemi hyrë reformave të thella në shëndetësi në Kosovë. Por, e rëndësishme për vendin tonë, gjithmonë është e mirëseardhur ndihma e Gjermanisë. Edhe këtë herë, ne diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve tona”, tha ministri Ismaili pas takimit.

Trajnimi i profesionistëve shëndetësorë, binjakëzimet mes spitaleve, prurja e ekspertëve të ndryshëm nga Gjermania në Kosovë për të ndihmuar përmirësimin e shërbimeve shëndetësore ishin disa nga kërkesat dhe temat e diskutimit.

Në këtë drejtim, kryetari i Komisionit për Shëndetësi në Bundestag, Erwin Rüddle, duke përgëzuar ministrin Ismaili për punën që është duke bërë për transformimin e shëndetësisë në Kosovë, shprehu gatishmërinë e tij dhe të komisionit për ndihmë në këtë aspekt.

“Ishte një takim shumë i mirë. Na vjen mirë për punën që është duke u bërë atje. Ne jemi të gatshëm që të ofrojmë çfarëdo bashkëpunimi për të cilin do të keni nevojë”, ka thënë Rüddle.

Përveç diskutimit për shëndetësi, ministri Ismaili kërkoi edhe mbështetjen e deputetëve gjermanë për liberalizimin e vizave për Kosovën, si vendi i vetëm në Ballkan pa të drejtën e lëvizjes së lirë.

Loading...